Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA-ja dhe Kina finalizojnë shitjen e TikTok-ut te një konsorcium amerikan

SHBA-ja dhe Kina finalizojnë shitjen e TikTok-ut te një konsorcium amerikan

TikTok-u njoftoi të enjten krijimin e një sipërmarrjeje të përbashkët kryesisht në pronësi të SHBA-së për të vazhduar operacionet e saj në SHBA, pas marrëveshjes së arritur midis Washingtonit dhe Pekinit, transmeton Anadolu.

“Sot, TikTok USDS Joint Venture LLC është themeluar në përputhje me urdhrin ekzekutiv të nënshkruar nga presidenti (Donald) Trump më 25 shtator 2025, duke u mundësuar tani më shumë se 200 milionë amerikanëve dhe 7.5 milionë bizneseve të vazhdojnë të zbulojnë, krijojnë dhe të lulëzojnë si pjesë e komunitetit dhe përvojës së gjallë globale të TikTok-ut”, njoftoi kompania në një deklaratë.

Ajo vuri në dukje se sipërmarrja e përbashkët do të funksionojë sipas masave mbrojtëse të përcaktuara që mbrojnë sigurinë kombëtare përmes mbrojtjeve gjithëpërfshirëse të të dhënave, sigurisë së algoritmeve, moderimit të përmbajtjes dhe sigurimeve të softuerit për përdoruesit amerikanë.

Sipërmarrja e përbashkët do të ketë tre investitorë menaxhues, përfshirë Oracle, Silver Lake dhe kompaninë e inteligjencës artificiale MGX me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, secili me nga 15 për qind të aksioneve. Ndërkohë, kompania mëmë kineze ByteDance do të mbajë 19.9 për qind.

Pjesëmarrës të tjerë përfshijnë Susquehanna, Dragoneer dhe DFO, zyra familjare e themeluesit të Dell Technologies, Michael Dell. Trump përshëndeti finalizimin e marrëveshjes në platformën e tij Truth Social.

“Jam shumë i lumtur që kam ndihmuar në shpëtimin e TikTok-ut! Tani do të jetë në pronësi të një grupi patriotësh dhe investitorësh të mëdhenj amerikanë, më të mëdhenjtë në botë, dhe do të jetë një zë i rëndësishëm”, shkroi ai.

Trump gjithashtu falënderoi presidentin kinez Xi Jinping për bashkëpunimin me SHBA-në dhe miratimin e marrëveshjes. “Ai mund të kishte shkuar në anën tjetër, por nuk e bëri dhe vlerësohet për vendimin e tij”, presidenti amerikan.

Më parë, faqja amerikane e internetit “Semafor” raportoi se Washingtoni dhe Pekini kishin arritur marrëveshjen për të shitur operacionet amerikane të TikTok-ut te një grup investitorësh kryesisht me bazë në SHBA.

Mbyllja përputhet me një afat të 22 janarit të vendosur nga Trumpi nëpërmjet një urdhri ekzekutiv që parashikonte pezullim të përkohshëm të një ndalimi federal të aplikacionit.

Ndërsa legjislacioni i vitit 2024 kërkonte shitje për shkak të shqetësimeve për privatësinë e të dhënave, Trumpi e zgjati afatin disa herë për të lehtësuar tranzicionin. Pavarësisht se platforma e ndarjes së videove u mbyll për pak kohë para inaugurimit të Trumpit, ajo u rivendos pas ndërhyrjes së tij presidenciale.

Exit mobile version