Mes tensioneve në rritje midis Kremlinit dhe Perëndimit, SHBA ka theksuar se Rusia mund të pushtojë Ukrainën “në çdo kohë”, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Ne mendojmë se është e rëndësishme të jemi të hapur dhe të sinqertë në lidhje me kërcënimin nga Rusia. Nuk janë vetëm fjalë, natyrisht. Ju po shihni specifikat që ne kemi paraqitur”, u tha gazetarëve Jen Psaki, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë.
“Përpjekjet tona janë të sigurohemi se po informojmë publikun amerikan dhe komunitetin global për seriozitetin e këtij kërcënimi, edhe pse ne punojmë me ukrainasit, me evropianët, me qëllim për t’u siguruar që jo vetëm t’i përgatisim dhe t’u ofrojmë furnizimet që ata kanë nevojë, por edhe duke u ngritur dhe duke ua bërë të qartë rusëve se cilat do të jenë pasojat”, shtoi Psaki.
SHBA-ja dhe aleatët e saj evropian për më shumë se një muaj kanë paralajmëruar për një pushtim të mundshëm të Ukrainës nga Rusia, pasi vlerësimet perëndimore tregojnë se numri i trupave ruse të pozicionuara përgjatë kufirit me Ukrainën është mbi 100 mijë.
Në Bjellorusinë fqinje, paralajmëroi më herët i dërguari i SHBA-së në Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia po synon të rrisë praninë e saj në 30 mijë trupa.
Në të dyja rastet, Rusia mohon planifikimin për një pushtim, duke theksuar se trupat e saj po marrin pjesë në një stërvitje të rregullt.
Rritja e trupave vjen tetë vite pasi Rusia aneksoi ilegalisht Gadishullin e Krimesë së Ukrainës dhe nisi mbështetjen e saj për rebelët separatistë që veprojnë në Ukrainën lindore. /aa
