Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rritet në mbi 1.800 numri i rasteve me Ebola në RD të...

Rritet në mbi 1.800 numri i rasteve me Ebola në RD të Kongos, virusi përhapet në provincën e katërt

Numri i rasteve të konfirmuara me Ebola në Republikën Demokratike të Kongos ka kaluar në mbi 1.800, treguan të shtunën të dhënat zyrtare, ndërsa virusi është përhapur në provincën e katërt në pjesën verilindore të vendit, transmeton Anadolu.

Sipas përditësimit të situatës nga Ministria e Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i rasteve ka arritur në 1.830, përfshirë 648 viktima, që nga shpallja e epidemisë më 15 maj.

Aktualisht, rreth 780 pacientë po marrin trajtim, ndërsa 284 persona janë shëruar.

Epidemia është përqendruar në provincat Ituri, Kivu e Veriut dhe Kivu e Jugut.

Ministria tha se përballja me Ebolën vazhdon në këto tri provinca me “koordinim të forcuar kombëtar, mbikëqyrje epidemiologjike dhe mobilizim të komuniteteve”.

Megjithatë, të premten autoritetet njoftuan se epidemia është përhapur në provincën e re Haut-Uele, në verilindje të Kongos, pasi shtatë raste me përfundim fatal u konfirmuan në zonën shëndetësore Wamba.

Donatorët dhe partnerët kanë premtuar 910 milionë dollarë për të mbështetur përpjekjet kundër Ebolës në Kongo dhe Ugandë, ku janë raportuar 20 raste.

Të premten, Qendrat Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (Africa CDC) njoftuan se kanë forcuar reagimin ndaj Ebolës në Kongo përmes dërgimit të ekipeve multidisiplinare të ekspertëve në zonat prioritare shëndetësore, të cilat përbëjnë 83 për qind të rasteve, si pjesë e qasjes së decentralizuar të reagimit.

Drejtori i Përgjithshëm i Africa CDC, Jean Kaseya, tha se shpërthimi aktual i Ebolës në Kongo është një kujtesë e qartë se çdo moment ka rëndësi dhe çdo vonesë kushton jetë.

“Kjo është arsyeja pse aftësia e Afrikës për të zbuluar, reaguar dhe kontrolluar epidemitë duhet të ndërtohet aty ku shfaqen kërcënimet shëndetësore – në komunitete, përmes punonjësve të besueshëm shëndetësorë, sistemeve të forta të mbikëqyrjes dhe qasjes së shpejtë në financim”, shkroi ai në platformën sociale amerikane X.

Më 17 maj, dy ditë pas shpalljes së epidemisë në RD të Kongos, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e klasifikoi shpërthimin e Ebolës të shkaktuar nga lloji Bundibugyo si Emergjencë të Shëndetit Publik me Rëndësi Ndërkombëtare.

Exit mobile version