Ballina Autorë Opinione RTK – nga zëri i Publikut, në megafonin e propagandës izraelite

RTK – nga zëri i Publikut, në megafonin e propagandës izraelite

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka zgjedhur të publikojë, pa asnjë filtër kritik, një shkrim të Tamar Ziv, Ambasadore e Izraelit në Kosovë. Jo si material për t’u analizuar, jo si deklaratë që duhej kontekstualizuar me fakte që tashmë i ka parë e gjithë bota, por si opinion “të gatshëm për konsum” — pa asnjë kundërargument, pa asnjë verifikim, pa asnjë zë tjetër alternativ, por thjeshtë si deklaratë për shtyp, direkt nga zyrat e propagandës së Izraelit.
Ky nuk është një gabim redaksional nga pakujdesia. Kjo është shkelje e misionit që një media publike duhet të ketë: të informojë publikun në mënyrë të paanshme, të balancuar dhe të bazuar në fakte duke pasur parasysh intersin e gjerë të publikur të Kosovës.
Kur je televizion publik, je financuar nga taksat e qytetarëve dhe detyrohesh të shërbesh interesin publik — jo të bëhesh amplifikues i propagandës së një shteti që sot akuzohet ndërkombëtarisht për vrasjen me uri të popullit të Gazës dhe #GJENOCID, sipas raporteve të OKB-së dhe plot organizatave të tjera ndërkombëtare dhe kombëtare izraelite.
Sigurisht që RTK mundet dhe duhet t’i japë hapësirë çdo qëndrimi zyrtar — por detyrimi etik është t’i vendosë ato në provë, t’i ballafaqojë me të dhëna nga burime të pavarura, të kërkojë përgjigje për pyetjet që ngre opinioni publik, e jo t’i paraqesë si të vërteta të gatshme.
Kur një media publike lë mënjanë këtë detyrim, ajo nuk është më “zëri i publikut” — por pjesë e një zinxhiri komunikimi që nis nga zyrat e propagandës në Izrael që ka si synim t’i lajë duart e krimeve dhe gjenocidit. Dhe kjo është bashkëfajësi morale që nuk duhet të normalizohet, e as të tolerohet.
❗ Gazetaria publike nuk është shërbim protokollar për ambasada. Është mbrojtje e publikut nga manipulimi, sidomos kur bëhet fjalë për viktima civile, fëmijë dhe të pambrojtur në një gjenocid që po transmetohet direkt në ekranët tona.

Observer.al

Exit mobile version