Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rikthehet turneu i futbollit në plazh në Gaza, u pezullua për shkak...

Rikthehet turneu i futbollit në plazh në Gaza, u pezullua për shkak të sulmeve izraelite

Rifillimi i futbollit në plazh në Rripin e Gazës, i cili nuk ishte luajtur prej tre vitesh për shkak të sulmeve të rënda izraelite, po u rikthen futbollistëve shpresën dhe dëshirën për jetë mes rrënimeve, raporton Anadolu.

Në turne marrin pjesë 12 ekipe dhe ai do të zgjasë dy javë. Zyrtarët e Federatës Palestineze të Futbollit theksojnë se organizimi synon rigjallërimin e aktiviteteve sportive dhe rikthimin e shpresës te popullata.

Hapja e “Turneut të 7-të të Futbollit në Plazh” në Gaza u organizua nga Federata Palestineze e Futbollit nën patronazhin e Shoqatës për Zhvillim Shoqëror “E Ardhmja e Palestinës”. Gjatë ceremonisë u interpretuan himne dhe u zhvilluan shfaqje tradicionale.

Pas ceremonisë së hapjes u zhvillua ndeshja mes ekipeve “Gaza Sport” dhe “Shati Services”, e cila përfundoi me fitoren 5-2 të Shati Services.

Në turneun, i cili rifilloi pas tre vitesh ndërprerje dhe do të zgjasë dy javë, marrin pjesë 12 ekipe.

Përpjekje për rigjallërimin e aktiviteteve sportive

Sekretari i Përgjithshëm përgjegjës për Çështjet e Medias në Federatën Palestineze të Sportit, Mustafa Siyam, tha për Anadolu se “turneu organizohet në kuadër të planit të Federatës Palestineze të Futbollit për rigjallërimin gradual të aktiviteteve sportive në Gaza”.

Siyam tha se sulmet izraelite kanë shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën sportive.

“Shumë stadiume dhe objekte sportive janë shkatërruar, ndërsa më shumë se një mijë persona nga komuniteti sportiv, përfshirë sportistë, trajnerë dhe gjyqtarë, kanë humbur jetën”, tha ai.

Lidhur me synimet e tyre, pavarësisht shkatërrimeve në Gaza, Siyam u shpreh: “Po përpiqemi të organizojmë turne për t’i dhënë komunitetit sportiv dhe sportdashësve një mesazh jete dhe shprese. Duam t’i tregojmë botës se një popull që është përballur me gjenocid mund të ngrihet sërish mes rrënojave dhe shkatërrimit dhe të luajë futboll si çdo popull tjetër”.

Zyrtari palestinez tha se pjesëmarrja e 12 ekipeve në turne pasqyron vendosmërinë e tyre për të rifilluar aktivitetet, pavarësisht mundësive të kufizuara dhe dëmeve të mëdha që kanë pësuar klubet.

Siyam kujtoi se infrastruktura sportive në Gaza ka pësuar dëme të rënda nga sulmet izraelite që nga tetori i vitit 2023 dhe se shumë objekte sportive janë bërë të papërdorshme.

“Mesazhi ynë është dashuria dhe paqja”

Trajneri i klubit Gaza Sport, Muhammed Mihna, tha se rifillimi i turneut ka një domethënie shumë më të madhe sesa konkurrenca në fushë.

Mihna tha se rikthimi i aktiviteteve sportive pas një ndërprerjeje të gjatë përcjell “një mesazh dashurie dhe paqeje”.

“Ne jemi një popull që meriton të jetojë. Duam të jetojmë si popujt e tjerë të botës. Sporti i bashkon njerëzit, nuk i ndan ata”, tha ai.

Ai shprehu dëshirën që të organizohen më shumë aktivitete sportive, të mbështeten klubet dhe t’u kushtohet më shumë rëndësi kategorive të reja, duke theksuar se ndërprerja e aktiviteteve sportive për shkak të sulmeve i ka shkaktuar dëme të mëdha komunitetit sportiv dhe ka shkatërruar në masë të madhe objektet dhe fushat sportive.

Lojtari i klubit Shati Services, Ahmed Affane, tha se rifillimi i aktiviteteve sportive është një burim i madh motivimi për ta.

“Pavarësisht bombardimeve dhe shkatërrimit që kemi përjetuar, ne po përpiqemi ta rindërtojmë jetën në Gaza. Edhe me mundësi të kufizuara, falë vullnetit tonë mund të krijojmë diçka nga asgjëja”, tha ai.

Tifozët u rikthyen në tribuna

Shumë tifozë të mbledhur rreth fushës në bregdetin e Mesdheut ndoqën ndeshjen hapëse të turneut, i cili u organizua sërish pas disa vitesh.

Njëri prej tifozëve, Ala Hamuda, tha se sportdashësit kishin pritur prej kohësh rikthimin e turneve.

“Erdha nga një vend shumë i largët për ta ndjekur ndeshjen. Jam shumë i lumtur që turneu ka rifilluar”, tha ai.

Hamuda theksoi se sporti luan një rol të rëndësishëm në lehtësimin e traumave psikologjike që kanë përjetuar njerëzit në Gaza dhe shprehu shpresën që aktivitetet sportive të rifillojnë në shkallë më të gjerë dhe tifozët të mund të rikthehen sërish në tribuna.

Hapi i parë për rigjallërimin e aktiviteteve sportive në Gaza ishte organizimi i një turneu të futbollit në sallë në fillim të muajit mars. Turneu u zhvillua vetëm në tre fusha që kishin mbetur funksionale pas sulmeve izraelite.

Sipas të dhënave të Federatës Palestineze të Futbollit, që nga fillimi i sulmeve izraelite ndaj Gazës kanë humbur jetën 1.012 sportistë, ndërsa janë shkatërruar 285 objekte dhe fusha sportive. Përpjekjet për rigjallërimin e aktiviteteve sportive vazhdojnë të përballen me vështirësi të mëdha për shkak të humbjeve të rënda në infrastrukturë dhe burime njerëzore.

Exit mobile version