Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në orët e hershme të mëngjesit, kanë ndalur një autobus në Autostradën “Ibrahim Rugova”, i cili udhëtonte nga Shqipëria drejt Kosovës pa pasagjerë. Mjeti është shoqëruar për kontroll të detajuar në objektet e Doganës në Prishtinë.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se gjatë kontrollit, ku janë përdorur pajisjet profesionale të ofruara nga programet e Qeverisë së SHBA-së, përfshirë skanerin e dhuruar së fundmi, si dhe qentë nuhatës të dhuruar nga organizata gjermane GIZ – është zbuluar një sasi prej rreth 120 kilogramësh narkotikë të llojit kanabis.
Ku ishin fshehur pakot me drogë brenda në autobus?
“Ky zbulim përfaqëson një arritje të jashtëzakonshme në përpjekjet e Doganës së Kosovës për të mbrojtur shoqërinë dhe për të parandaluar trafikun e substancave të ndaluara. Ai vjen vetëm pak javë pas një rasti tjetër të përmasave të ngjashme, i realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë”, thuhet në njoftim.
Tutje bëhet e ditur se rasti i sotëm i është dorëzuar njësive Antidrogë të Policisë së Kosovës për procedura dhe veprime të mëtejshme penale.
“Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftën kundër kontrabandës dhe krimit të organizuar, duke rritur bashkëpunimin me partnerët vendorë dhe ndërkombëtarë për të garantuar sigurinë dhe sundimin e ligjit. Po ashtu, shpreh mirënjohjen e saj të thellë për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për përkrahjen e vazhdueshme ndër vite, përmes donacioneve, trajnimeve dhe asistencës teknike”.
