Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka mohuar se Spanja po përballet me korrupsion të përhapur dhe ka përjashtuar mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, edhe pse disa procese gjyqësore që përfshijnë figura të lidhura me Partinë Socialiste të tij po shtojnë presionin mbi qeverinë e tij, transmeton Anadolu.
Duke folur gjatë një debati parlamentar mbi akuzat për korrupsion, Sanchez tha se e kuptonte shqetësimin e publikut pas javësh zhvillimesh gjyqësore, përfshirë dënimin e fundit të ish-ministrit të Transportit, Jose Luis Abalos, në një çështje të prokurimeve gjatë pandemisë, si dhe hetimin ndaj ish-kryeministrit Jose Luis Rodriguez Zapatero.
“Nuk jemi të pagabueshëm. Por pikërisht për këtë arsye ne pastrojmë atë që duhet pastruar”, tha Sanchez.
Ai këmbënguli se Partia Socialiste nuk ishte financuar në mënyrë të paligjshme dhe argumentoi se shkeljet e pretenduara ishin të kufizuara tek individë të caktuar.
“Ata duan të krijojnë një ndjenjë të korrupsionit të përgjithësuar që nuk ekziston”, tha ai, duke akuzuar Partinë Popullore konservatore dhe partinë e ekstremit të djathtë Vox se po përpiqen të ngatërrojnë opinionin publik.
“Nuk duhet të ketë vend për pandëshkueshmëri për personat e korruptuar, kushdo qofshin ata”, shtoi ai.
Lidhur me Zapateron, i cili po hetohet në çështjen e shpëtimit financiar të kompanisë ajrore Plus Ultra, Sanchez tha se nuk kishte pasur trajtim të favorshëm në paketën e ndihmës prej 53 milionë eurosh dhe shprehu besimin e tij personal te ish-kryeministri socialist, i cili drejtoi Spanjën nga viti 2004 deri në vitin 2011.
Sanchez gjithashtu mbrojti bashkëshorten e tij, Begona Gomez dhe vëllain e tij, David Sanchez, të cilët përballen me procese të ndara gjyqësore që sipas tij, bazohen në “akuza të pabazuara” dhe në një fushatë ngacmimi.
Lideri i opozitës, Alberto Nunez Feijoo, përsëriti thirrjet që Sanchez të shpërndajë parlamentin dhe të shpallë zgjedhje, ndërsa partia pro-pavarësisë Junts i kërkoi të tërhiqet dhe t’i lejojë një kandidati tjetër të udhëheqë qeverinë.
Feijoo akuzoi Sanchezin se ndodhet në qendër të skandaleve të korrupsionit, se po zbaton standarde të dyfishta dhe se është bërë “një turp” për Spanjën.
“Çfarë do të thoshit ju nëse kjo situatë do të ndodhte nën një qeveri tjetër. Herët a vonë, unë do t’ia rikthej popullit spanjoll një qeveri dinjitoze”, tha ai.
Sanchez i hodhi poshtë këto akuza.
“Si mund të mos vazhdojmë?” tha ai, duke argumentuar se qeveria e tij është më e aftë për të luftuar korrupsionin sesa një koalicion mes Partisë Popullore dhe Vox-it.
Zgjedhjet e përgjithshme në Spanjë duhet të mbahen jo më vonë se gushti i vitit 2027.