Ballina Lajmet Kosovë Rezultatet përfundimtare në Mitrovicën e Jugut pas verifikimit të plotë të votave

Rezultatet përfundimtare në Mitrovicën e Jugut pas verifikimit të plotë të votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përmbyllur numërimin dhe verifikimin e të gjitha 105 vendvotimeve në komunën e Mitrovicës së Jugut, pas një ndalimi të përkohshëm dhe më pas rifillimit të procesit të verifikimit të votave.

Sipas rezultateve zyrtare, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Faton Peci, ka fituar me 53.44% të votave, ose 17,834 vota, duke lënë pas kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, i cili ka marrë 46.56%, përkatësisht 15,541 vota.

Procesi i verifikimit ka përfshirë një shqyrtim të detajuar të të gjitha fletëvotimeve për të siguruar saktësinë e rezultateve përfundimtare, pas shqetësimeve të ngritura kohëve të fundit lidhur me disa parregullsi të mundshme.

Verifikimi i votave rifilloi të mërkurën me urdhër të Prokurorisë Themelore, pasi ky institucion kishte urdhëruar më herët ndërprerjen e përkohshme të procesit.

Rifillimi u lejua pas sqarimeve të dhëna nga kompania CETIS, e cila shtypi fletëvotimet, duke theksuar se problemi kishte ndodhur në një nga pllakat e printerëve me ngjyrë.

Zhvillimet gjatë këtij procesi kanë shkaktuar reagime të shumta në skenën politike, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar rivotim në këtë komunë.

Exit mobile version