Ballina Lajmet Kosovë Rifillon mësimi në të gjithë vendin

Rifillon mësimi në të gjithë vendin

Pas tre javësh grevë, sot të gjithë punëtorët e arsimit do t’i kthehen punës. Që nga 14 janari i këtij viti, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), vendosi që të gjithë punëtorët e arsimit të hynin në grevë deri në plotësimin e kushteve që kërkonte kjo Sindikatë, shkruan lajmi.net. Mirëpo, që nga dita e sotme, pra pas tre javësh mësimdhënësit do t’i kthehen punës. Kjo për faktin se të premten e javës së kaluar pra më 1 shkurt SBASHK-u hoqi dorë nga greva pasi arriti një marrëveshje me udhëheqësit e koalicionit qeveritar, shkruan më tutje lajmi.net. Pas takimit që kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj kishte me kryeparlamentarin Kadri Veseli, kryeministrin Ramush Haradinaj si dhe me ministrin e Financave Bedri Hamza, Jasharaj bëri të ditur se gjysmëvjetori i dytë do të fillojë sot. “Marrëveshja është afër për çfarë kemi kërkuar. Gjysmëvjetori i dytë fillon të hënën”, kishte deklaruar Jasharaj. Në anën tjetër, kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ishte shprehur i lumtur pas këtij takimi. “Jam i lumtur që nxënësit e Kosovës nga e hëna do t’iu kthehen shkollave dhe mësimit. Gjithë punëtorëve të sistemit të arsimit u janë rritur pagat dhe ashtu si kemi premtuar do t’i mbajmë premtimet. Pagat u janë rritur gjithë sektorëve të tjerë, që janë policia, shëndetësia, administrata publike, artistët, asamblistët e komunave, pensionistëve dhe gjithë punëtorëve të tjerë”, kishte deklaruar Veseli. Mirëpo, se a do të zëvendësohen orët e humbura të mësimit kjo akoma nuk dihet.

Exit mobile version