Ballina Lajmet Kosovë Serbët e Leposaviqit protestojnë kundër shpronësimit

Serbët e Leposaviqit protestojnë kundër shpronësimit

Banorët e fshatit Dren, afër Leposaviqit, kanë nisur një protestë nga e mërkura që të luftojnë në çdo mënyrë, siç thonë ata, vendimin e paligjshëm të Qeverisë së Kosovës për shpronësimin e disa tokave me interes publik në zonat kadastrale në Dren dhe Leshak.

Siç raporton KosovoOnline nga vendngjarja, serbët e Leposaviqit kanë dalë në rrugë që nga dita e djeshme kur ka nisur puna, fillimisht, për zgjerimin e rrugës. Kjo është konfirmuar për KOHËN edhe nga zyra rajonale e Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, por nuk ka dhënë detaje të tjera me arsyetimin se “kjo punë i takon nivelit qendror”.

Punimet, sipas KO, janë ndërprerë, por serbët thonë se nuk janë të kënaqur vetëm me kaq. Pretendojnë se aty do të ndërtohet një bazë e policisë kufitare të Kosovës.

“Nuk mjafton që makineritë janë fikur dhe puna është ndalur. Ne duam që makineritë dhe pjesëtarët e njësisë speciale të policisë të tërhiqen. Vendimi të anulohet dhe të na lënë të jetojmë jetën tonë të qetë siç kemi jetuar deri tani”, ka thënë njëri nga protestuesit.

Aktualisht në Dren janë rreth 100 fshatarë dhe situata është e qetë. Policia janë jo shumë larg tyre, pranë vendit ku ka nisur puna ditën e djeshme, por që u ndërpre pas daljeve të qytetarëve serbë në rrugë.

Për këtë çështje, Lista Serbe më herët njoftoi se i ka dërguar letër ambasadorëve të QUINT-it.

KOHA ka kontaktuar edhe me zyrën qendrore të Policisë së Kosovës, por deri në publikimin e artikullit kanë qenë të paqasshëm.

Qeveria në mbledhjen e mbajtur më 16 janar të këtij viti ka miratuar vendimin “për shpalljen me interes të veçantë publik të pronave të paluajtshme të cilat janë të nevojshme për realizimin e “Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik”, Zonat Kadastrale: Dren dhe Leshak, Komuna Leposaviq”.

“Sipas vendimit, për realizimin e ‘Projekteve Infrastrukturore për Interes Publik’ është e nevojshme që të iniciohen dhe kryhen procedurat e shpronësimit dhe vlerësimit të pronës për të gjithë pronarët e evidentuar”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Exit mobile version