Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rrjolli, simptomë e sëmundjes që tregon sa larg BE-së jemi

Rrjolli, simptomë e sëmundjes që tregon sa larg BE-së jemi

Përmes heshtjes së institucioneve dhe mungesës së transparencës, shteti e ka braktisur rolin e arbitrit dhe po lejon përplasjen sociale

Prej një jave, zona e Rrjollit në Velipojë është kthyer në një vatër tensioni, ku përplasen dëshpërimi i banorëve dhe forca e strukturave ligjzbatuese. Pamjet që vijnë nga bregdeti i veriut, janë dëshmi e një drame sociale që përsëritet pa mbarim.

Banorë që pengojnë me trupat e tyre mjetet e punës, përplasje fizike me policinë, shtyrje, gjendje të fikëti dhe lot nga ata që pretendojnë se po u cenohet trashëgimia familjare.

Ndërkohë që publiku sheh prej një jave këtë përplasje të dhunshme që përfundon me shoqërimin e dhjetëra protestuesve, pyetja që ngre gjithkush është: po shteti çfarë thotë? Pra ajo që e bën këtë situatë alarmante nuk është thjesht konflikti mes dy palëve, por heshtja mospërfillëse e institucioneve.

Deri më sot, asnjë strukturë shtetërore nuk ka dalë me një komunikim zyrtar për mediat që të sqarojë me prova ligjore, dokumente dhe shkresa se ku qëndron e vërteta. Në një shtet ligjor që pretendon anëtarësimin e afërt në Bashkimin Evropian, transparenca është detyrim dhe jo dëshirë.

Publiku ka nevojë të dijë: a janë pretendimet e banorëve për falsifikim të mbështetura në prova, apo dokumentacioni i investitorit është tërësisht i rregullt? Duke mos dhënë asnjë shpjegim, shteti e ka lënë të vërtetën “jetime”, duke i hapur rrugë kaosit dhe përballjes fizike në vend të asaj ligjore.

Ky vakuum informativ, ka krijuar terren për një luftë të ashpër interesash, ku edhe mediat shfaqen të ndara. Disa zgjedhin të heshtin plotësisht, të tjerat mbajnë anën e banorëve, duke u pozicionuar hapur kundër investitorit. Dhe këtu nuk ndahet dot qasja parimore nga ajo e një lufte midis klaneve oligarkike.

Në këtë klimë, ku palët janë në një “luftë” të hapur, mungesa e një arbitri neutral – që duhet të ishte shteti dhe ligji – e bën situatën të duket si një përplasje mes forcave të pabarabarta, ku i vetmi që humbet çdo ditë është imazhi i Shqipërisë si një vend me siguri juridike.

Ndërkohë që në Rrjoll përshkallëzohet situata, vëmendja e kupolës shtetërore duket e shpërndarë diku tjetër. Kryeministri Edi Rama po shfaqet shumë i zënë me çështjet e brendshme të kabinetit të tij, lëvizjet në Gjykatën Kushtetuese apo vizitat e profilit të lartë në SHBA për samitetdërkombëtare të paqes.

Kjo shkëputje mes axhendës “globale” të qeverisë dhe dhimbjes njerëzore në terren, tregon një mungesë ndjeshmërie ndaj asaj që është gangrena më e madhe e shoqërisë shqiptare: pasiguria mbi pronën.

Rrjolli nuk është thjesht një konflikt lokal për një projekt ndërtimi. Përkundrazi, është simptoma e një sistemi, që ende nuk ka arritur të garantojë transparencën dhe të drejtën e pronës në mënyrë të padiskutueshme.

Për sa kohë që institucionet fshihen pas heshtjes dhe lejojnë që policia të jetë e vetmja formë komunikimi me qytetarët, ne mbetemi vite dritë larg standardeve të BE-së. Transparenca nuk kushton, por mungesa e saj po i kushton Shqipërisë paqen sociale dhe besimin te drejtësia./tesheshi

Exit mobile version