Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken do të mbërrijë në Turqi të shtunën, tha sot ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan, raporton Anadolu.
“Blinken do të arrijë (në Turqi) të shtunën. Ai do të vijë në Turqi si mysafiri im, dhe kjo është planifikuar aktualisht… nëse asgjë nuk ndryshon”, u tha Fidan gazetarëve në kryeqytetin turk Ankara.
Në përgjigje të një pyetjeje nëse presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka në plan të vizitojë SHBA-në, Fidan tha se një udhëtim i tillë nuk është planifikuar aktualisht.
Lidhur me udhëtimin pa viza për qytetarët turq në Evropë, Fidan tha: “Kjo është një çështje e rëndësishme, ne po punojmë për të. Në radhë të parë, ne jemi fokusuar në lehtësimin e kufizimeve të vizave”.
Ai theksoi se Turqia po punon për liberalizimin e vizave dhe përditësimin e Unionit Doganor.
“Kemi bashkëpunim serioz për migracionin. Kjo është e rëndësishme, si për ne, ashtu edhe për ata. Kërkohet një proces konstruktiv. Ne gjithashtu i kushtojmë rëndësi atmosferës pozitive me Greqinë në kuadër të uljes së tensioneve në Egje”, tha ai, duke shtuar se është e rëndësishme që Turqia t’i trajtojë të gjitha këto në të njëjtën kohë.
