Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Zyrtari i lartë sudanez: “Asnjë negociatë, asnjë armëpushim” me RSF-në

Zyrtari i lartë sudanez: “Asnjë negociatë, asnjë armëpushim” me RSF-në

Malik Agar Ayyir

Një zyrtar i lartë i Këshillit Sovran të Tranzicionit të Sudanit (TSC) ka përjashtuar çdo mundësi negociatash ose armëpushimi me Forcat paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), ndërsa luftimet vazhdojnë të shkatërrojnë vendin.

Zëvendëskryetari i TSC-së, Malik Agar Ayyir, deklaroi se “nuk ka armëpushim dhe nuk ka negociata me një forcë pushtuese”, duke theksuar se paqja e drejtë për Sudanin do të arrihet vetëm përmes vizionit dhe rrugëzgjidhjes së popullit dhe qeverisë sudaneze. Deklarata u publikua të enjten nga Ministria e Kulturës, Medias dhe Turizmit.

Duke folur para ministrave dhe zyrtarëve shtetërorë në Port Sudan, qytetin lindor ku është vendosur aktualisht qeveria, Agar hodhi poshtë pretendimet se lufta po zhvillohet për “demokraci”. Ai e përshkroi konfliktin si një “luftë për burime dhe përpjekje për të ndryshuar strukturën demografike të Sudanit”, duke theksuar rëndësinë e forcimit të unitetit kombëtar.

Këto deklarata vijnë pak ditë pasi kryeministri sudanez, Kamil Idris, paraqiti para Këshillit të Sigurimit të OKB-së një plan për t’i dhënë fund luftës që ka hyrë në vitin e tretë.

Plani, në përputhje me qëndrimin e ushtrisë dhe qeverisë sudaneze, parashikon tërheqjen e forcave të RSF-së nga zonat e mëdha që kanë marrë nën kontroll me forcë në perëndim dhe qendër të vendit. Më pas, luftëtarët e RSF-së do të vendoseshin në kampe, do të çarmatoseshin dhe ata që nuk janë të përfshirë në krime lufte do të mund të riintegroheshin në shoqëri.

Nga ana tjetër, RSF-ja e ka refuzuar vazhdimisht idenë e dorëzimit të territoreve. Al-Basha Tibiq, këshilltar i lartë i komandantit Mohamed Hamdan “Hemedti” Dagalo, e ka cilësuar këtë plan si “më afër fantazisë sesa politikës”. /mesazhi

Exit mobile version