Kryediplomati Blinken u kërkoi të gjitha palëve “që t’i përmbahen plotësisht armëpushimit të OKB-së për hir të popullit jemenas” dhe “të shfrytëzojnë këtë moment vendimtar” për t’iu përgjigjur thirrjes së jemenasve për paqe
Shtetet e Bashkuara u kanë kërkuar rivalëve ndërluftues në Jemen që të respektojnë plotësisht armëpushimin dymujor të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin njoftimin e OKB-së për një armëpushim dymujor në konfliktin e Jemenit dhe pranimin e kushteve të tij nga palët”, tha në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.
Blinken tha se i dërguari i posaçëm i SHBA-së në Jemen, Tim Lenderking, “ka qenë aktivisht i përfshirë në përpjekjet diplomatike me palët dhe të dërguarin e posaçëm të OKB-së (për Jemenin) Hans Grundberg për të lehtësuar këtë hap të rëndësishëm”.
Ai shprehu shpresën se armëpushimi, “nëse zbatohet plotësisht, do të ndalojë luftimet dhe sulmet për të paktën 60 ditë dhe do të lehtësojë qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, duke sjellë lehtësim shumë të nevojshëm për miliona jemenas që mbajnë muajin e shenjtë të Ramazanit”.
Blinken u kërkoi të gjitha palëve “që t’i përmbahen plotësisht armëpushimit të OKB-së për hir të popullit jemenas” dhe “të shfrytëzojnë këtë moment vendimtar” për t’iu përgjigjur thirrjes së jemenasve për paqe.
Ai gjithashtu u bëri thirrje palëve që “të kthejnë përpjekjet e tyre në sigurimin e një armëpushimi të qëndrueshëm dhe pjesëmarrjen në një proces politik gjithëpërfshirës” të udhëhequr nga Grundberg dhe “të bëjnë kompromis e të zgjedhin dialogun mbi dhunën” në mënyrë që të arrihet një “fund i qëndrueshëm i konfliktit”.
Të premten, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Jemenin, Hans Grundberg, tha se palët ndërluftuese në vend kanë rënë dakord për një armëpushim “të vonuar” dymujor që do t’i ndalojë të gjitha operacionet sulmuese ushtarake ajrore, tokësore dhe detare.
Pakti hyn në fuqi sot në orën 19:00 me kohën lokale.
Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë Sanaa.
Sipas OKB-së, konflikti ka krijuar një nga krizat më të këqija humanitare në botë të shkaktuar nga faktori njeri. /aa
