Ballina Lajmet Kosovë SBASHK, paralajmëron grevë të përgjithshme në arsim

SBASHK, paralajmëron grevë të përgjithshme në arsim

Këshilli Drejtues ka kohë që ka alarmuar se nëse nuk ka gatishmëri të Kabinetit të Kryeministrit Mustafa për dialog e zgjidhje të merituar lidhur me Ligjin për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës për vitet shkollore 1989/99, atëherë SBASHK-u do të nis me veprime sindikale duke mos përjashtuar as grevën e përgjithshme në të 1357 institucionet arsimore të Kosovës.

Në përpjekje që çështja të zgjidhet me dialog kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj bashkë me këshilltarin për organizim të brendshëm,
Ymer Ymeri nuk kanë lënë derë pa hapur duke u takuar me kryetarët e Grupeve Parlamentare të PDK-së, LDK-së, Vetëvendosjes, AAK- së e Nismës dhe me Ministrat Bajrami, Shala e Abrashi me kërkesën që Kryeministri Mustafa dhe anëtarë të Kabinetit të tij Qeveritar të dialogojnë me përfaqësues të SBASHK-ut me qëllim që të gjendet një zgjidhje e pranueshme për Ligjin që rregullon statutin e njerëzve që me pendë e sakrifica mbrojtën arsimin e kulturën tonë nga sulmet e vazhdueshme të pushtuesit.

Mirëpo, edhe për kundër angazhimit të Ministrave Shala, Abrashi e Bajrami për të ndodhur takimi i nivelit të lartë qeveritar me SBASHK-un e për t’u gjetur zgjidhja, takimi deri sot nuk ndodhi dhe gjasat për grevë janë shtuar shumë dhe kjo do të plotësojë dëshirën e Qeverisë Mustafa, e cila duke i ikur dialogut me SBASHK-un del se e do grevën në arsim dhe kjo dëshirë do t’i plotësohet, sipas të gjitha gjasave, kur më 9 nëntor do të takohet Këshilli Drejtues i SBASHK-ut për ta vlerësuar situatën dhe për të marrë hapa konkret.

Udhëheqës të SBASHK-ut edhe gjatë këtij vikendi janë në pritje të ftesës për dialog, ftesë e cila nga Qeveria po mungon dhe prandaj në këtë situatë veprimet sindikale do të jenë realitet në arsimin tonë.

Greva nuk është dëshirë e SBASHK-ut dhe për këtë flasin përpjekjet dhe dhjetëra takime me përfaqësues institucionesh për të gjetur zgjidhje me dialog. Kështu si është gjendja greva do të nis dhe SBASHK-u fton nxënësit dhe prindërit për mirëkuptim. Fton gjithë njerëzit e vullnetit të mirë që kanë ndikim te institucionet që të angazhohemi bashkë në këto pak ditë që kanë mbetur deri te takimi i Këshillit Drejtues dhe vendimi për grevë. SBASHK-u u mundua me tërë forcën për zgjidhje me dialog , por Qeveria Mustafa nuk e bëri as më të voglin gjest a reflektim pozitiv.

Exit mobile version