Besimi në Xhenet dhe Xhehenem, si dhe në atë që Allahu i Madhëruar ka përgatitur për banorët e Xhenetit prej begative, të cilave nuk u gjendet asnjë shembull e as ngjashmëri në këtë botë, dhe në atë që ka përgatitur për banorët e Zjarrit prej dënimit që nuk mund ta përfytyrojë asnjë njeri, bën pjesë në besimin në Ditën e Fundit, i cili është një prej bazave dhe shtyllave të besimit.
Besimi në Xhenet dhe Xhehenem është degë e besimit në Profetin (a.s). Nëse besojmë se Muhamedi (a.s) është i Dërguari i Allahut, atëherë ne e besojmë si të vërtetë gjithçka që ai na ka sjellë nga Allahu: lajmet, urdhrat dhe ndalesat. Ndër ato për të cilat ai na ka njoftuar dhe na ka folur janë edhe Xheneti dhe Xhehenemi, çfarë begatish apo dënimesh gjenden në to, si dhe gjendjet e banorëve të secilës prej tyre.
Allahu i Lartësuar ka thënë për Profetin e Tij: “Ai nuk flet sipas dëshirës së vet. Ajo që ai thotë nuk është tjetër veçse shpallje që i shpallet.”[1] (En-Nexhm, 3-4) Imam Sa’di ka thënë: “Kjo do të thotë se fjalët e tij nuk burojnë nga dëshirat e vetvetes… Ky ajet tregon se Suneti është shpallje nga Allahu për të Dërguarin e Tij (a.s) , ashtu siç ka thënë Allahu: “Allhu të ka shpallur Librin dhe Urtësinë”[2] Po ashtu, tregon se ai është i mbrojtur nga gabimi në atë që përcjell nga Allahu dhe nga ligji i Tij, sepse fjala e tij nuk buron nga pasioni, por nga shpallja që i shpallet.”
Engjëjt janë një prej krijesave të Allahut të Lartësuar. Allahu i krijoi ata prej drite. Ata janë robër të nderuar, të përsosur në krijim dhe në moral, të drejtë në cilësi dhe në vepra. Allahu i Madhëruar ka thënë për ta: “Ata nuk e kundërshtojnë Allahun në atë që i urdhëron dhe veprojnë gjithçka që u urdhërohet.”[3]
Engjëjt, sipas detyrave për të cilat Allahu i ka përgatitur dhe i ka ngarkuar, ndahen në kategori të ndryshme. Në Kuran dhe Sunet janë përmendur emrat e disa prej tyre dhe detyrat që u janë besuar. Ndër ta janë:
Xhibrili, i ngarkuar me shpalljen nga Allahu tek të dërguarit e Tij, paqja qoftë mbi ta;
Engjëjt e ngarkuar me shiun dhe rregullimin e tij;
Israfili, i ngarkuar me fryrjen në Sur;
Engjëlli i Vdekjes dhe ndihmësit e tij, të ngarkuar me marrjen e shpirtrave;
Engjëjt që ruajnë njeriun në gjumë e në zgjim dhe në të gjitha gjendjet e tij; këta janë el-Muakkibat;
Engjëjt e ngarkuar me shkrimin e veprave të njerëzve, qofshin të mira apo të këqija; ata janë Kiramen Katibin, që qëndrojnë në të djathtë dhe në të majtë;
si dhe engjëjt e ngarkuar me sprovën e varrit, të cilët janë Munkeri dhe Nekiri.
Po ashtu, prej engjëjve janë edhe rojet e Xhenetit dhe rojet e Zjarrit.
Allahu i Lartësuar ka thënë “Ata që i frikësoheshin Zotit të tyre do të çohen në grupe drejt Xhenetit. Kur të arrijnë tek ai dhe t’i hapen dyert e tij, rojet e tij do t’u thonë: “Paqja qoftë mbi ju! Ju ishit të mirë, andaj hyni në të për të qëndruar përgjithmonë.”[4]
Ndërsa për banorët e Xhehenemit Allahu ka thënë:“Ata që mohuan do të çohen në grupe drejt Xhehenemit. Kur të arrijnë tek ai dhe t’i hapen dyert e tij, rojet e tij do t’u thonë: “A nuk ju erdhën të dërguar nga mesi juaj, të cilët ju lexonin ajetet e Zotit tuaj dhe ju paralajmëronin për takimin me këtë ditë?”[5]
Prandaj, Xheneti ka roje prej engjëjve dhe Xhehenemi ka roje prej engjëjve.
Rojet e Xhenetit
Ibn Kajjimi ka thënë: “El-khazeneh – rojet” është shumësi i fjalës “khazin – rojtar, kujdestar”, ashtu siç thuhet hafedhah dhe hafidh. Ai është personi i besuar për ruajtjen e asaj që i është lënë në përgjegjësi.”
1 – Rojet e Xhenetit i përshëndesin besimtarët me paqe
Allahu i Lartësuar ka thënë: “Ata që i janë frikësuar Zotit të tyre do të çohen në grupe drejt Xhenetit. Kur të arrijnë tek ai dhe t’u hapen dyert e tij, rojet e tij do t’u thonë: “Paqja qoftë mbi ju! Keni qenë të mirë, prandaj hyni në të për të qëndruar përgjithmonë.”[6]
Imam Ibn Kethiri ka thënë: “Hapja e dyerve për ta ishte një nderim dhe madhërim. Engjëjt rojtarë i prisnin me përgëzim, paqe dhe lavdërim, ndryshe nga zebanitë (rojet e Xhehenemit), të cilët i presin mohuesit me qortim dhe dënim.”
Imam Sa’di ka thënë: “Fjala: “Ata që i janë frikësuar Zotit të tyre” nënkupton ata që e kanë njehsuar Allahun dhe i janë bindur Atij. Ata do të çohen drejt Xhenetit me nderim dhe madhështi, të gëzuar e të përgëzuar, secili grup me ata që u ngjajnë në vepra. Kur të arrijnë në ato oborre të gjera dhe banesa madhështore, të ndiejnë aromën dhe freskinë e tyre, e t’u afrohet koha e përjetësisë dhe e begative, dyert e Xhenetit do t’u hapen si nderim për krijesat fisnike. Rojet e tij do t’u thonë, duke i uruar dhe mirëpritur: “Paqja qoftë mbi ju!”, domethënë: paqe nga çdo e keqe dhe çdo fatkeqësi. Këto ajete tregojnë se Xheneti dhe Zjarri kanë dyer që hapen dhe mbyllen, se secili prej tyre ka roje, dhe se ato janë dy vendbanime të posaçme, ku hyn vetëm ai që e meriton.”
2 – Engjëjt hyjnë tek banorët e Xhenetit nga çdo derë
Allahu i Lartësuar ka thënë:“Kopshtet e Adnit, në të cilat do të hyjnë ata dhe kushdo prej etërve, bashkëshorteve dhe pasardhësve të tyre që kanë qenë të mirë. Ndërsa engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë.”[7]
Imam Sa’di ka thënë: “Engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë, duke i përgëzuar për shpëtimin dhe nderimin që Allahu u ka dhënë, e do t’u thonë: “Paqja qoftë mbi ju!”. Kjo do të thotë se mbi ta ka zbritur siguria dhe përshëndetja nga Allahu. Në këtë përfshihet largimi i çdo të keqeje dhe arritja e çdo të mire të dëshiruar. “Për shkak të durimit tuaj”, domethënë se durimi juaj është ai që ju çoi në këto shkallë të larta dhe në këto kopshte të çmuara. Sa i bukur është përfundimi i kësaj shtëpie!”
3 – Rojet e çdo dere të Xhenetit thërrasin bamirësit
Nga Ebu Hurejra (r.a) përcillet se Profeti (a.s) ka thënë: “Kush jep dyfish në rrugën e Allahut, do të thirret nga rojet e Xhenetit. Çdo rojtar i një dere do të thotë: “O filan, eja!” Ebu Bekri tha: “O i Dërguari i Allahut, ai që thirret kështu nuk do të pësojë humbje.” Profeti (a.s) tha: “Shpresoj që ti të jesh prej tyre.”[8]
Ajniu ka thënë: “Rojet e Xhenetit janë engjëjt.”
Ibn Haxheri ka thënë: “Fjala: “Çdo rojtar i një dere” do të thotë: rojtarët e secilës derë të Xhenetit.”
Ibn Xheuzi ka thënë: “Nëse shtrohet pyetja: Duke qenë se shkallët e Xhenetit ndryshojnë nga njëra-tjetra, si mund të thotë çdo rojtar se dera e tij është më e mira? Përgjigjja është se secili, për shkak të njohjes së asaj që ruan dhe mrekullive që sheh aty, mendon se nuk ka diçka më të mirë se ajo, pasi nuk ka parë atë që gjendet tek të tjerët.”
El-Kastalani ka thënë: “Rojet e Xhenetit janë engjëjt.”
Në veprën “Menaru’l-Kari Sherh Muhtesar Sahih el-Buhari” thuhet: “Rojet e Xhenetit prej engjëjve do ta thërrasin njeriun me emrin me të cilin njihej në dynja: “O filan, eja!” Domethënë: eja drejt Xhenetit dhe begative të tij, sepse dyert e tij janë hapur për ty.”
El-Menaviu në “Fejdul-Kadir” ka thënë: “Ai që është ngarkuar me ruajtjen e Xhenetit quhet rojtar, sepse Xheneti është thesari i Allahut të Lartësuar, të cilin Ai e ka përgatitur për robërit e Tij. Në pamje të parë mund të kuptohet se rojtari është një i vetëm, por kjo nuk është ajo që synohet. Hadithi i Ebu Hurejrës është i qartë për shumësinë e rojeve: “Do ta thërrasin rojet e Xhenetit, çdo rojtar i derës së vet.” Megjithatë, Ridvani është më i madhi dhe prijësi i tyre. Ashtu siç prijësi i rojeve pret më të nderuarin e të dërguarve.”
4 – Rojtari i Xhenetit hap derën për Profetin (a.s)
Nga Enesi (r.a) transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “Do të vij te dera e Xhenetit në Ditën e Kiametit dhe do të kërkoj që të hapet. Rojtari do të thotë: “Kush je ti?” Unë do të them: “Muhamedi.” Atëherë ai do të thotë: “Për ty jam urdhëruar; nuk do ta hap për askënd para teje.”[9]
Imam Mundhiri ka thënë: “Rojtari është një engjëll i ngarkuar me ruajtjen e Xhenetit. Ai quhet rojtar sepse Xheneti është thesari i Allahut të Madhëruar, të cilin Ai e ka përgatitur për besimtarët. Fjalët: “Për ty jam urdhëruar”, nënkuptojnë se ai është urdhëruar që fillimisht ta hapë derën e Xhenetit për Profetin (a.s), pastaj për profetët dhe të dërguarit e tjerë.”
El-Kermaniu ka thënë: “Fjala “do të kërkoj që të hapet” do të thotë: do të kërkoj hapjen e derës. Ndërsa “Për ty jam urdhëruar” do të thotë: jam urdhëruar që fillimisht ta hap derën për ty dhe jo për askënd para teje.”
El-Herevi ka thënë: “Ai që është ngarkuar me ruajtjen e Xhenetit quhet rojtar, sepse Xheneti është thesari i Allahut, të cilin Allahu e ka përgatitur për besimtarët.”
5 – Të varfrit muhaxhirë do të jenë ndër të parët që hyjnë në Xhenet
Nga Abdulla ibn Amri (r.a) transmetohet se Profeti (a.s) ka thënë: “A e dini se cili do të jetë grupi i parë nga umeti im që do të hyjë në Xhenet? Ata do të jenë muhaxhirët e varfër. Ata do të vijnë në Ditën e Kiametit te dera e Xhenetit dhe do të kërkojnë që të hapet. Rojet do t’u thonë: “A jeni marrë tashmë në llogari?” Ata do të thonë: “Për çfarë të japim llogari? Shpatat tona ishin mbi supet tona në rrugën e Allahut dhe ne luftuam në rrugën e Allahut derisa vdiqëm në këtë gjendje.” Atëherë dera do të hapet për ta dhe ata do të pushojnë aty për dyzet vjet, para se të hyjnë njerëzit e tjerë.”[10]
Kryesuesi dhe prijësi i rojeve të Xhenetit
Është bërë e njohur se rojtarit të Xhenetit prej engjëjve i është vënë emri “Ridvan”, megjithatë ky emër nuk është përmendur as në Kuran dhe as në Sunetin e saktë profetik.
Ajo që është e vërtetuar në hadithet e sakta është vetëm cilësimi i tij si “rojtar”jo emri i tij. Në hadithin e ndërmjetësimit, Profeti (a.s) ka thënë: “Do të vij te dera e Xhenetit në Ditën e Kiametit dhe do të kërkoj që të hapet. Rojtari do të thotë: “Kush je ti?” Unë do të them: “Muhamedi.” Ai do të thotë: “Për ty jam urdhëruar; nuk do ta hap për askënd para teje.” [11]
Ndërsa emri “Ridvan” është përmendur në disa transmetime, por shumë dijetarë i kanë konsideruar ato të dobëta.
Megjithatë, disa dijetarë e kanë përdorur emrin “Ridvan” për të treguar krye-rojtarin dhe prijësin e rojeve të Xhenetit.
Ibn Kethiri ka thënë në “El-Bidaje uen-Nihaje”: “Disa prej engjëjve janë të ngarkuar me Xhenetet, me përgatitjen e nderimit për banorët e tyre dhe me përgatitjen e mikpritjes për banorët e saj, prej rrobave, stolive, banesave, ushqimeve dhe pijeve, dhe gjëra të tjera që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk i kanë shkuar në mendje njeriut. Rojtari i Xhenetit është një engjëll që quhet Ridvan, i përmendur në disa hadithe.”
Ibn Kajjimi ka thënë në “Hadi el-Ervah”: “Allahu e ka quajtur kryetarin e këtyre rojeve “Ridvan”, emër që rrjedh nga fjala kënaqësi “rida”. Ndërsa rojtarin e Xhehenemit e ka quajtur “Malik”, emër që tregon forcë dhe ashpërsi.”
El-Menavi ka thënë në “Fejd el-Kadir”: “Ai që është ngarkuar me ruajtjen e Xhenetit quhet rojtar, sepse Xheneti është thesari i Allahut… dhe nga pamja e jashtme duket sikur është një i vetëm, por në realitet janë shumë, dhe Ridvani është më i madhi dhe prijësi i tyre.”
Shejh Ibn Uthejmini ka thënë: “Sa i përket Ridvanit, ai është i ngarkuar me Xhenetin. Emri i tij nuk është i vërtetuar me qartësi të fortë siç është emri Malik (rojtar i Xhehenemit), por ai është i njohur tek dijetarët me këtë emër.”
By: ardhmëriaonline.com
[1] – Sure Nexhm: 3 – 4.
[2] – Sure Nisa: 113.
[3] – Sure Tahrim: 6.
[4] – Sure Zumer: 73.
[5] – Sure Zumer: 71.
[6] – Sure Zumer: 73.
[7] – Sure Ra’d: 23.
[8] – Buhariu dhe Muslimi.
[9] – Muslimi.
[10] – Hakimi. Hadithi është Sahih.
[11] – Muslimi.
