Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Scholzi e quan “të papranueshme” çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje...

Scholzi e quan “të papranueshme” çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje sovranitetin e Bosnjës

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se çdo përpjekje për ta vënë në pikëpyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës “është e papranueshme për Gjermaninë”.

Këtë deklaratë Scholzi e ka bërë të martën në Berlin, gjatë një takimi me kryetarin e presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Denis Beqiroviq, raporton AP.

Scholzi ka theksuar edhe rolin e Gjermanisë në sigurimin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Këshilli Evropian e njohu Bosnjën dhe Hercegovinën si “vend kandidat” në mars.

Scholzi gjithashtu bëri thirrje për të çuar përpara reformat e nevojshme për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

“Unë e kuptoj se kjo është një sfidë e madhe. Por përpjekjet për reformë janë më të vlefshme për vetë vendet kandidate, sepse janë të lidhura edhe me suksesin e madh ekonomik që vjen prej saj”, është shprehur Scholz.

Ndërkaq, Beqiroviq nënvizoi se si një pakicë pro-ruse në vendin e tij po vë në rrezik dispozitat kryesore të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit dhe Kushtetutës së Bosnje-Hercegovinës.

“Ata po sulmojnë dy institucione vendimtare që garantojnë paqen dhe stabilitetin”, shpjegoi Beqiroviç, duke iu referuar Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë-Hercegovinës.

“Ne duhet të jemi të përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave të mundshme në periudhën e ardhshme,” ka shtuar ai.

Bosnja dhe Hercegovina aplikoi për anëtarësim në BE në vitin 2016. Në mars 2024, Këshilli Evropian vendosi të hapë zyrtarisht negociatat e pranimit me vendin e Ballkanit Perëndimor. /koha

Exit mobile version