Më shumë se 14.000 fluturime janë anuluar në mbarë SHBA-në deri të hënën, pasi një stuhi dimërore potencialisht historike po pengon trafikun ajror, sipas shërbimeve të gjurmimit të fluturimeve, transmeton Anadolu.
Të dhënat nga “FlightAware” treguan 3.898 anulime të shtunën, me 8.822 të tjera të pritshme të dielën dhe edhe 1.549 të hënën. Të shtunën u regjistruan gjithashtu më shumë se 3.004 vonesa fluturimesh.
Miliona njerëz në gjithë SHBA-në po përballen me gjendje emergjence, pasi stuhia pritet të prekë zona nga Jugperëndimi deri në Verilindje, duke nisur nga e shtuna.
Shërbimi Kombëtar Meteorologjik tha se reshje të dendura bore do të godasin nga Oklahoma deri në jug të shtetit Maine, ndërsa “shira të ngrirë dhe breshër akulli” parashikohen në gjithë Jugun dhe Juglindjen.
Presidenti amerikan Donald Trump kishte paralajmëruar më herët se një “valë të ftohti rekord” pritet të godasë dhjetëra shtete. Trump miratoi shpalljen e gjendjes së emergjencës për 12 shtete, ndërsa të paktën 22 shtete dhe Washington DC kanë shpallur gjendje emergjence.
