Ballina Lajmet Kosovë Schwendiman, i inkurajuar nga konsolidimi i Speciales

Schwendiman, i inkurajuar nga konsolidimi i Speciales

Prokurori i specializuar, David Schwendiman, është i inkurajuar nga miratimi i Rregullores së Procedurës dhe të Provave, e cila u bë javën e kaluar. Në përgjigjen e tij dërguar gazetës “Zëri” Joseph L. Hollerhead, asistent ekzekutiv i zëvendëskryeprokurorit të specializuar, ka thënë se prokurori vazhdon ta kryejë punën që ia kërkon ligji i vitit 2015.

Prokurori i Specializuar, David Schwendiman, është duke vazhduar që ta bëjë punën e tij, të cilën edhe ia kërkon ligji i vitit 2015, shkruan sot, gazeta Zeri.

Madje sipas Joseph Hollerhead, asistent ekzekutiv i zëvendëskryeprokurorit të specializuar, prokurori është shumë i inkurajuar me miratimin e Rregullores së Procedurës dhe Provave ditë më parë.

Megjithatë, Hollerhead është shprehur i rezervuar sa i përket pyetjes së gazetës “Zëri” se kur do të nisin akuzat e para dhe e ka gjasë që ato të fillojnë brenda këtij viti.

Sipas tij, Zyra e Prokurorit të Specializuar është një institucion i veçantë dhe i pavarur nga Dhomat e Specializuara dhe ka përgjegjësinë e autoritetin e vetëm t’ia dërgojë akuzat Gjykatës së Specializuar. Por, kur do të bëhet kjo ai nuk ka treguar, duke mos dashur që të ndërhyjnë në hetimet e Prokurorisë.

Në anën tjetër zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Avis Benes, i ka thënë gazetës “Zëri” ditë më parë se nëse vendimi i Dhomës Speciale të Gjykatës Kushtetuese do të jetë pozitiv, rregullat do të hyjnë në fuqi 7 ditë më pas. Në të njëjtën kohë Benes ka bërë të ditur se ky është edhe hapi i fundit ligjor që Gjykata të bëhet plotësisht funksionale.

Exit mobile version