Ballina Artikuj Rijadus Salihin (901 – 1000)

Rijadus Salihin (901 – 1000)

901 – Aishja (r.a) transmeton se Profeti (a.s), kur një njeri ankohej nga ndonjë dhimbje, ose kishte plagë apo çarje, Profeti (a.s) bënte kështu me gishtin e tij – dhe Sufjan ibn Ujejneh (transmetuesi) e vuri gishtin tregues në tokë pastaj e ngriti – dhe thoshte: “Me emrin e Allahut, dheu i tokës sonë, i përzier me pështymën e disa prej nesh, shërohet me të i sëmuri ynë, me lejen e Zotit tonë.”[1]

902 – Aishja (r.a) tregon: “Kur Profeti (a.s) vizitonte ndonjë prej familjarëve të tij të sëmurë, me dorën e djathtë fërkonte të sëmurin dhe lutej me fjalët:“O Allah, Zoti i njerëzve, largoje të keqen. Shëroje sepse Ti je Shëruesi. Nuk ka shërim tjetër shpëtues, përveç shërimit Tënd. Shëroje me atë me një shërim që nuk pasohet më me asnjë lloj sëmundje.”[2]

903 – Transmetohet se Enesi (r.a) i ka thënë Thabitit (r.h): A dëshiron të të bëj (këndoj) rukje ashtu si ka vepruar i Dërguari i Allahut (a.s)? Ai tha: Po patjetër. Ai tha: “O Allah, Zot i njerëzve, Ti je Ai që e largon të keqen, Jep shërim sepse Ti je Shëruesi, nuk ka shërim tjetër shpëtues përveç shërimit Tënd, shërim të atillë që nuk pasohet me asnjë sëmundje më pas.”[3]

904 – Sa’d ibn Ebu Uekasi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut më vizitoi (kur isha i sëmurë) dhe u lut duke thënë: “O Allah shëroje Sa’din, O Allah shëroje Sa’din, O Allah shëroje Sa’din”[4]

905 – Nafiu ibn Xhubejri tregon: “Othman ibn As (r.a) iu ankua Profetit (a.s) për një dhimbje që ndjente në trup. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha:“Vendose dorën tënde atje ku ndjen dhimbje dhe thuaj tre herë: “Bismilah- Me emrin e Allahut”. Më pas thuaj shtatë herë: “Kërkoj mbrojtje me fuqinë dhe forcën e Allahut ndaj të keqes që kam dhe ndaj asaj të keqe, që kam frikë se do të më prekë.

906 – Ibn Abasi (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush viziton një të sëmurë, të cilit akoma nuk i ka ardhur vdekja, dhe lutet për të shtatë herë me fjalët: “I lutem Allahut, Madhështorit, Zotit të Arshit të Madh të të shërojë”, le ta dijë se Allahu ka për ta shëruar nga ajo sëmundje që po vuan.”[6]

907 – Ibn Abasi (r.a) tregon: “Profeti (a.s) shkoi për të vizituar në beduin të sëmurë. Ai (a.s) e kishte traditë që kur vizitonte një të sëmurë të thoshte: “Nuk ka gjë. Kjo sëmundje qoftë pastrim (nga mëkatet) për ty në dashtë Allahu.”[7]

908 – Ebu Seid El-Hudri (r.a) transmeton se Xhibrili (a.s) erdhi tek Profeti (a.s) dhe i tha: “O Muhamed, a po ankohesh (je i sëmurë)? Ai tha: Po. Ai (Xhibrili) tha: Me emrin e Allahut të bëj rukje, prej çdo gjëje që të dëmton, prej së keqes së çdo shpirti dhe çdo syri ziliqar. Allahu të shëroftë. Me emrin e Allahut të bëj rukje.”[8]

909 – Ebu Seid El-Hudri (r.a) dhe Ebu Hurejrja dëshmojnë se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush thotë: “La ilahe il-lAllah, Allahu Ekber” (Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, dhe Allahu është më i Madhi), Zoti i tij e vërteton atë dhe thotë: “Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje, dhe Unë jam më i Madhi.” Dhe kur thotë: “La ilahe il-lAllah, uahdehu la sherike leh” (Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, i Vetëm, pa shok), Ai thotë: “Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje, i Vetëm, nuk kam shok.” Dhe kur thotë: “La ilahe il-lAllah, lehul-mulku ue lehul hamdu” (Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Atij i takon sundimi dhe lavdërimi), Ai thotë: “Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje, Sundimi është i Imi lavdërimi është për Mua.” Dhe kur thotë: “La ilahe il-lAllah, ue la haule ue la kuuuete il-la bil-lah” (Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, dhe nuk ka forcë e fuqi përveçse me Allahun), Ai thotë: “Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Meje, dhe nuk ka forcë e fuqi përveçse me Mua.” Dhe ai (I Dërguari i Allahut a.s) thoshte: “Kush e thotë këtë gjatë sëmundjes së tij, e pastaj vdes, zjarri (i xhehenemit) nuk do ta prekë.”[9]

Kapitulli: Pëlqyeshmëria e pyetjes së familjarëve të të sëmurit për gjendjen e tij

910 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se Ali ibn Ebu Talib (r.a) doli nga i Dërguari i Allahut (a.s) – nga sëmundja prej të cilës ndërroi jetë -, njerëzit i thanë (e pyetën): O Ebu Hasen, si u bë i Dërguari i Allahut? Ai tha: Elhamdulil-lah u gdhi mirë (i shëruar).”[10]

Kapitulli: Çfarë duhet të thotë ai person që i ka humbur shpresat nga jeta e tij

911 – Aishja (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar Profetin (a.s) të thotë teksa ai ishte i mbështetur tek unë: “O Zoti im, më fal mua, më mëshiro dhe më bashko mua me shoqërinë më të lartë (në Xhenet)”[11]

912 – Aishja (r.a) ka thënë: E pashë të Dërguarin e Allahut (a.s) në momentet e vdekjes. Para tij ishte një enë me ujë, ai e fuste dorën e tij në enë dhe pastaj fshinte fytyrën e tij me ujë, pastaj thoshte: “O Allah, më ndihmo nga vështirësitë e vdekjes dhe në agoninë e saj.”[12]

Kapitulli: Pëlqyeshmëria e këshillimit (porosisë) të familjarëve të të sëmurit dhe atyre që e shërbejnë atë që të sillen me mirësi ndaj tij, ta durojnë dhe të tregojnë sabër ndaj asaj që është e vështirë prej çështjeve të tij. Po ashtu edhe (pëlqyeshmëria e) këshillimit për atë tek i cili është afruar shkaku i vdekjes së tij me ndëshkim (ḥadd), kisas (dënim me reciprocitet) apo gjëra të ngjashme.

913 – Imran ibn Husajn (r.a) transmeton, se një grua nga Xhuhejne,- e cila kishte mbetur shtatzënë nga kryerja e imoralitetit – erdhi te Profeti (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Unë meritoj të ndëshkohem, prandaj ekzekutoje atë mbi mua (dënimin për imoralitet)”. I Dërguari i Allahut (a.s.) thirri kujdestarin e saj dhe i tha: “Sillu mirë me të. Kur ajo të lindë, sille tek unë” dhe kujdestari ashtu veproi. Profeti (a.s) urdhëroi që ajo të ekzekutohej (pasi ajo e lindi fëmijën), pasi ia shtrënguan rrobat, ai (a.s) pastaj urdhëroi që ajo të gurëzohej, ndërsa më pas ia fali namazin e xhenazes.”[13]

Kapitulli: Lejueshmëria që i sëmuri të thotë: “Kam dhimbje”, ose “Kam dhimbje të fortë”, ose “Jam i sëmurë rëndë”, ose “Ah, koka ime!” e të ngjashme me këto, dhe sqarimi se nuk ka të keqe në këtë nëse nuk është me qëllim të pakënaqësisë dhe shfaqjes së dëshpërimit.

914 – Ibn Mesudi (r.a) ka thënë: “Hyra tek Profeti (a.s) ndërsa ai ishte i sëmurë (me ethe të forta). E preka dhe i thashë: Vërtet ti ke ethe shumë të forta. Ai tha: Po, unë kam ethe aq sa mund të kenë dy persona prej jush së bashku.”[14]

915 – Sa’d ibn ebi Uekasi (r.a) transmeton: “I Dërguari i Allahut (a.s) erdhi tek unë për të më vizituar, për shkak të një sëmundjeje që më kishte rënduar së tepërmi. Unë thashë: Siç e shikon unë jam shumë i sëmurë, kam shumë para dhe si trashëgimtare kam vetëm vajzën time… deri në fund të hadithit.”[15]

916 – El-Kasim ibn Muhamedi ka thënë: Aishja (r.a) tha: Më dhemb koka. Profeti (a.s) ka thënë: Jo, unë kam dhimbje koke (më shumë se ti)”[16]

Kapitulli: Telkini i fjalës “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut” për atë person që është në agoninë e vdekjes

917 – Muadhi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush ka si fjalë të fundit në këtë botë: “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut”, do të hyjë në Xhenet.”[17]

918 – Ebu Seid El-Hudri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Përsëritujani (telkinin) atyre që janë në agoninë e vdekjes fjalën “Nuk ka zot tjetër përveç Allahut.”[18]

Kapitulli: Çfarë thuhet pas mbylljes së syve të të vdekurit

919 – Ummu Selemeh (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) hyri tek dhoma ku shtrihej trupi i pajetë i Ebu Selemeh, të cilit i ishte ngrirë shikimi. Profeti (a.s) ia mbylli sytë (qepallat). Dhe tha: “Vërtet, kur shpirti del, shqisa e shikimit e ndjek daljen e tij”. Në ato momente disa pjestarë të familjes së Ebu Selemes ia dhanë piskamës. Profeti (a.s) tha: “Në rastet kur ju bie fatkeqësi, lutuni për veten tuaj vetëm për të mira, sepse engjëjt bëjnë amin për atë që ju thoni (luteni)”. Pastaj ai (a.s) u lut me fjalët: “O Zot! Fale Ebu Selemen! Lartësoje atë në shkallë të lartë, në shkallët e atyre që janë udhëzuar! O Zot! Qofsh për ata që ka lënë mbrapa vetes mbrojtës dhe përkrahës. Na fal neve dhe atë o Zot i botëve. Zgjeroja dhe ndriçoja varrin atij!”[19]

Kapitulli: Çfarë thuhet tek i vdekuri dhe çfarë thotë ai të cilit i ka vdekur dikush

920 – Ummu Selemeh (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të vizitoni të sëmurin ose të vdekurin, thoni gjëra të mira, sepse engjëjt bëjnë amin të asaj që ju thoni. Ajo tha: Kur Ebu Selemeh vdiq, shkova te Profeti (a.s) dhe i thashë: O i Dërguar i Allahut, Ebu Selemeh ka vdekur. Ai tha: Thuaj: O Allah, më fal mua dhe atij, dhe le të më pasojë prej tij një pasojë e mirë. Unë e thashë (fjalët që mësoi ai): Atë që më pasoi Allahu prej tij të jetë më i mirë për mua se ai: ishte (se unë u martova) Muhammedi (a.s).”[20] Imam Muslimi e transmeton këtë hadith me fjalët: “Kur të vizitoni të sëmurin apo të vdekurin” me mëdyshje, kurse imam Ebu Daudi e transmeton këtë hadith me fjalët: “Kur të vizitoni të vdekurin” pa mëdyshje.

921 – Ummu Selemeh (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Nuk ka ndonjë rob që e godet ndonjë fatkeqësi, e ai thotë: Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi. O Allah, më shpërble për fatkeqësinë time dhe më jep më të mirë se ajo që humba, veçse Allahu i Lartësuar e shpërblen në fatkeqësinë e tij dhe ia zëvendëson me diçka më të mirë se ajo.” Ajo (Ummu Selemeh) tha: “Kur vdiq Ebu Seleme, unë thashë ashtu siç më urdhëroi i Dërguari i Allahut (a.s). Atëherë Allahu ma zëvendësoi (fatkeqësinë që më ndodhi) me më të mirë se ai: të Dërguarin e Allahut (a.s).”[21]

922 – Ebu Musa (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur i vdes fëmija robit (të Allahut), Allahu i Lartësuar u thotë melekëve të Tij: A ia morët fëmijën robit Tim? Ata thonë: Po. Ai thotë: A ia morët frytin e zemrës së tij? Ata thonë: Po. Ai thotë: Çfarë tha robi Im (në atë çast)? Ata thonë: Ai të lavdëroi Ty dhe tha: Inna lillahi ve inna ilejhi raxhiun (Ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi). Allahu i Lartësuar thotë: Ndërtoni për robin Tim një shtëpi në Xhenet dhe quajeni atë Shtëpia e Lavdërimit.”[22]

923 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: Allahu i Lartësuar ka thënë: “Për robin Tim besimtar nuk ka tek Unë shpërblim tjetër, kur ia marr të dashurin e tij nga njerëzit e dunjasë, e ai bën durim duke shpresuar shpërblimin tek Unë, përveçse Xheneti.”[23]

924 – Usame ibn Zejd ibn Harithe ka thënë: “Një nga vajzat e Pejgamberit (a.s) i dërgoi atij një lajmëtar, duke e ftuar dhe duke e njoftuar se një djalë i saj (ose biri i saj) ishte në prag të vdekjes. I Dërguari i Allahut (a.s) i tha lajmëtarit: “Kthehu tek ajo dhe njoftoje se Allahut të Lartësuar i takon çfarë merr dhe Atij i takon çfarë jep, dhe çdo gjë tek Ai është e caktuar me një afat të përcaktuar. Andaj urdhëroje atë që të bëjë sabër (durim) dhe të shpresojë shpërblimin tek Allahu.”[24] Dhe më pas ai përmendi të gjithë hadithin.

Kapitulli: Lejohet të qash për të vdekurin pa (bërë) vajtim të tepruar dhe pa klithma (të ndaluara)

925 – Ibn Omeri (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahut (a.s) shkoi të vizitonte Sa’d ibn Ubaden (që ishte sëmurë). Së bashku me të shkuan edhe Abdurrahman ibn Aufi, Sa’d ibn Vekasi dhe Abdullah ibn Mes’udi. I Dërguari i Allahut (a.s) filloi të qante. Njerëzit kur panë të Dërguarin e Allahut duke qarë, filluan edhe ata të qajnë. Ai (a.s) tha: “A nuk dëgjoni? Vërtet, Allahu nuk e ndëshkon askënd për pikën e lotit që derdh dhe për zemrën që pikëllohet, por ndëshkon ose mëshiron vetëm për shkak të kësaj”. Ai bëri me shenjë drejt gjuhës së tij.”[25]

926 – Usame ibn Zejdi (r.a) tregon: “Dikush e lajmëroi të Dërguarin e Allahut (a.s) se djali i vajzës së tij ishte në agoni. Profetit (a.s) i rrodhën lot. Sa’di i tha: “Çfarë janë këto lot, o i Dërguar i Allahut”?! Ai (a.s) tha: “Kjo është mëshira! Allahu (xh.sh) e ka vendosur në zemrat e robërve të Tij. Vërtet, Allahu mëshiron prej robërve të Tij, vetëm ata që janë të mëshirshëm.”[26]

927 – Enesi (r.a) tregon: “I Dërguari i Allahu (a.s) hyri tek dhoma ku ishte djali i tij Ibrahimi, i cili po jepte shpirt. Profetit (a.s) iu mbushën sytë me lot. Abdurrahman ibn Aufi i tha: “Edhe ti po qan, o i dërguar i Allahut”?! Ai (a.s) tha:“O bir i Aufit, qarja është mëshirë”. Pastaj ai (a.s) tha:“Vërtet syri loton, zemra pikëllohet, mirëpo ne themi vetëm fjalë me të cilat Allahu kënaqet. Vërtet ne o Ibrahim, jemi të pikëlluar nga ndarja jote.”[27]

Kapitulli: Të përmbajturit (e gjuhës) nga ajo që shihet tek i vdekuri prej gjërave të pakëndshme

928 – Ebu Rafi’, Esleme, shërbëtori i të Dërguarit të Allahut (a.s) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo që e lan një të vdekur dhe e mban të fshetë (çfarë ka parë tek ai), Allahu do ta falë atë dyzet herë.”[28]

Kapitulli: Namazi për të vdekurin, përcjellja e tij dhe pjesëmarrja në varrimin e tij, si dhe e papëlqyeshmja e ndjekjes së xhenazes nga gratë

929 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo që dëshmon (merr pjesë) një xhenaze derisa t’i falet namazi, ai ka një kirat me sevape. Dhe kushdo që dëshmon (merr pjesë) derisa të varroset ka fituar dy karate me sevape. Dikush ka pyetur: Çfarë janë dy kiratet? Ai tha: Si dy male madhështore”[29]

930 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kushdo që e përcjell xhenazen e një myslimani me besim dhe duke shpresuar shpërblimin, dhe qëndron me të derisa të falet namazi i xhenazes dhe të përfundojë varrosja e saj, ai kthehet me dy kirat shpërblim, secili kirat sa mali Uhudit. Ndërsa kushdo që fal xhenazen e tij dhe kthehet para se të varroset, ai kthehet me një kirat shpërblim.”[30]

931 – Ummu Atije (r.a) ka thënë: “Neve (grave) na u ndalua (nga Profeti) që të përcjellim xhenazen, por një gjë e tillë (ndalesa) nuk ishte determinante.”[31]

Kapitulli: Pëlqyeshmëria e shtimit të atyre që falin xhenazen dhe formimi i tri ose më shumë safeve (rreshtave)

932 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk ka të vdekur, xhenazen e të cilit e falin një grup nga myslimanët që arrijnë njëqind, të gjithë duke bërë ndërmjetësim për të, veçse ndërmjetsimi i tyre pranohet.”[32]

933 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut se ka thënë: “Nuk ka njeri mysliman që vdes dhe atij ia falin xhenazen dyzet burra që nuk bëjnë shok Allahut asgjë, përveçse Allahu i lejon ata të ndërmjetësojnë për të.”[33]

934 – Merthid ibn Abdulla el-Jezenij ka thënë: Kur Malik ibn Hubejre (r.a) falte xhenazen (e dikujt) dhe njerëzit mblidheshin rreth tij, ai i ndante ata në tre grupe (rreshta) dhe pastaj thoshte: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kush falet mbi një të vdekur me tri rreshta, e ka obligim hymjen në Xhenet”[34]

Kapitulli: Çfarë lexohet në namazin e xhenazes

935 – Ebu Abdurrahman, Auf ibn Malik ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) fali xhenazen, dhe unë mbajta në mend lutjen e tij ndërsa thoshte: “O Allah fale atë, mëshiroje atë, shpëtoje, fale atë, ndero vendbanimin e tij, zgjeroje varrin e tij, laje atë me ujë, borë dhe akull, pastroje nga mëkatet, ashtu siç ke pastruar rrobën e bardhë nga ndotja, dhe zëvendësoje shtëpinë e tij me një shtëpi më të mirë, familjen e tij me një familje më të mirë, bashkëshortin/bashkëshorten me një të mirë, fute në xhenet dhe mbroje nga dënimi i varrit dhe nga dënimi i zjarrit” saqë mendova që unë të isha ai i vdekuri (për të cilin profeti u lut me këtë lutje).”[35]

936 – Ebu Hurejra (r.a), Ebu Katade (r.a) dhe Ebu Ibrahim El-Eshheli nga babai i tij, i cili është sahabij transmetojnë se Profeti (a.s) ka falur një xhenaze dhe ka thënë (është lutur): “O Allah, mëshiro të gjallët dhe të vdekurit tanë, të vegjëlit dhe të mëdhenjtë tanë, burrat dhe gratë tona, ata që janë pranë dhe ata që mungojnë. O Allah, këto që i jep jetë prej nesh, mbaje atë në Islam dhe këdo që ia merr jetën prej nesh, mere atë me besim. O Allah, mos na privo nga shpërblimi i tij dhe mos na sprovo (duke na bërë që të devijojmë nga rruga e drejtë) pas tij.”[36]

937 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Kur të falni xhenazen, lutuni me sinqeritet për të!”[37]

938 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) kur fali një xhenaze ka thënë (është lutur): “O Allah, Ti je Zoti i saj dhe Ti e ke krijuar atë. Ti e udhëzove në Islam, Ti ia ke marrë shpirtin dhe Ti e di më mirë (se kushdo tjetër) atë që ai e ka fshehur apo që e ka publikuar ai (ajo). Ne erdhëm tek Ti si ndërmjetsues për të, prandaj fale atë.”[38]

939 – Uathilete ibn El-Eshka (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) fali xhenazen si imami ynë) për një burrë nga myslimanët. Unë e dëgjova duke thënë: O Allah, vërtet filan fisteku është në mbrojtjen tënde dhe ndodhet pranë Teje. Mbroje nga sprovat e varrit dhe nga dënimi i xhehenemit. Ti je i denjë për besnikëri dhe falënderim. O Allah, fale dhe mëshiroje atë, sepse Ti je Falësi dhe Mëshiruesi.”[39]

940 – Nga Abdullah ibn Ebu Eufa (r.a) transmetohet se ai ka bërë katër tekbire kur ka falur xhenazen e vajzës së tij. Pas tekbirit të katërt, ai qëndroi aq sa kohëzgjatja midis dy tekbireve duke kërkuar falje dhe duke bërë dua për të. Pastaj tha: “I Dërguari i Allahut ka pasë vepruar kështu.”

Në një transmetim tjetër thuhet: “Ai bëri katër tekbire, qëndroi aq saqë mendova se do të bënte tekbirin e pestë, pastaj dha selam nga e djathta dhe nga e majta. Kur mbaruam namazin i thamë: Çfarë ishte kjo? Ai tha: Unë nuk ju shtoj më shumë sesa ç’kisha parë se bënte i Dërguari i Allahut (a.s) ose kështu ka pasë vepruar i Dërguari i Allahut (a.s)”[40]

Kapitulli: Me e përcjellë xhenazen sa më shpejt për në varr

941 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Përcilleni xhenazen sa më shpejt, sepse nëse ajo ka qenë e mirë (i vdekuri ka qenë njeri i mirë), është një e mirë që po e çoni tek ajo (po ia përshpejtoni të mirën). E nëse ka qenë ndryshe nga kjo, atëherë është një e keqe që po e hiqni nga qafat tuaja.”[41]

Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “është një e mirë që po e çoni atje”

942 – Ebu Said Hudriu (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Sapo xhenazja të vendoset në tabut dhe të jetë mbi shpatullat e njerëzve (burrave), ajo do të flasë. Nëse i vdekuri ka qenë i mirë do të thotë: “Më çoni sa më shpejt, më çoni sa më shpejt”! Nëse i vdekuri nuk ka qenë i mirë do të thotë: “Mjerë unë! Ku po më çoni”. Piskamën e tij (xhenazes të njeriut jo të mirë) e dëgjon çdo gjë, përveç të njeriut. Nëse ai do ta dëgjonte, do t’i binte të fikët.”[42]

Kapitulli: Nxitimi në shlyerjen e borxhit të të vdekurit dhe përgatitja e menjëhershme e tij (për xhenaze), përveçse kur vdes papritur, atëherë lihet derisa të bëhet e sigurt vdekja e tij

943 – Ebu Hurejra (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Shpirti i besimtarit mbahet peng nga borxhi i tij derisa t’i shlyhet.”[43]

944 – Husajn ibn Uahueh (r.a) transmeton se kur Talha ibn El-Bera bin Azib (r.a) u sëmur,i Dërguari i Allahut (a.s) shkoi ta vizitonte. Ai tha: “Unë nuk e shoh Talhën, veçse (më duket se) vdekja ka ndodhur tek ai, prandaj më njoftoni për të (kur të ndodhë) dhe nxitoni me të, sepse nuk është e përshtatshme që kufoma e një myslimani të mbahet (të vonohet varrimi i saj) tek familja e tij.”[44]

Kapitulli: Dhënia e këshillës pranë varrit

945 – Aliu (r.a) ka thënë: “Ne ishim në një xhenaze në Beki el-Garkad kur erdhi i Dërguari i Allahut (a.s). Ai u ul dhe ne u ulëm rreth tij. Ai kishte një shkop (në dorë), përkuli kokën dhe me shkopin filloi të godasë tokën (ose të prekte tokën). Pastaj tha: Nuk ka asnjë nga ju që të mos i jetë shkruar vendi i tij në Zjarr dhe vendi i tij në Xhenet. Ata (të pranishmit) thanë: O i Dërguar i Allahut, a nuk duhet të mbështetemi tek ajo që na është shkruar? Ai tha: Veproni, sepse secili i është mundësuar të veprojë atë për të cilën është krijuar.”[45] Dhe ai e plotësoi hadithin e plotë.

Kapitulli: Lutja për të vdekurin pas varrimit dhe qëndrimi pranë varrit të tij për një kohë për t’u lutur për të, për të kërkuar falje dhe për të lexuar (Kur’an)

946 – Ebu Amri dhe është thënë Ebu Abdullahu, dhe është thënë: Ebu Lejla, Othman ibn Afani (r.a) ka thënë: Kur Profeti (a.s) e ka pasë përfunduar së varrosuri të vdekurin qëndronte mbi të dhe thoshte: “Kërkoni falje për vëllain tuaj dhe lutuni për të që të jetë i qëndrueshëm, se pse ai tashmë po merret në pyetje (llogari)!”[46]

947 – Amër ibn El-Asi (r.a) ka thënë: “Kur të më varrosni qëndroni tek varri im, aq kohë sa duhet për të therur dhe për të ndarë një deve, që të ndjej praninë tuaj dhe të kem mundësi t`iu jap përgjigje të dërguarve (engjëjve) të Zotit tim.”[47]

Kapitulli: Sadakaja që jepet për të vdekurin dhe lutja për të

948 – Aishja (r.a) transmeton se një burrë i tha Profetit (a.s): “Vërtet, nëna ime vdiq papritur dhe unë mendoj se, sikur të kishte folur, do të kishte dhënë sadaka. A ka ajo shpërblim nëse unë jap sadaka për të?”Ai (a.s) tha: “Po.”[48]

949 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kur ndërron jetë njeriu, i ndërpritet shpërblimi i punëve të tij përveç tre gjërave: një Sadaka rrjedhëse (Vakëf), një dituri që ka lënë dhe që përfitohet prej saj dhe një fëmijë i përkushtuar që lutet për të.”[49]

Kapitulli: Kur njerëzit flasin mirë (me lëvdata) për të vdekurin

950 – Enesi (r.a) tregon: “Para shokëve të Profetit (a.s) kaloi një kortezh që mbante një xhenaze dhe njerëzit filluan të flasin mirë për të vdekurin. Profeti (a.s) tha: “E ka hak (Ashtu qoftë)”! Pastaj kaloi një kortezh që mbante një xhenaze dhe njerëzit filluan të flasin keq për të vdekurin. Profeti (a.s) tha: “E ka hak (Ashtu qoftë)”! Omer ibn Hatabi pyeti: “Çfarë ka hak”?! Ai (a.s) tha: “Për të parin folët mirë dhe ai e ka hak të futet në Xhenet. Për të dytin folët keq dhe ai e ka hak të futet në Zjarr. Ju jeni dëshmitarët e Allahut në Tokë.”[50]

951 – Nga Ebu el-Esuedi ka thënë: Erdha në Medinë dhe u ula te Omeri ibn el-Hatabi (r.a). Kaloi një xhenaze dhe u fol mirë për të. Omeri tha: “U bë e detyrueshme (xheneti për të).” Pastaj kaloi një tjetër dhe u fol mirë për të, Omeri tha: “U bë e detyrueshme.” Pastaj kaloi një e tretë dhe u fol keq për të, Omeri tha: “U bë e detyrueshme (zjarri).” Ebu el-Esuedi tha: I thashë: Çfarë u bë e detyrueshme, o prijës i besimtarëve? Ai tha: Unë thashë ashtu siç ka thënë Profeti (a.s): “Cilido myslimani që katër veta dëshmojnë për të me mirësi, Allahu do ta fusë në xhenet.” Ne thamë: Po tre? Tha: “Edhe tre.” Ne thamë: Po dy? Tha: “Edhe dy.” Pastaj nuk e pyetëm më për një.”[51]

Kapitulli: Vlera e atij personi të cilit i vdesin fëmijët e vegjël dhe ai bën durim

952 – Enesi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur një muslimani i vdesin tre fëmijë, që nuk kanë mbushur moshën e pjekurisë, Allahu ka për ta futur atë në Xhenet, për shkak të mirësisë dhe dhembshurisë së Allahut ndaj tyre.”[52]

953 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Nuk ka për ta prekur zjarri i Xhehehemit atë musliman, të cilit i kanë vdekur tre fëmijë, përveç përjetimit të betimit të Allahut (për kalimin mbi urën e Siratit).”[53]

954 – Ebu Said Hudriu (r.a) tregon: “Një grua erdhi tek i Dërguari i Allahut (a.s) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut! Burrat nuk po na lënë kohë të përfitojmë prej teje, prandaj na cakto një ditë vetëm për ne”. Ai (a.s) u tha: “Mblidhuni në filan ditë”! Në ditën e caktuar, ato u mblodhën dhe erdhën tek Profeti (a.s), i cili u mësoi atyre, atë që ia kishte mësuar Allahu. Më pas u tha: “Cilës prej jush i kanë vdekur tre fëmijë, le ta dijë se ata do të jenë pengesë për të nga zjarri i Xhehenemit”. Një grua pyeti: “Po nëse i kanë vdekur vetëm dy fëmijë”? I Dërguari i Allahut (a.s) u përgjigj: “Edhe nëse i kanë vdekur dy fëmijë.”[54]

Kapitulli: Të qarat dhe frika kur kalohet pranë varreve të zullumqarëve dhe vendeve ku kanë rënë ata, shfaqja e nevojës së madhe ndaj Allahut të Lartësuar dhe paralajmërimi kundër neglizhencës për këtë.

955 – Nga Ibn Omeri (r.a ) transmetohet se i Dërguari i Allahut (a.s) u tha shokëve të tij, kur arritën në Hixhr, vendbanimet e Themudit: “Mos hyni te këta që janë dënuar (nga Allahu), veçse duke qarë. E nëse nuk qani, mos hyni tek ata, që të mos ju godasë ajo që i goditi ata.”[55]

Në një transmetim tjetër thuhet: Kur i Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë Hixhrit, tha: “Mos hyni në banesat e atyre që i bënë padrejtësi vetes së tyre, që të mos ju godasë ajo që i goditi ata, përveçse nëse jeni qarë.” Pastaj i Dërguari i Allahut (a.s) e mbuloi kokën e tij dhe filloi të ecte shpejt, derisa kaloi luginën.

Libri: Etikat e udhëtimit

Kapitulli: Pëlqyeshmëria për të dalë në udhëtim ditën e enjte në fillim të ditës

956 – Ka’b ibn Maliku (r.a) transmeton se Profeti (a.s) u nis për në betejën e Tebukut në ditën e enjte, sepse atij i ka pasë pëlqyer të nisej (për udhëtim) ditën e enjte.”[56]

Në një transmetim tjetër thuhet: “Rrallëherë ndodhte që i Dërguari i Allahut (a.s) të nisej (për udhëtim), përveçse ditën e enjte.”

957 – Sahr ibn Ueda’ate Gamidi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) është lutur me fjalët: “Zoti im, jepi bereqet Umetit tim herët në mëngjes”. Ai (a.s) e kishte zakon që kur dërgonte ndonjë patrullë apo ushtri, ta dërgonte në fillim të ditës”. Sahri (transmetuesi i hadithit) ishte tregtar dhe karvanin e tij të tregtisë e dërgonte në fillim të ditës. Pasuria e tij u rrit dhe u shtua shumë.”[57]

Kapitulli: Pëlqyeshmëria e kërkimit të shoqëruesve (në udhëtim) dhe caktimi i njërit prej tyre si udhëheqës, të cilit ata i binden.

958 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse njerëzit do ta dinin atë që unë di për vetminë, nuk do të kishte udhëtar që do të lëvizte natën i vetëm.”[58]

959 – Abdullah ibn Amër ibn Asi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Një kalorës (udhëtar) i vetëm është si një shejtan (i humbur). Dy kalorës (udhëtarë) janë si dy shejtanë (të humbur) dhe tre kalorës, konsiderohen udhëtarë.”[59]

960 – Ebu Seidi (r.a) dhe Ebu Hurerja (r.a) kanë thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse tre persona nisen për udhëtim, atëherë ata duhet të zgjedhin njërin prej tyre si udhëheqës!”[60]

961 – Ibn Abasi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Bashkëshoqërimi më i mirë është kur ata janë katër persona, çeta më e mirë është kur ajo përbëhet nga katërqind persona dhe ushtria më e mirë është kur ajo përbëhet nga katër mijë persona. Ushtria e përbërë nga dymbëdhjetë mijë persona nuk mundet nga një pakicë veçse për shkakun e vetë asaj.”[61]

Kapitulli: Etikat e ecjes, ndalesës dhe fjetjes gjatë udhëtimit; gjumi në udhëtim dhe pëlqyeshmëria e udhëtimit natën; butësia ndaj kafshëve (bartëse) dhe kujdesi për interesin e tyre; urdhërimi që ai që tregohet i pakujdesshëm në të drejtën e tyre të përmbushë të drejtën e tyre; dhe lejimi i hipjes së dy vetave mbi kafshën (bartëse) nëse ajo e përballon këtë

962 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Kur të udhëtoni në një vend që ka gjelbërim, jepuni deveve pjesën e tyre nga toka (lërini të kullotin). E kur të udhëtoni në një vend të shkretë, atëherë shpejtoni në ecjen mbi to dhe nxitoni me to derisa të arrini në vendin e pushimit. Dhe kur të ndaloni për të pushuar natën, shmangni rrugën, sepse ajo është rrugë e kafshëve dhe vendstrehim i zvarranikëve natën.”[62]

963 – Ebu Katade (r.a) ka thënë: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) ishte në udhëtim dhe ndalej për të pushuar natën, shtrihej mbi anën e djathtë. Ndërsa kur ndalej për të pushuar pak para sabahut, e ngrinte parakrahun e tij dhe e vendoste kokën mbi shuplakën e dorës.”[63]

964 – Enesi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Udhëtoni në fillim (ose fund) të natës, sepse gjatë natës, toka (udhëtimi) përshkohet më shpjet.”[64]

965 – Ebu Tha’lebe el-Hushenij (r.a) ka thënë: Njerëzit, kur zbrisnin (për të pushuar) në një vend, shpërndaheshin nëpër lugina dhe përroje. I Dërguari i Allahut (a.s) tha: “Kjo shpërndarje e juaja nëpër këto lugina dhe përroje, në të vërtetë është nga shejtani.” Pas kësaj, ata nuk zbrisnin më në ndonjë vend pa u bashkuar me njëri-tjetrin.”[65]

966 – Sehl ibn Amër (r.a) dhe është thënë Sehl ibn Er – Rebi ibn Amër el-Ensariju, që njihet si Ibn Handhale, i cili është pjesmarrës në “Bej’atur Riduan” ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) kaloi pranë një deveje, kurrizi i së cilës ishte ngjitur me barkun (prej dobësisë dhe urisë), ai (a.s) tha: Kini frikë Allahun në lidhje me këto kafshë që nuk flasin; hipuni kur janë në gjendje të mirë dhe hani prej tyre kur janë në gjendje të mirë.”[66]

967 – Ebu Xha’fer, Abdullah ibn Xha’feri (r.a) ka thënë: Një ditë i Dërguari i Allahut (a.s) më mori pas vete (duke më hipur pas tij), dhe më pëshpëriti një fjalë që nuk ia tregoj askujt prej njerëzve. Dhe gjëja që më së shumti e pëlqente të Dërguarit të Allahut (a.s) për t’u mbuluar kur kishte nevojë (për kryerjen e nevojës) ishte një vend i ngritur (si shënjestër për fshehje) ose një kopsht palmash, d.m.th. një mur i palmave.”[67]

Në këtë transmetim el-Berkaniu me zinxhir transmetimi sipas Muslimit shton: Pas fjalës “një kopsht palmash”, (thuhet): I Dërguari i Allahut (a.s) hyri në një kopsht që i përkiste një burri prej ensarëve. Aty kishte një deve. Kur e pa të Dërguarin e Allahut (a.s), ajo gërhiti dhe iu mbushën sytë me lot. I Dërguari (a.s) iu afrua, ia preku majën e shpinës (pra, gungën) dhe pas veshit, e deveja u qetësua. Pastaj tha:

“Kush është pronari i kësaj deveje? Kujt i përket kjo deve?” Një djalosh prej ensarëve doli dhe tha: “Ajo është e imja, o i Dërguar i Allahut.” I Dërguari (a.s) i tha: A nuk i frikësohesh Allahut për këtë kafshë që Allahu ta ka dhënë në pronësi? Vërtet ajo më është ankuar se ti e lë pa ushqim dhe e lodh tepër.”[68]

968 – Enesi (r.a) ka thënë: “Kur zbrisnim në një vendbanim, nuk falnim namaz vullnetar (ose nuk bënim tesbih) derisa të zbrisnim plaçkat nga devetë.”[69]

Kapitulli: Ndihma që i jepet shokut

969 – Ebu Seid el-Hudri (r.a) ka thënë: “Ndërsa ishim në një udhëtim me Profetin (a.s), erdhi një burrë mbi një deve të tij dhe filloi të shikonte majtas e djathtas (duke kërkuar ndihmë). I Dërguari i Allahut (a.s) tha: Kush ka një mjet të tepërt udhëtimi, le ta japë për atë që nuk ka mjet udhëtimi. Dhe kush ka ushqim të tepërt, le ta japë për atë që nuk ka ushqim. Pastaj ai (a.s) përmendi lloje të ndryshme pasurie (që dikush mund t’i ketë tepricë), derisa ne menduam se askush prej nesh nuk ka të drejtë të mbajë ndonjë gjë të tepërt për vete.”[70]

970 – Xhabiri (r.a) transmeton se kur i Dërguari i Allahut (a.s) vendosi që të nisej në një betejë tha: “O ju muhaxhirë dhe ensarë! Disa prej vëllezërve tuaj nuk kanë pasuri dhe as fis. Prandaj le të bashkojë (të ndajë kafshën e transportit) ndonjëri prej jush dy ose tre burra! Por askush prej nesh nuk kishte një kafshë të vetme për të udhëtuar mbi të, përveç një akabe, si akaba e secilit prej tyre (pra i hipnin kafshëve me rradhë). Unë mora (mbajta) dy ose tre burra, sepse në devenë time nuk kishte rradhitje në hipje.”[71]

971 – Xhabiri (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut kur udhëtonte qëndronte prapa, e orientonte (shtynte) të dobëtin përpara, e merrte pas vetes (në kafshë) dhe lutej për të.”[72]

Kapitulli: Çfarë duhet me thënë kur hipën në kafshën e udhëtimit

972 – Ibn Omeri (r.a) tregon: “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) hipte në kafshë dhe nisej për udhëtim, bënte tekbir tre herë (duke thënë Allahu Ekber) dhe pastaj thoshte:“Lavdi i takon Atij që na e bëri të mundur të udhëtojmë me këtë mjet, pa të cilin vetë nuk do të kishim mundësi dhe ne tek Zoti ynë do të kthehemi. O Allah! Të lutem që në këtë udhëtim të më mundësosh mirësinë, përkushtimin dhe vetëm ato vepra që të kënaqin Ty. O Allah! Na e bëj të lehtë këtë udhëtim dhe na e afro distancën (që të mos e ndjejmë largësinë e saj). O Allah! Ti je shoqëruesi (Mbrojtësi) Ynë në udhëtim dhe zëvendësuesi (Ruajtësi) Ynë në familjet tona. O Allah! Na mbro nga mundimet e udhëtimit, nga pezmatimi nëse shohim atë që nuk duhet dhe nga gjërat e këqija që mund të ndodhin gjatë udhëtimit, apo kur kthehemi në shtëpi, qofshin këto gjëra pezmatuese (pikëlluese) në pasuri, familje dhe fëmijë.” Kur kthehej nga udhëtimi, ai (a.s) thoshte lutjen e mësipërme, por në fund të saj shtonte:“U kthyem të përulur, të penduar, adhurues dhe ndaj Zotit tonë falënderues.”[73]

973 – Abdullah ibn Sirxhisi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) kur udhëtonte kërkonte mbrojtje nga vështirësitë dhe lodhjet e udhëtimit, nga ndryshimi i keq, nga kthimi në mosbesim nga lutja e atij që i është bërë padrejtësi dhe nga pamja e shëmtuar në familje dhe pasuri.”[74]

974 – Ali ibn Rebiah ka thënë: Kam qenë prezent kur Ali ibn Ebi Talibit (r.a) I sollën një kafshë për të hipur mbi të. Kur ai vendosi këmbën në këmbëz (për të hipur), tha: “Me emrin e Allahut.” Kur u vendos mbi shpinën e saj, tha: “Falënderimi i takon Allahut, i Cili na e nënshtroi këtë, ndryshe nuk do të kishim mundur ta nënshtronim vetë, dhe ne me siguri te Zoti ynë do të kthehemi.” Pastaj tha: “Falënderimi i qoftë Allahut” tri herë. Më pas tha: “Allahu është më i Madhi” tri herë. Mandej tha: “I Lartësuar je Ti! Vërtet, unë i kam bërë padrejtësi vetes, prandaj më fal, sepse askush tjetër veç Teje nuk i fal mëkatet.” Pastaj ai qeshi. I thanë: O Prijës i besimtarëve, për çfarë qeshe?” Tha: “E pashë Profetin (a.s) që bëri ashtu siç bëra unë, pastaj qeshi. Unë i thashë: O i Dërguar i Allahut, për çfarë qeshe? Ai tha: ‘Vërtet, Zoti yt i Lartësuar çuditet me robin e Tij kur ai thotë: “O Zot, më fal mëkatet e mia,” duke e ditur se askush tjetër përveç Meje nuk i fal mëkatet.”[75]

Kapitulli: Thënia e tekbirit nga udhëtari kur ngjitet në kodrina dhe vende të ngjashme, dhe thënia e tesbihut kur zbret në lugina dhe vende të ngjashme, si dhe ndalimi i teprimit në ngritjen e zërit me tekbir dhe ngjashëm me të

975 – Xhabiri (r.a) ka thënë: “Kur (udhëtonim) ngjiteshim lart (në tatëpjeta) bënim tekbir (Allahu Ekber) dhe kur zbritnim për poshtë bënim tesbih (Subhanallah)”[76]

976 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “Sa herë që Profeti (a.s) dhe ushtritë e tij ecnin nëpër monopate, kur ngjiteshin bënin tekbir dhe sa herë që zbrisnin bënin tesbih.”[77]

977 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: “Profeti (a.s) sa herë që kthehej nga haxhi ose umra, sa herë që ngjitej mbi ndonjë shpat ose kodrinë, madhëronte Allahun duke thënë tekbirin tri herë, pastaj thoshte: ”Nuk ka zot tjetër përveç Allahut, i Vetmi, që nuk ka shok. Atij i takon sundimi dhe Atij i takon lavdërimi, dhe Ai është i Fuqishëm mbi çdo gjë. Jemi rikthyer, të penduar, adhurues, të përulur në sexhde, falënderues ndaj Zotit tonë. Allahu e vërtetoi premtimin e Tij, e ndihmoi robin e Tij dhe i mposhti aleancat vetëm Ai.”[78]

Në transmetimin e imam Muslimit thuhet: “Kur ai (a.s) kthehej nga ushtritë (betejat), ekspeditat, haxhi apo umra.”

978 – Ebu Hurejra transmeton se një burrë tha: O i Dërguar i Allahut, dua të udhëtoj, prandaj më këshillo! Ai (a.s) tha: “Ji i devotshëm ndaj Allahut dhe madhëroje Allahun me tekbir sa herë që të ecësh në një vend të lartë! Kur burri u largua, ai (a.s) u lut duke thënë: “O Zot, shkurtoja atij distancën dhe lehtësoja atij udhëtimin.”[79]

979 – Ebu Musa El-Esh’ari (r.a) ka thënë: “Ne ishim me Profetin (a.s) në udhëtim, sa herë që kalonim në një luginë e madhëronim Allahun me fjalët (La ilahe il lallah) dhe (Allahu Ekber) dhe zërat tona u ngritën fort. Profeti (a.s) tha: O ju njerëz, më avash, sepse ju nuk po i drejtoheni me lutje dikujt që është i shurdhët dhe që mungon. Ai është me ju dhe është Dëgjuesi që është pranë.”[80]

Kapitulli: Pëlqimi i bërjes së lutjes gjatë udhëtimit

980 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Nuk ka dyshim se Allahu i përgjigjet tre lutjeve: lutjes së atij që i është bërë padrejtësi, lutjes së udhëtarit dhe lutjes së prindit për fëmijën e tij.”[81]

Kapitulli: Lutja që thuhet kur njeriu ka frikë nga disa njerëz apo të tjerë

981 – Ebu Musa el – Esh’arij (r.a) transmeton se kur i Dërguari i Allahut (a.s) kishte frikë një popul (grup njerëzish) lutej duke thënë: “O Zoti im, Ne të vendosim Ty në qafat e tyre (për t’i mposhtur) dhe kërkojmë strehim tek Ti prej të këqijave të tyre.”[82]

Kapitulli: Çfarë duhet të thotë ai që fushon në një vend

982 – Havletu bintu Hakim (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush fushon në një vend dhe thotë: “Mbrohem me fjalët më të përsoura të Allahut nga e keqja që ka krijuar”, atë nuk ka për ta dëmtuar asgjë derisa ta lërë atë vend.”[83]

983 – Ibn Omeri (r.a) ka thënë: Kur i Dërguari i Allahut (a.s) udhëtonte dhe nata po afrohej, lutej duke thënë: “O tokë, Zoti im dhe Zoti yt është Allahu. Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga e keqja jote, nga e keqja e asaj që është në ty, nga e keqja e asaj që është krijuar në ty dhe nga e keqja e asaj që lëviz mbi ty. Dhe kërkoj mbrojtje tek Allahu nga e keqja e luanit, mamba e zezë, nga gjarpri dhe akrepi, nga banorët (njerëzit dhe xhindet) e këtij vendi dhe nga (çdo) baba dhe ajo që lind (pasardhësit e tij).”[84]

Kapitulli: Pëlqimi që udhëtari të kthehet shpejt te familja e tij kur ta ketë kryer nevojën (për të cilën ka udhëtuar)

984 – Ebu Hurejra (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) se ka thënë:“Udhëtimi është lloj torture, sepse ai të privon nga ngrënia, pirja dhe fjetja. Kur dikush prej jush e përmbush misionin e udhëtimit, atëherë le të kthehet sa më shpejt tek familja e tij.”[85]

Kapitulli: Pëlqimi (që udhëtari) të kthehet te familja ditën dhe qortimi i kthimit natën, përveçse kur ka ndonjë nevojë

985 – Xhabiri (r.a) transmeton se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nëse ndodh që ndonjëri prej jush ka një kohë të gjatë që nuk ka shkuar tek shtëpia e tij, atëherë le të mos shkojë te familja natën.”

Në një transmetim tjetër transmetohet se i Dërguari i Allahut e bëri të ndaluar për dikënd që të trokasë (të shkojë) natën tek familja e tij.”[86]

986 – Enesi (r.a) ka thënë: “I Dërguari i Allahut (a.s) nuk shkonte natën vonë tek familja e tij, por shkonte gjatë drekës ose në mbrëmje.”[87]

Kapitulli: Çfarë duhet të thotë udhëtari kur kthehet (nga udhëtimi) dhe kur e sheh vendin e tij (qytetin e tij)

987 – Enesi (r.a) ka thënë: “U kthyem (nga udhëtimi) së bashku me Profetin (a.s), dhe kur arrtiëm pranë Medinës, ai tha: “Po kthehemi të penduar, adhurues dhe falenderues ndaj Zotit tonë.”[88]

Kapitulli: Është e pëlqyer që personi i cili vjen nga udhëtimi të fillojë me xhaminë që është pranë tij dhe të falë aty dy rekate

988 – Ka’b ibn Maliku (r.a) transmeton se “Kur i Dërguari i Allahut (a.s) kthehej nga udhëtimi, në fillim hynte në xhami dhe falte dy rekate.”[89]

Kapitulli: Është e ndaluar që gruaja të udhëtojë vetëm

989 – Ebu Hurejra (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Nuk i lejohet një gruaje që beson Allahut dhe Ditën e Fundit të udhëtojë (vetëm) një ditë dhe natë përveçse nëse atë e shoqëron një mahrem.”[90]

990 – Ibn Abasi (r.a) ka dëgjuar Profetin (a.s) se ka thënë: “Asnjë burrë (i huaj) të mos qëndrojë (vetëm) me një grua përveçse bashkë me të të jetë edhe një mahrem. Dhe po ashtu gruaja nuk duhet të udhëtojë vetëm përveçse nëse atë e shoqëron një mahrem. Një burrë tha: O i Dërguar i Allahut, gruaja ime ka dalë për kryer haxhin, kurse mua më është regjistruar emri që të marrë pjesë në filan betejë? Ai (a.s): Shko dhe bëje haxhin bashkë me gruan tënde!”[91]

Libri i vlerave

Kapitulli: Vlera e leximit të Kuranit

991 – Ebu Umamete (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Lexojeni Kuranin, sepse ai në Ditën e Kiametit do të vijë si ndërmjetsues për lexuesin e tij!”[92]

992 – Neuas ibn Sem’ani (r.a) ka thënë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut (a.s) se ka thënë: “Në Ditën e Kiametit do të sillet Kurani dhe njerëzit e tij, të cilët vepronin sipas tij në Dynja. Para tij do të dalin sure Bekare dhe sure Ali Imran, të cilët do t’i dalin në mbrojtje lexuesit të tij.”[93]

993 – Othman ibn Afani (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Më i miri ndër ju është ai e cili e mëson Kuranin dhe ia mëson atë të tjerëve.”[94]

994 – Aishja (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Ai që e lexon Kuranin dhe është i aftë (në leximin e tij), do të jetë me engjëjt fisnikë e të mirësjellshëm. Ndërsa ai që e lexon Kuranin dhe belbëzon në të, duke e pasur të vështirë, për të ka dy shpërblime.”[95]

995 – Ebu Musa El-Esh’ari (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Shembulli i besimtarit që e lexon Kuranin është si qitroja: era e tij është e këndshme dhe shija e tij është e ëmbël. Ndërsa shembulli i besimtarit që nuk e lexon Kuranin është si hurma: nuk ka erë, por shija e saj është e ëmbël. Shembulli i hipokritit që e lexon Kuranin është si bima e borzilokut: era e saj është e këndshme, por shija e saj është e hidhur. Dhe shembulli i hipokritit që nuk e lexon Kuranin është si kungull i egër: nuk ka erë dhe shija e tij është e hidhur.”[96]

996 – Omer Ibn Hatabi (r.a) transmeton se Profeti (a.s) ka thënë: “Vërtet, nëpërmjet këtij Libri (Kuranin) Allahu ka lartësuar popuj dhe ka ulur (poshtëruar) popuj.”[97]

997 – Ibn Omeri (r.a) tregon se Profeti (a.s) ka thënë: “Zilia lejohet vetëm ndaj dy personave; ndaj një personi, të cilit Allahu i ka dhuruar Kuranin dhe ai e lexon atë natën dhe ditën; ndaj një personi, të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon atë (për hir të Allahut) natën dhe ditën.”[98]

998 – Bera ibn Azib (r.a) ka thënë: “Një burrë ishte duke lexuar suren Kehf dhe pranë tij kishte një kalë të lidhur me dy litarë. Papritur e mbuloi një re që filloi të afrohej, ndërsa kali nisi të trembej prej saj. Kur erdhi mëngjesi, ai shkoi te Profeti (a.s) dhe ia tregoi këtë ngjarje. Profeti (a.s) tha: Ajo ishte qetësia (rahmeti, prania e engjëjve) që zbriti për shkak të Kuranit.”[99]

999 – Ibn Mes’udi (r.a) tregon se i Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë:“Kush lexon një shkronjë nga Libri i Allahut, i shkruhet një e mirë (sevap), ndërsa e mira shpërblehet dhjetëfish. Nuk them që “Elif lam mim” është një shkronjë, por elifi është një shkronjë, lami është një shkronjë dhe mimi është një shkronjë.”[100]

1000 – Ibn Abasi (r.a) ka thënë: I Dërguari i Allahut (a.s) ka thënë: “Vërtet, ai që nuk mbart gjë në kraharorin e tij diç prej Kuranit është si një shtëpi e rrënuar.”[101]

Përktheu: Elton Harxhi

[1] – Buhariu (5745) dhe Muslimi (2194).

[2] – Buhariu (5743) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (2191).

[3] – Buhariu (5742).

[4] – Muslimi (1628).

[5] – Muslimi (2202).

[6] – Ebu Daudi (3106) dhe Tirmidhiu (2083). Hadithi është Sahih.

[7] – Buhariu (5656).

[8] – Muslimi (2186).

[9] – Tirmidhiu (3430), Ibn Maxheh (3794), Ibn Hibani (2325) dhe të tjerë. Hadithi është Hasen.

[10] – Buhariu (4447).

[11] – Buhariu (5674) dhe Muslimi (2444).

[12] – Tirmidhiu (978). Hadithi është Daif.

[13] – Muslimi (1696).

[14] – Buhariu (5660) dhe Muslimi (2571).

[15] – Buhariu (1295) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (1628).

[16] – Buhariu

[17] – Hakimi (1/351). Hadithi është Sahih.

[18] – Muslimi (916).

[19] – Muslimi (920).

[20] – Muslimi (919) dhe Ebu Daudi (3115).

[21] – Muslimi (918).

[22] – Tirmidhiu (1021). Hadithi është Hasen Li Gajrihi.

[23] – Buhariu (6424).

[24] – Buhariu (1284) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (923).

[25] – Buhariu (1304) dhe Muslimi (924).

[26] – Buhariu (1284) dhe Muslimi (923).

[27] – Buhariu (1303) dhe Muslimi (2315).

[28] – Hakimi (1/505). Hadithi është “Sahih” sipas kushteve të Muslimit.

[29] – Buhariu (1325) dhe Muslimi (945) me pak ndryshim.

[30] – Buhariu (47).

[31] – Buhariu (1278) dhe Muslimi (938)

[32] – Muslimi (947).

[33] – Muslimi (948).

[34] – Ebu Daudi (3166) dhe Tirmidhiu (1028). Hadithi është Hasen Li Gajrihi.

[35] – Muslimi (963).

[36] – Tirmidhiu (1024) e transmeton këtë hadith prej Ebu Hurejres dhe El-Eshhelijut. Ebu Daudi (3201) e ka transmetuar prej Ebu Hurejres dhe Ebu Katades. Tirmidhiu ka thënë: Buhariu ka thënë: Transmetimi më i saktë i këtij hadithi është ai i El-Eshhelijut. Buhariu ka thënë: Transmetimi më i saktë në këtë temë (kapitull) është ai i Auf ibn Malikut.

[37] – Ebu Daudi (3199). Hadithi është Hasen.

[38] – Ebu Daudi (3200). Hadithi është Hasen Li Gajrihi.

[39] – Ebu Daudi (3202). Hadithi është Sahih.

[40] – Hakimi (1/360). Hadithi është Sahih.

[41] – Buhariu (1315) dhe Muslimi (944).

[42] – Buhariu (1316).

[43] – Tirmidhiu (1078). Hadithi është Hasen.

[44] – Ebu Daudi (3159). Hadithi është Daif.

[45] – Buhariu (4948) dhe Muslimi (2647).

[46] – Ebu Daudi (3221). Hadithi është Sahih.

[47] – Muslimi (121).

[48] Buhariu (1388) dhe Muslimi (1004).

[49] – Muslimi (1631)

[50] – Buhariu (1367) me tekstin në fjalë dhe Muslimi (949).

[51] – Buhariu (1368).

[52] – Buhariu (1381). Autori thotë se këtë hadith e ka transmetuar edhe imam Muslimi, por në të vërtetë ai nuk e ka transmetuar këtë hadith. Sh.p.k.

[53] – Buhariu (6656) dhe Muslimi (2632).

[54] – Buhariu (101) dhe Muslimi (2633).

[55] – Buhariu (4420) dhe Muslimi (2980) me pak dallim.

[56] – Buhariu (2950). Imam Neueuiju ka thënë se këtë hadith e ka transmetuar edhe imam Muslimi, por e vërteta qëndron se imam Muslimi nuk e ka transmetuar këtë hadith.

[57] – Tirmidhiu (1212). Hadithi është Hasen.

[58] – Buhariu (2998).

[59] – Tirmidhiu (1674). Hadithi është Hasen.

[60] – Ebu Daudi (2608). Hadithi është Hasen.

[61] – Ebu Daudi (2611) dhe Tirmidhiu (1555). Hadithi është Sahih.

[62] – Muslimi (1926).

[63] – Muslimi (863).

[64] – Ebu Daudi (2751). Hadithi është Sahih për shkak të dëshmive përforcuese.

[65] – Ebu Daudi (2628). Hadithi është Sahih.

[66] – Ebu Daudi (2548). Hadithi është Sahih.

[67] – Muslimi (342) me version të shkurtuar.

[68] – Ebu Daudi (2549). Kjo shtesë është Sahih.

[69] – Ebu Daudi (2551). Hadithi është Sahih.

[70] – Muslimi (1728).

[71] – Ebu Daudi (2534). Hadithi ëshë Sahih.

[72] – Ebu Daudi (2639). Hadithi është Sahih.

[73] – Muslimi (1342).

[74] – Muslimi (1343).

[75] – Ebu Daudi (2602) dhe Tirmidhiu (3446). Hadithi është Hasen.

[76] – Buhariu (2993).

[77] – Ebu Daudi (2599). Hadithi është Sahih Li gajrihi.

[78] – Buhariu (2995) dhe Muslimi (1344).

[79] – Tirmidhiu (3445). Hadithi është Hasen.

[80] – Buhariu (4205) dhe Muslimi (2704) me pak ndryshim.

[81] – Ebu Daudi (1536) dhe Tirmidhiu (1905).

[82] – Ebu Daudi (1537). Hadithi është Sahih.

[83] – Muslimi (2708).

[84] – Ebu Daudi (2603). Hadithi është Daif.

[85] – Buhariu (3001) dhe Muslimi (1927).

[86] – Buhariu (5244) dhe Muslimi (715) me pak ndryshim.

[87] – Buhariu (5243) dhe Muslimi (1927).

[88] – Muslimi (1345).

[89] – Buhariu (4418) dhe Muslimi (2769).

[90] – Buhariu (1088) dhe Muslimi (1339).

[91] – Buhariu (1862) dhe Muslimi (1341) me pak ndryshim.

[92] – Muslimi (804).

[93] – Muslimi (805).

[94] – Buhariu (5027).

[95] – Buhariu (4937) dhe Muslimi (798).

[96] – Buhariu (5427) dhe Muslim (797).

[97] – Muslimi (817).

[98] – Buhariu (7529) dhe Muslimi (815).

[99] – Buhariu (5011) dhe Muslimi (795).

[100] – Tirmidhiu (2910). Hadithi është Sahih.

[101] – Tirmidhiu (2913). Hadithi është Hasen Sahih.

Exit mobile version