Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA, arrestohen rreth 700 emigrantë të paligjshëm

SHBA, arrestohen rreth 700 emigrantë të paligjshëm

Agjentët federalë arrestuan të mërkurën rreth 700 emigrantë pa dokumente gjatë një operacioni në fabrikat e përpunimit të ushqimit në Misisipi, që u vlerësua si më i madhi i zhvilluar në Shtetet e Bashkuara në 10 vjet.

Të dyshuarit u vendosën në qendra paraburgimi në gjashtë qytete të ndryshme të Misisipit. Operacioni u shoqërua me protesta nga të afërmit dhe miqtë e emigrantëve të arrestuar, që kërkonin lirimin e tyre.

Sipas dëshmitarëve disa nga emigrantët u përpoqën të largohen, por autoritetet arritën t’i kapin. Pjesa më e madhe e emigrantëve janë nga Amerika Latine.

Zyrtarët e agjencisë së Emigracionit dhe Doganave thanë se emigrantët u dërguan në një bazë ushtarake për t’iu nënshtruar një procesi verifikimi. Disave prej tyre iu vendosën vëzhgues elektronikë në kyçit e këmbës, në pritje të caktimit të një date për procesin gjyqësor.

Asnjë nga kompanitë e ushqimit ku u zhvillua operacioni e së mërkurës nuk kanë bërë deri tani asnjë koment.

Muajin e kaluar Presidenti Donald Trump njoftoi zhvillimin e një seri operacionesh në të gjithë vendin, duke paralajmëruar arrestimin e mijëra emigrantë të paligjshëm./VOA

Exit mobile version