Ballina Lajmet Kosovë Rrëzohet propozimi serb që anëtarësimi i Kosovës në KiE të kushtëzohet me...

Rrëzohet propozimi serb që anëtarësimi i Kosovës në KiE të kushtëzohet me Asociacionin

Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës sot me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të pranishëm nga të gjitha shtetet anëtare, do të votojë rekomandimin për Këshillin Ministror për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

Siç po raportohet, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Evropës i ka hedhur poshtë të gjitha amendamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Në komitetet për çështje politike dhe demokraci të Këshillit të Evropës janë duke u diskutuar amendamentet që janë të përfshira në raportin e Dora Bakoyannis lidhur me çështjen e anëtarësimit të Kosovës në këtë institucion.

Ky opinion i Bakoyannis pritet të votohet sot pasdite.

Një votim i suksesshëm do të hapte rrugën për hapin final, vendimin e Këshillit Ministror, i cili mundësinë e parë për ta vendosur në agjendë anëtarësimin e Kosovës do ta kishte më 16 maj, kur Këshilli i Evropës shënon 75-vjetorin e themelimit.

Kosova bëri një hap para në kërkesën e saj për anëtarësim në organizatën e të drejtave të njeriut në fund të muajit të kaluar kur Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Europës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku thuhet që Kosova i ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Këtij votimi të suksesshëm i parapriu edhe urdhri i Qeverisë së Kosovës ndaj Kadastrit që t’ia regjistrojë tokën Manastirit të Deçanit, duke zbatuar kështu një vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Më 27 mars 2024, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin për Kosovën, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtar i plotë i Këshillit të Evropës.

Exit mobile version