Lufta, përçarje të mëdha brenda Partisë Republikane që do ndihen në zgjedhjet e nëntorit
Senati i SHBA-së ka rrëzuar mbrëmjen e të mërkurës me 53 vota kundër dhe 47 pro një rezolutë që synonte të kufizonte fuqinë e presidentit Donald Trump për të ndërmarrë veprime ushtarake kundër Iranit pa miratimin e Kongresit.
Ky votim i rëndësishëm i jep kreut të Shtëpisë së Bardhë dorë të lirë në një moment kur lufta me Iranin ka hyrë në ditën e saj të gjashtë dhe po përfshin rajone të tëra nga Lindja e Mesme. Vetëm republikani Rand Paul u bashkua me demokratët, ndërsa demokrati John Fetterman votoi me republikanët për të mbrojtur autoritetin e presidentit në këtë konflikt që ka tronditur tregjet globale.
Gjithsesi, sipas analizave të fundit nga “The Intercept” kjo luftë ka hapur debate të ashpra brenda Partisë Republikane ku figura si Ruben Gallego dhe Joaquin Castro kanë lëshuar akuza se administrata po vendos interesat e Izraelit përpara sloganit “America First”, duke vënë në rrezik trupat amerikane.
Ndërkohë organizata si IMEU kanë nisur fushata milionëshe në Arizona dhe Ioëa duke suluar deputetët që votojnë për miliarda dollarë ndihmë ushtarake për Izraelin, ndërkohë që kërkojnë shkurtime në shëndetësinë amerikane.
Kjo përplasje po kthehet në një armë të fuqishme elektorale për zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2026 ku kandidatë si Nida Allam po premtojnë një linjë pro paqes për të ndalur luftërat e pafundme.
Edhe pse udhëheqja e Partisë Demokratike mbetet e kujdesshme për shkak të ndikimit të lobit AIPAC, tensionet e brendshme po rriten pas deklaratave të Marco Rubio që sugjeruan një rol aktiv të Izraelit në nxitjen e konfliktit.
Me dështimin e kësaj rezolute në Senat Trump ruan kontrollin e plotë mbi fushatën ajrore dhe detare ndërsa Teherani sinjalizon qëndresë përmes pasardhësve të rinj të udhëheqjes supreme duke bërë që fundi i krizës të duket ende larg. /tesheshi
