Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shafiqur Rahman, lideri i Jamaat-it në Bangladesh: figura që të gjithë duan...

Shafiqur Rahman, lideri i Jamaat-it në Bangladesh: figura që të gjithë duan ta takojnë

Leader of Bangladesh's largest Islamist party Jamaat-e-Islami, Shafiqur Rahman, addresses a rally in a show of strength ahead of elections, in Dhaka, July 19, 2025 [Mahmud Hossain Opu/AP Photo]

Deri pak kohë më parë, elita politike e Bangladeshit dhe diplomatët e huaj e shmangnin liderin e Jamaat-e-Islami, Shafiqur Rahman, dhe partinë e tij. Sot, me Jamaat-in që sipas sondazheve po konkurron fort për vendin e parë në zgjedhje, interesimi për ta takuar Rahmanin është rritur ndjeshëm.

Të mërkurën në mbrëmje në Dhaka, Shafiqur Rahman, kryetari i Jamaat-e-Islami, prezantoi programin zgjedhor të partisë. Premtimi kryesor ishte se, nëse Jamaat fiton zgjedhjet e 12 shkurtit, do të krijohen kushtet që ekonomia e Bangladeshit të arrijë një prodhim të brendshëm bruto prej 2 trilionë dollarësh deri në vitin 2040.

Rahmani premtoi investime në bujqësi moderne, industri, teknologji informative, arsim dhe shëndetësi, si dhe rritje të investimeve të huaja dhe shpenzimeve publike. Disa ekonomistë kanë shprehur dyshime për realizueshmërinë financiare të këtyre premtimeve, por analistët thonë se manifesti synon më shumë të tregojë drejtimin politik sesa detaje buxhetore.

Për vite me radhë, Jamaat është kritikuar si një parti tepër e lidhur me doktrinën fetare për të qeverisur një shoqëri të re dhe të larmishme. Programi i ri synon ta paraqesë partinë si një alternativë të besueshme, që ndërthur vlerat fetare me një vizion modern për të ardhmen e vendit.

Ndryshimi në qasjen ndaj Jamaat-it vjen edhe si pasojë e një boshllëku politik në Bangladesh. Kryengritja e korrikut 2024, që rrëzoi nga pushteti kryeministren Sheikh Hasina, tronditi rendin politik dhe dobësoi partitë tradicionale. Në këtë hapësirë, Jamaat, i përjashtuar prej kohësh nga pushteti, u rikthye si një forcë e rëndësishme politike.

Sot, Jamaat konsiderohet një nga dy forcat kryesore politike në vend, përkrah Partisë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP). Në qendër të këtij rikthimi është vetë Rahmani, i cili mori drejtimin e partisë në vitin 2019, në një periudhë kur Jamaat ishte e ndaluar. Ai u arrestua në vitin 2022, por u lirua pas 15 muajsh dhe më vonë akuzat ndaj tij u hoqën.

Rahmani, ish-mjek dhe figurë e qetë në paraqitje, ka tërhequr vëmendje me fjalime emocionale dhe mesazhe kundër korrupsionit. Ai ka deklaruar se, nëse Jamaat vjen në pushtet, ministrat do të shërbejnë qytetarët dhe nuk do të përfitojnë privilegje personale.

Mbështetësit e përshkruajnë Rahmanin si të thjeshtë dhe të afërt me njerëzit, ndërsa kritikët vënë në dukje sfidat që lidhen me të kaluarën e partisë, veçanërisht rolin e saj gjatë luftës së pavarësisë së vitit 1971 dhe qëndrimet për çështje si të drejtat e grave.

Megjithatë, përpjekjet e Jamaat-it për të zgjeruar mbështetjen, përfshirë edhe nominimin e një kandidati hindu për herë të parë, kanë rritur profilin e saj brenda dhe jashtë vendit. Diplomatë europianë, perëndimorë dhe madje edhe indianë kanë zhvilluar takime me Rahmanin muajt e fundit.

Ndërsa zgjedhjet afrohen, një pyetje që deri vonë dukej e paimagjinueshme po shtrohet gjithnjë e më shpesh në Bangladesh: a mund të bëhet Shafiqur Rahman kryeministri i ardhshëm i vendit? /mesazhi

Exit mobile version