Vesel Krasniqi nga partia Nisma për Kosovën është zëvendësministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Krasniqi, që radhitet në mesin e pesë zëvendësministrave të tjerë në këtë ministri, thotë se angazhime dhe punë ka për të gjithë, por në raste të caktuara, shprehet ai, ky numër mund të komplikojë punët.
“Është pak e vështirë, jo për ne si zëvendësministra, mirëpo pak është e vështirë për departamentet, për drejtoritë të cilët duhet të raportojnë dhe secili kërkon shënime, raporte prej tyre”, thotë Krasniqi.
Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, përveç ministrit, ka të punësuar edhe pesë zëvendësministra. Vesel Makolli është njëri prej tyre. Ai mendon se në këtë ministri ka shumë punë dhe është e nevojshme të ketë një numër kaq të madh ët zëvendësministrave.
“Thënë realisht një ministër dhe zëvendësministër është problem t’i përkushtohen punës. Nëse koordinohet puna si duhet, si në ministrinë tonë, një zëvendësministër një departament është në rregull, ne raportojmë punën për departamente, jemi në kontakt me bazën”, thekson Veseli.
Por, nga shoqëria civile kritikohet ashpër punësimi i një numri kaq të madh të zëvendësministrave.
“Një numër kaq i madh i zëvendësministrave dhe pozitave politike, nuk është caktuar për të kryer punë të domosdoshme në Qeveri, por për të përmbushur egot e partive politike për pozita të larta qeveritare”, ka thënë Arton Demhasaj nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”.
“Përpos ngarkesës buxhetore që i bëhet, është një lloj papërgjegjësie, mosdije se kush është përgjegjës për ngecje në një fushë të caktuar. Nuk dihet se a është përgjegjës ministri apo cilido zëvendësministër. Përgjegjësia është shpërndarë dhe nuk dihet se kush është përgjegjësi kryesor”, thotë Demhasaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga 21 ministrat e qeverisë se tij, që t’u delegojnë punë dhe përgjegjësi secilit zëvendësministër, në mënyrë që ky numër aq i madh të kthehet në dobi për qytetarët e vendit.
Ndryshe, sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, këto pozita qeveritare i kushtojnë buxhetit deri në tre milionë euro në vit, pasi paga mujore e një zëvendësministri është rreth 1200 euro.
Zëvendësministri ka të drejtë të ketë edhe staf përcjellës, si asistentë dhe shoferë personal.
Në anën tjetër, shefja e zyrës se shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, javën e kaluar ka thënë se do të dëshironte që paratë që shpenzohen për pagat e 75 zëvendësministrave të përdoren për reformë të thellë në arsim.
