Ballina Autorë Opinione Sa më pakë ka moral e nder te njeriu, aq më pakë...

Sa më pakë ka moral e nder te njeriu, aq më pakë ka njeri në të!

Kim Mehmeti

“…burrat e gratë e fshatit tim, jetonin të lidhur me një marrëveshje e cila i detyronte që pjellën e tyre ta mbronin nga rreziku që u kanosej përtej avllive me mure të larta, matanë të cilave ata e shihnin rrezikun që fëmijët e tyre të tjetërsoheshin, ta harronin gjuhën e qumështit të nënës dhe të ëndërronin në gjuhën që do t’i bënte të mos e mbanin mend se nga kishin ardhur dhe kush ishin.

Në këtë mbrojtje të vetvetes, gratë ishin ato që ruanin pastërtinë e gjuhës, të cilën e rrezikonin edhe burrat e tyre që punonin në Shkup, duke sjellë brenda avllive shprehje të huaja, që nuk i kuptonin gratë e tyre.

Prindërit, e veçanërisht nënat, nuk kuptonin shumëçka as lidhur me rendin socialist në të cilin jetonin, as nga demokracia që erdhi më vonë.

Ata, ndërkaq, e dinin se s’të vlen gjë as njëra as tjetra po mbete pa moral e ndershmëri.

Njëherësh ata e kishin të qartë se ka vlera njerëzore, siç janë besa, nderi e morali që nuk varen nga ligjet e kushtetutat e shteteve, por nga ajri të cilin e ke thithur në kullën ku je rritur dhe ku pret të vdesësh.

E dinin, pra, se sa më pak ka nder, besë e moral te njeriu, aq më pak ka njeri në të…”

Kim Mehmeti, Copëza dhe foto nga monografia biografike ‘Ndryshku i kohës’

Exit mobile version