Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka thënë se pushtimi i Grenlandës nga SHBA-ja “do ta bënte Putinin njeriun më të lumtur në tokë”.
Sanchez ka thënë në një intervistë të botuar të dielën se çdo veprim ushtarak nga SHBA-ja kundër ishullit të madh Arktik të Danimarkës do të dëmtonte NATO-n dhe do të legjitimonte pushtimin e Ukrainës nga Rusia.
“Nëse përqendrohemi te Grenlanda, duhet të them se një pushtim i atij territori nga SHBA-ja do ta bënte Vladimir Putinin njeriun më të lumtur në botë. Pse? Sepse do të legjitimonte përpjekjen e tij për pushtimin e Ukrainës”, ka thënë ai në një intervistë në gazetën La Vanguardia.
“Nëse Shtetet e Bashkuara do të përdornin forcën, kjo do të ishte kambana e vdekjes për NATO-n. Putini do të ishte dyfish i lumtur”, ka shtuar ai.
Presidenti Donald Trump të shtunën ndryshoi qëndrim ndaj Grenlandës duke u zotuar të zbatojë një valë tarifash në rritje për aleatët evropianë derisa Shtetet e Bashkuara të lejohen të blejnë Grenlandën.
Në një postim në Truth Social, Trumpi ka thënë se tarifat shtesë prej 10% të importit do të hyjnë në fuqi më 1 shkurt për mallrat nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Britania e Madhe – të gjitha tashmë të nënshtruara ndaj tarifave të vendosura nga Trumpi.
Këto tarifa do të rriten në 25% më 1 qershor dhe do të vazhdojnë derisa të arrihet një marrëveshje që SHBA-ja ta blejë Grenlandën, ka shkruar Trumpi të shtunën. /koha
