Ballina Lajmet Kosovë Reshjet e dendura, KRU “Prishtina” tregon pse ndodhin vërshimet në kryeqytet

Reshjet e dendura, KRU “Prishtina” tregon pse ndodhin vërshimet në kryeqytet

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka reaguar pas vërshimeve të shkaktuara sot në kryeqytet, duke sqaruar se situata lidhet kryesisht me gjendjen e linjave të vjetra të kanalizimit dhe me sistemin e përbashkët të ujërave atmosferike dhe atyre fekale.

Sipas kompanisë, rreth gjysma e rrjetit të kanalizimit në Prishtinë është ndërtuar shumë vite më parë dhe nuk i përgjigjet më nevojave aktuale të qytetit, i cili ndërkohë ka pësuar rritje të madhe urbane dhe dendësim të popullsisë. Sistemi i kanalizimit, në shumë zona, vazhdon të jetë i përbashkët, duke kombinuar ujërat e shiut me ato fekale, gjë që krijon bllokime dhe tejmbushje sa herë ka reshje të dendura, përcjell Telegrafi.

KRU “Prishtina” thekson se posedon buxhet dhe ekipe profesionale për mirëmbajtjen e rrjetit të ujërave fekale — përfshirë riparime, pastrim pusetash dhe debllokime — por nuk është përgjegjëse për rrjetet e kanalizimit atmosferik, të cilat i takojnë Komunës së Prishtinës.

Kompania njofton se është në koordinim me komunën dhe Drejtorinë e Investimeve Kapitale për zgjidhjen e disa prej rasteve më problematike, ndërsa ekipet e saj mbeten të gatshme të intervenojnë në çdo rast që lidhet me kanalizimin fekal.

KRU “Prishtina” gjithashtu apelon te qytetarët që gjatë reshjeve intensive të mos hapin pusetat e kanalizimit, pasi lejimi i ujërave të shiut në sistem mund të shkaktojë kundërefekt dhe të sjellë përmbytje brenda shtëpive të tyre.

Kompania thekson se vërshimet e sotme nuk janë rezultat i mosfunksionimit të sistemit fekal, por pasojë e ngarkesës së madhe në rrjetet e përbashkëta dhe rrëshqitjeve të shtuara të ujërave atmosferike.

Exit mobile version