Supremja heq dorë nga çështja panevojshmërisht e nxehtë: E ka në dorë Arsimi!
Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur poshtë një padi që kërkonte lejimin e bartjes së shamisë islame në shkollat e Kosovës, duke konfirmuar se Ministria e Arsimit e ka në dorë të vendosë për rregullat e veshjes së nxënësve në shkolla.
Siç raporton REL, ka qenë Rrjeti i Femrave për Zhvillim Profesional – “Arrita”, i cili i kishte kërkuar Supremes që ta shpallte të paligjshëm dhe ta shfuqizonte nenin e udhëzimit administrativ 06/2014 të Ministrisë së Arsimit në lidhje me kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënës të shkollave të mesme të larta.
Rrjeti argumentonte se udhëzimi administrativ në fjalë nuk mund ta ndalonte ushtrimin e të drejtave dhe lirive kushtetuese të vajzave që mbajnë shaminë islame, e njohur edhe si hixhab.
Ky rrjet tha në padi se në katër vitet e fundit kishte pranuar ankesa të shumta nga vajzat që janë përjashtuar nga shkollat publike ose të cilave u është pezulluar vijimi i rregullt i procesit mësimor për shkak të bartjes së shamisë.
Por Supremja tha se padia ishte e pabazuar, duke shtuar se Ministria e Arsimit ka autorizim të qartë ligjor për të përcaktuar rregulla për sjelljen e nxënësve, përfshirë edhe rregullat për veshjen – uniformën.
“Rrjedhimisht, akti nënligjor është në përputhje me autorizimin e shprehur ligjor të dhënë nga ligjvënësi. Përcaktimi sikurse në aktin e kontestuar, me të cilin ndalohet bartja e uniformës fetare në shkolla, gjen mbështetje në një akt më të lartë ligjor për nga fuqia hierarkike, andaj si i tillë nuk mund të shfuqizohet”, thuhet në arsyetimin e Supremes.
Në udhëzimin administrativ 6/2014 të MASHT-it, në nenin 3, thuhet se nxënësve u ndalohet “bartja e uniformës fetare” në shkolla, por nuk specifikohet se ç’nënkupton kjo lloj uniforme.
Rrjeti, në padinë tij, argumentonte gjithashtu se Kushtetuta e Kosovës ua mundëson qytetarëve lirinë e besimit dhe të drejtën për ta manifestuar fenë.
Kushtetuta, gjithashtu, saktëson se “liria e manifestimit të fesë, besimit dhe ndërgjegjes mund të kufizohet me ligj, nëse një gjë e tillë është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit, ose të të drejtave të personave të tjerë”.
Kufizimi “vetëm me ligj” i të drejtave dhe lirive që burojnë nga Kushtetuta, saktësohet edhe në Nenin 55 të aktit më të lartë juridik të Kosovës.
Në lidhje me këtë, Supremja e citoi një aktvendim të Kushtetueses nga viti 2011 për interpretimin e të drejtave dhe lirive themelore në pajtim me vendimet gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, i cili thoshte se “liria fetare është kryesisht një çështje e ndërgjegjes individuale dhe përfshin edhe manifestimin e fesë në mënyrë private dhe publike, por nuk mbulon çdo veprim të motivuar nga feja”.
“Gjykata ka vënë në dukje se rregullat lidhur me bartjen e simboleve fetare në institucionet arsimore ndryshojnë nga vendi në vend, duke u bazuar në traditat kombëtare dhe nevojën për mbrojtjen e të drejtave dhe rendit publik”, thuhet në njoftim.
Çështja e largimit nga institucionet arsimore të nxënëseve që bartin shami ka qenë problem i kahmotshëm në Kosovë, shkruan REL.
Në vitin 2010, MASHTI e nxori udhëzimin administrativ që ka përcaktuar kodin e mirësjelljes dhe masat disiplinore për nxënësit e shkollave të mesme të larta, përmes të cilit, po ashtu, është ndaluar bartja e uniformave fetare.
E njëjta ndalesë është përsëritur edhe në udhëzimin administrativ të MASHT-it të vitit 2014.
Bashkësia Islame e Kosovës kundërshtoi asokohe duke thënë se shamia nuk ishte uniformë fetare.
Shamia apo hixhabi, sipas interpretimit të BIK-ut, është normë në traditën e besimit islam dhe nuk paraqet veshje uniforme të një modeli, ngjyre apo materiali, me të cilin identifikohen organizatat apo institucionet e caktuara.
Instituti i Kosovës për Drejtësi tha për Radion Evropa e Lirë se në nenin 3 të udhëzimit administrativ 6/2014 ka ndalesa të përgjithshme, interpretimi i të cilave nuk saktësohet.
Sipas tij, interpretimet e ndryshme të dispozitave nga palët e caktuara, rrisin rrezikun për të krijuar situata të trajtimit selektiv të rasteve, përfundon raportimin REL.
Dhe kujtojmë se për krahasim, në Shqipëri prej vitesh shamia te femra besimtare nuk përbën më çështje për debat. Në shkolla apo institucione shtetërore, deri në kryeministri, shamia është prezente pa asnjë lloj diskutimi, aq më pak tendence për ndalim.
