Lufta në Ukrainë, roli i SHBA-së dhe e ardhmja e Aleancës do të dominojnë diskutimet
Samiti i 36-të i NATO-s, që zhvillohet të martën dhe të mërkurnën në Ankara, vjen në një moment kur rendi ndërkombëtar po përballet me sfida të mëdha.
Lufta në Ukrainë, tensionet në Lindjen e Mesme dhe Gjirin Persik, ndryshimet në arkitekturën e sigurisë evropiane dhe marrëdhëniet gjithnjë e më të ndërlikuara transatlantike do të dominojnë diskutimet mes liderëve të Aleancës.
Në qendër të vëmendjes do të jetë edhe presidenti amerikan Donald Trump, qasja e të cilit ndaj NATO-s ka krijuar pasiguri mes aleatëve. Edhe pse nuk ka vënë në dyshim ekzistencën e Aleancës, Trump e ka konsideruar prej kohësh barrë angazhimin ushtarak amerikan në Evropë dhe ka kërkuar që vendet evropiane të marrin më shumë përgjegjësi për mbrojtjen e tyre.
Pak ditë para samitit, ai kritikoi aleatët për mungesën e mbështetjes ndaj SHBA-së gjatë krizës me Iranin dhe deklaroi se do të kishte munguar në Ankara nëse nuk do të ishte ftuar personalisht nga presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan.
Marrëdhënia e mirë mes Erdoğanit dhe Trumpit shihet si një faktor që mund të ndihmojë në uljen e tensioneve mes Uashingtonit dhe aleatëve evropianë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, synon që samiti të shërbejë si një demonstrim uniteti, edhe pse pak analistë presin vendime spektakolare.
Një nga temat kryesore do të jetë ideja e transformimit të Aleancës në atë që po quhet “NATO 3.0”. Koncepti synon një NATO më pak të varur nga SHBA-ja, por që ruan unitetin strategjik mes aleatëve.
Megjithëse nuk priten vendime të mëdha, liderët pritet të rikonfirmojnë angazhimin ndaj Nenit 5 të Traktatit të NATO-s, sipas të cilit një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës.
Mbështetja për Ukrainën do të jetë një tjetër pikë kyçe e samitit. NATO pritet të riafirmojë angazhimin për furnizimin me armë, trajnimin e forcave ukrainase dhe koordinimin e ndihmës ushtarake.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë në darkën zyrtare të organizuar nga Erdoğan, do të mbajë një fjalim në Forumin e Industrisë së Mbrojtjes dhe do të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit NATO-Ukrainë.
Ndërkohë, Trump vazhdon të kërkojë që Evropa të mbajë peshën kryesore të mbrojtjes së kontinentit. Në samitin e vitit 2025 në Hagë, aleatët ranë dakord të rrisin shpenzimet ushtarake në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri në vitin 2035.
Megjithatë, administrata amerikane ka nisur edhe tërheqjen e mijëra trupave nga Gjermania dhe ka pezulluar dislokime të reja në Gjermani dhe Poloni.
Evropa po përpiqet të forcojë kapacitetet e saj ushtarake dhe industrinë e mbrojtjes, ndërsa pasiguria për angazhimin afatgjatë amerikan mbetet e lartë.
Në Ankara do të zhvillohet edhe Forumi i Industrisë së Mbrojtjes, ku pritet të nënshkruhen kontrata me vlerë dhjetëra miliarda dollarë. Një pjesë e tyre mund të lidhen me nevojat e Ukrainës.
Turqia synon të shfrytëzojë samitin për të promovuar industrinë e saj të mbrojtjes, e cila gjatë dy dekadave të fundit është shndërruar në një nga eksportueset më të rëndësishme të pajisjeve ushtarake.
Samiti do të nisë me një takim të ministrave të Jashtëm të vendeve të Iniciativës së Bashkëpunimit të Stambollit, ku bëjnë pjesë Katari, Bahrejni, Kuvajti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në Ankara do të jenë gjithashtu partnerët e NATO-s nga rajoni Indo-Paqësor, përfshirë Australinë, Japoninë, Korenë e Jugut dhe Zelandën e Re.
Ndërkohë, në media kanë qarkulluar raportime se presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmed al-Sharaa, mund të zhvillojë takime dypalëshe në Ankara me disa liderë perëndimorë, me ftesë të Turqisë.
Megjithatë, pjesëmarrja e tij nuk është konfirmuar zyrtarisht. Autoritetet turke kanë ndërmarrë masa të jashtëzakonshme sigurie. Rreth 70 mijë efektivë policie dhe xhandarmërie do të angazhohen gjatë samitit.
Rrugët kryesore janë mbyllur, tubimet publike janë ndaluar, ndërsa shumë institucione shtetërore do të punojnë me regjim të reduktuar.
Ankara është përgatitur për çdo skenar, me masa sigurie që i ngjajnë gjendjes së jashtëzakonshme. Megjithatë, siç vlerësojnë analistët, elementi më i paparashikueshëm i samitit mbetet vetë Donald Trump.
Në fund, samiti i Ankarasë mund të mos prodhojë vendime historike, por do të tregojë nëse NATO është ende e aftë të ruajë unitetin përballë krizave globale dhe dallimeve gjithnjë e më të dukshme mes aleatëve.
Nëse nuk sjell transformimin e shumëpërfolur të “NATO 3.0”, suksesi i tij mund të matet me aftësinë për ta mbajtur Aleancën të bashkuar në një nga periudhat më sfiduese të historisë së saj. /tesheshi