Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA, rritet në 69 numri i të vdekurve nga koronavirusi

SHBA, rritet në 69 numri i të vdekurve nga koronavirusi

Universiteti “Johns Hopkins” ka njoftuar se numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi i ri në SHBA është rritur në 69, transmeton Anadolu Agency (AA).

Numri i përgjithshëm i rasteve të konfirmuara është rreth 3.800 ndërsa shumica e vdekjeve nga virusi vdekjeprurës kanë ndodhur në shtetin Washington, ku fillimisht u shfaq virusi.

Raste të vdekjeve janë raportuar në gjithsej 12 shtete, megjithatë përpos Washingtonit, numri i vdekjeve në shtetet tjera mbetet njëshifror.

Universiteti njoftoi se deri më tani në SHBA janë shëruar 12 persona me Covid-19.

Ndërkohë, Associated Press ka cituar një zyrtar qeveritar sipas së cilit sot ka filluar testimi i vaksinës së koronavirusit.

Nga Shtëpia e Bardhë përmes një kumtese njoftuan se administrata e Trumpit gjatë kësaj jave do të vendosë lokacione të testimit në shtetet e goditura më shumë nga koronavirusi.

Secila prej këtyre njësive do të jetë në gjendje të kontrollojë çdo ditë 2.000 deri 4.000 individë, me përparësi të dhënë punonjësve të kujdesit shëndetësor, emergjencave dhe më të moshuarve se 65 vjeç që kanë një simptomë të frymëmarrjes dhe temperaturë prej 37.5 C.

Administrata është kritikuar për mungesën e materialeve testuese, ndërsa disa shtete kanë thënë se autoritetet federale duhet t’u lejojnë të zhvillojnë testet e tyre.

Presidenti Donald Trump të premten shpalli urgjencë kombëtare në përpjekje për të penguar përhapjen e virusit në SHBA.

Duke ndërmarrë këtë veprimin, Trump tha se kjo do t’i mundësojë të “aktivizojë fuqinë e plotë të qeverisë federale”, përfshirë lirimin e fondeve deri në 50 miliardë dollarë për të ndihmuar përpjekjet shtetërore dhe lokale.

Ai shtoi se qeveria e tij po ndërmerr hapat e nevojshëm “për t’u siguruar që ata që kanë nevojë, të mund të kryejnë një test të sigurt, të shpejtë dhe të përshtatshëm”.

Pas shfaqjes së virusit në qytetin kinez Wuhan dhjetorin e kaluar, virusi është përhapur në të paktën 150 shtete dhe territore.

Exit mobile version