Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Sassoli: Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e BE-së

Sassoli: Ballkani Perëndimor duhet të jetë pjesë e BE-së

David Sassoli

President i Parlamentit Europian, David Sassoli bëri thirrje për anëtarësimin e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian duke konfirmuar se zgjerimi i BE-së do të jetë pozitiv për paqen dhe prosperitetin.

“Zgjerimi mund të sjellë përfitime të mëdha si për rajonin dhe për Europën në tërësi duke ndihmuar në sigurimin e një kontinenti të qëndrueshëm, me prosperitet dhe paqësor”, theksoi Sassoli, sipas medias gjermane “Funke Mediengruppe”.

Por se sa shpejt ata mund të anëtarësohen varet nga përmbushja e kritereve të pranimit nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Reformat duhet të përfundojnë ende në secilin prej këtyre vendeve”, theksoi Sassoli, duke shtuar se Bashkimi Europian gjithashtu duhet të mbajë premtimet e tij dhe të njohë progreset.

BE ka nisur tashmë negociatat e anëtarësimit me Malin e Zi dhe Serbinë, ndërkohë që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë kandidate zyrtare.

Maqedonia e Veriut mori muajin e kaluar mbështetjen e Austrisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë për të filluar bisedimet me Bashkimin Europian. /atsh

Exit mobile version