Ballina Lajmet Kosovë Rritet numri i femrave që përdorin drogën në Kosovë

Rritet numri i femrave që përdorin drogën në Kosovë

Përdorimi i substancave narkotike nga të rinjtë në vend konsiderohet se është ulur. Mosha mesatare e të rinjve që nisin përdorimin e drogës konsiderohet se është 16-vjeç ndërsa përqindja e femrave përdoruese të substancave është rritur në krahasim me vitet e kaluara.

Arsye kryesore për përdorimin e drogës nga të rinjtë është “presioni i bashkëmoshatarëve” si dhe qasja e lehtë e tyre.

Shqetësues është hapësira rreth shkollave si vend ku shitet dhe blihet droga. Të dhënat e policisë për këtë vit, janar-nëntor 2022, flasin për 170 raste të ndryshme me mbi 200 të arrestuar për shitjen e përdorimin e substancave narkotike.

“Këtu përfshihen rastet në perimetër prej 300 metra afër shkollave, jashtë oborrit të shkollave, në oborr të shkollave dhe brenda objektit të shkollave si dhe raste të tjera në kuadër të planit operativ, ku nga këto 170 raste, të arrestuar janë 208 persona të dyshuar, ku nga numri i përgjithshëm i tyre nxënës kanë qenë 21 persona, ndërsa jo nxënës 187 persona”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Drejtori i Qendrës “Labirinth”, Safet Blakaj tha se nga viti 2018 numri i personave që përdorin drogë ka rënë dukshëm. Sipas tij, mosha më kritike për të nis përdorimin e drogës është 13 deri në 17-vjeç.

“Katër viteve të fundit përdorimi i drogave ka rënë dukshëm. Mosha mesatare e atyre që fillojnë përdorimin e drogave është 16.1 vjeç. Mosha më e rrezikuar sa i përket fillimit të përdorimit të drogave është 13-17 vjeç, kjo është mosha më kritike e fillimit të përdorimit të drogave… Sa i përket në Kosovë arsyeja e parë është dëshira për t’i takuar grupit, ndryshe quhet presioni i bashkëmoshatarëve. Ka edhe arsye të tjera siç është kureshtja dhe qasja e lehtë e drogave, këto janë arsyet kryesore që fillojnë të rinjtë përdorimin e drogave… Si për gjëra të tjera edhe për droga gjendet rrugët për t’u furnizuar… kjo nuk është e komplikuar për të rinjtë… nuk mund të them që e gjejnë brenda shkollës, sigurisht që jashtë shkollës kanë qasje më të lehtë për të furnizuar me drogë”, tha ai.

Blakaj theksoi se është rritur numri i femrave që përdorin drogën. Ndërsa shton se duhet të ketë program parandaluese në nivel kombëtar që t’ju bëhet e ditur të rinjve për pasojat e përdorimit të substancave narkotike.

“Nuk e fajësoj shkollën pse po përdoret droga më tepër e fajësoj pse nuk po ndërmerr programe parandaluese… Nëse flitet për policinë ligjin dhe kontrollimi në shkollë për droga mendoj që nuk jep efekt dhe nganjëherë dhe kundërefekt… Drogat më shumë përdoren jashtë shkollës. Në Kosovë mungon plotësisht një program parandalues në nivel kombëtar i cili do të përgatitet mirë në profesionin dhe të zbatohet mirë tek të rinjtë duke ua ofruar informata meritore, atëherë do ta kuptojnë problemin posaçërisht kur flitet për rreziqet dhe dëmet e drogave… Në vitin 2015 ka qenë vetëm 7 për qind e gjinisë femërore, ndërsa prej asaj koha ka filluar gradualisht të rritet numri tek femrat. Kohëve të fundit përqindja e femrave që përdorin drogë posaçërisht mariuhanës dhe kokainë është rritur”, u shpreh ai.

Në institucionet arsimore në Prishtinë drejtuesit e tyre në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke tentuar të parandalojnë qasjen e nxënësve tek njerëzit që shesin substanca narkotike.

Drejtori i shkollës fillore “Emin Duraku”, Visar Osmani, tha se është detyruar që oborrin e shkollës të mbulojë me kamera pasi ishte bërë çerdhe e dukurive të këqija.

“Para dy viteve shkolla jonë ka pasur probleme të asaj natyre, jo përfshirë nxënësit tonë direkt por ka qenë problematikë e bartur ndër vite në oborrin e shkollës. Oborri i shkollës ka qenë pa kontroll, pa akses të kamerave dhe ka shërbyer si transit për këtë dukuri… Pikë të parë kam pasur eliminimin e kësaj dukurie e cila i ka kushtuar shkollës shumë me reputacion me uljen e numrit të nxënësve, ka pasur mësimdhënës që ka pasur drojë të mbajë orën e mësimit.. Nuk ka më shiringa të drogës por ka parqe, lule, që i duan fëmijët.. Oborri i shkollës ka qenë çerdhe e gjërave të këqija. Ka qenë një alarm i kuq, hapi i parë ka qenë shtimi i numrit të kamerave, mbyllja e hyrjeve-dalje ilegale dhe rritja e vigjilentes prej stafit në oborr të shkollës. Sot është diçka tjetër, jemi e vetmja shkollë në komunë që një vjet e gjysmë që nuk kemi asnjë rast të raportuar në Policinë e Kosovës”, pretendoi Osmani.

Edhe drejtori i shkollës së mesme “Gjin Gazulli”, Bujar Gjocaj, pretendon se në shkollën e tij nuk ka të tilla raste. Mirëpo, shton se të rinjtë duhet të kenë më shumë informata rreth pasojave të përdorimit të drogave.

“Ne shkollën tonë nuk kanë qasje nxënësit në lëndë narkotike falë Policisë së Kosovës, policisë civile që janë të angazhuar 24 orë rreth shkollës që të sillen. Për çdo rast të dyshimtë ne raportojmë, deri sot nuk kemi pasur raste që një nxënës i shkollës tonë është marrë me lëndë narkotike… Policia civile duhet të jenë shumë më aktive në qytet duke i ditur që kufijtë nuk janë shumë të kontrolluar, ka mundësi hyrje prej kufijve të ndryshëm… Ka lëndë (mësimore) të cilat mundet ta përfshijë ndonjë kapitull ku sqaron dëmet e lëndëve narkotike dhe i vetëdijëson fëmijët më shumë.. Përderisa nuk kanë informata për pasojat se çka i pret, kanë informata për ata që pret momentale dhe mundet të vijë deri në përdorimin e tyre për këtë është më mirë fëmijët të informohen më shumë. Brenda dhe për rreth shkollës nuk ka mundësi të ketë njeri që shpërndan lëndë narkotike”, tha ai.

Psikologu Petrit Thaqi tha se shkaqet që adoleshentët po e përdorin lëndë narkotike është mos dija e pasojave. Përdorimi i drogës, sipas tij, manifestohen vuajtjes dhe gjendjes emocionale.

“Konsumimi i alkoolit, mariuhanës droga të tjera, e kanë bërë të konceptohet sikur kjo çështje është zgjidhje e lirë… Të qenit ‘in’ apo ‘cool’, shkaqet janë të ndryshme, shumë shpesh përdorimi i tyre realisht për t’u menaxhuar një pjesë të vuajtjes sonë, gjendjes sonë emocionale, nganjëherë bëhet për shkak të kureshtjes dhe mbesin në të… Familja luan rol, sidomos ato familje kur ka një atmosferë jo të këndshme familjare, tendencë me qenë dhuna dhe agresioni i shfaqur…. Kjo çështje kërkon trajtim profesional… Në shkollë duhet të ketë stafin psikologjik mjaftueshëm vigjilent që të shoh simptomat dhe sjelljet dyshuese mbi një deviacion të mundshëm të nxënësve”, tha psikologu Thaqi.

Në vend janë mbajtur qindra fushata vetëdijësuese ku flitet për pasojat e përdorimit të substancave narkotike, megjithëse profesionistët mendojnë se duhet të ketë një qasje tjetër ndaj të rinjve.

Exit mobile version