Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Rusia konfirmon dy raste të koronavirusit

Rusia konfirmon dy raste të koronavirusit

Zv/kryeministrja e Rusisë, Tatyana Golikova ka njoftuar se dy raste të koronavirusit janë konfirmuar në Rusi, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media në Moskë, Golikova tha se bëhet fjalë për dy shtetas kinezë që jetojnë në rajonet ruse Zabaykalsky Krai dhe Tyumen.

Ajo shtoi se pas zhvillimeve të fundit, qeveria ka vendosur të ndërmarrë masa shtesë për të parandaluar përhapjen e mëtejme të koronavirusit.

Rusia pjesërisht ka mbyllur kufirin e saj me Mongolinë dhe ka anuluar të gjitha fluturimet në Kinë, përpos fluturimeve të kompanisë Aeroflot në Pekin, Shanghai, Guangzhou dhe Hong Kong.

Golikova tha se Moska ka kërkuar nga Pekini që të mbajë numrin e fluturimeve të rregullta për avionët çarter që nevojiten për të evakuuar shtetasit rusë nga Kina.

Sipas të dhënave fillestare, gjithsej 341 rusë janë aktualisht në provincën kineze Hubei dhe 2.665 në ishullin Hainan.

Ajo shtoi se brenda një periudhe të shkurtër kohore, kryeministrit rus Mikhail Mishustin do t’i parashtrohet një dekret që parasheh ndalimin e dhënies së vizave të punës për qytetarët kinezë, duke shtuar se Rusia po përgatit karvanin e parë të ndihmave humanitare për Kinën.

Koronavirusi i ri, i cili për herë të parë u shfaq në qytetin Wuhan në rajonin Hubei të Kinës, thuhet se është transmetuar tek njerëzit nga kafshët, veçanërisht lakuriqët.

Komisioni Kombëtar i Shëndetësisë i Kinës së fundmi njoftoi se numri i vdekjeve në Kinë nga shpërthimi i koronavirusit të ri ka arritur në 213.

Në Kinë po ashtu janë konfirmuar 9.692 raste të pneumonisë të shkaktuara nga koronavirusi, i njohur gjithashtu si 2019-nCoV.

Koronavirusi ka ngritur alarmin në nivel global, me raste të raportuara në të gjithë Azinë si dhe në Evropë, SHBA dhe Kanada.

Udhëtarët nga Kina po kontrollohen për virusin në aeroportet në mbarë botën. Disa linja ajrore kanë pezulluar fluturimet për në Wuhan dhe pjesë të tjera të Kinës.

Në një takim urgjent të ditës së djeshme, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli shpërthimin e virusit të ri një emergjencë ndërkombëtare.

Exit mobile version