Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Revista “Travelweek”: Turizmi në Turqi po fluturon

Revista “Travelweek”: Turizmi në Turqi po fluturon

Revista e përjavshme turistike kanadeze, “Travelweek”, ka theksuar në numrin e saj të fundit se Turqia është “një destinacion në rritje”.

Në kryeartikullin e titulluar “Turizmi në Turqi po fluturon”, botuar në kopertinën e numrit të datës 20 shtator, revista “Travelweek” ka bërë të ditur se turistët e huaj po kthehen gjithnjë e më shumë në Turqi.

Artikulli ka tërhequr vëmendjen se numri i turistëve që kanë vizituar Turqinë deri në muajin korrik 2018, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017, është rritur me 11,74 për qind duke arritur në 21 milionë e 639 mijë e 802, përfshi këtu edhe 59 mijë e 893 turistët kanadezë që kanë udhëtuar në Turqi gjatë këtij harku kohor.

Sipas “Travelweek”, kjo shifër nënkupton një rritje me 33,78 për qind të numrit të kanadezëve që kanë bërë turizëm në Turqi, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2017-s.

Revista ndan me lexuesit edhe një vlerësim të shefes së Departamentit të Tendencave dhe Konkurrencës së Tregut në Organizatën Botërore të Turizmit (UNWTO), Sandra Carvao, në lidhje me turizmin turk. Ekspertja portugeze e UNWTO-së ka shpjeguar se kontribut madhor në këtë rritje të turizmit në Turqi kanë dhënë sidomos rikthimi i tregut rus, aktivitetet promotore dhe përshpejtimi i investimeve infrastrukturore.

“Turqia është një vend me produkte turistike unike, të shtrira në një gamë të gjerë, duke filluar që nga kultura dhe historia e deri tek qytetet, dielli dhe deti; por edhe një vend që vazhdon të bëjë gjithnjë e më të larmishme shanset e mundësuara nga turizmi”, është thënë Sandra Carvao për revistën kanadeze.

Ndërsa ambasadori i Turqisë në Otavë, Selçuk Unal, ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për të pritur më shumë turistë kanadezë, në një prononcim për “Travelweek”.

“Falë qyteteve me thellësi historike, plazheve dhe bukurive natyrore të saj, Turqia ofron shanse unike pushimi për të gjithë vizitorët”, ka sqaruar ambasadori Unal.

E intervistuar nga e përjavshmja kanadeze, Megan Bailey, drejtoreshë e kompanisë “Intrepid Travel” për Amerikën Veriore, ka bërë me dije se në vitin 2018 kanë regjistruar një rritje të pabesueshme me 214 për qind në aspektin e rezervimeve globale, krahasuar me vitin e kaluar, ndërkohë që Turqia ka spikatur si destinacioni me rritjen më të shpejtë.

“Kjo është një rritje mbresëlënëse. Rezervimet tona aktuale tregojnë se trendi i udhëtimit në Turqi do të vazhdojë të rritet vrullshëm edhe në vitin 2019. Në përputhshmëri me rritjen e 2018-s, ne parashikojmë një rritje gati 300 për qind në rezervimet tona për vitin 2019”, ka vlerësuar Bailey.

Exit mobile version