Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA-të fajësojnë Kim-in për dështimin e samitit të dy liderëve

SHBA-të fajësojnë Kim-in për dështimin e samitit të dy liderëve

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) thonë se lideri i Koresë së Veriut nuk ishte i gatshëm për një marrëveshje të cilën Uashingtoni e kishte ofruar gjatë takimit të presidentit Donald Trump dhe liderit verikorean Kim Jong-un në Vietnam javën e kaluar, i cili papritmas u ndërpre, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një prononcim për televizionin amerikan CBS News të dielën, këshilltari i Sigurisë Kombëtare të SHBA-ve, John Bolton tha se Kim Jong-un “nuk ishte i gatshëm të pranojë marrëveshjen e madhe të presidentit amerikan, Donald Trump”.

Megjithatë, deklarata e bërë nga Bolton është në kundërshtim me atë të Phenianit në samitin e Hanoit.

“Atë që ne kërkuam ishte heqja e pjesshme e sanksioneve, jo të tërat”, tha ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Ri Yong Ho.

“Më saktësisht, kërkuam heqjen e pesë nga gjithsej 11 sanksioneve të cilat u vendosën në vitet 2016 dhe 2017, që ndikojnë në jetën e njerëzve”, shtoi më tej Ho.

Kujtojmë se gjatë largimit nga samiti në Hanoi, presidenti amerikan Trump tha se “çështja ka të bëjë me sanksionet, pasi Kim kërkoi heqjen e plotë të cilën ne nuk mund ta bëjmë, megjithatë nuk kemi hequr dorë”.

Bolton nga ana e tij refuzoi të karakterizojë samitin e Hanoit si një dështim, nga fakti se Trump dhe Kim u ndanë në fillim të ditës së dytë të takimit.

“Nuk mendoj se jemi në ndonjë formë më të keqe të raporteve sesa në periudhat e kaluara. Përkundrazi mendoj se jemi në një pozitë më të favorshme sepse fushata e presionit maksimal ashtu siç quhet, është të vendosë sanksione më të rrepta ekonomike mbi Korenë e Veriut, ndërsa zbatimi i tyre efektiv, i solli ata në këtë stad ku ndodhen”, tha Bolton.

Bolton sqaroi se bisedimet e gjera midis presidentit Trump dhe Kim Jong-un ishin përqendruar te çështja nëse Koreja e Veriut ishte e gatshme të pranonte atë që presidenti e quajti ‘marrëveshja e madhe’, që kupton denuklearizimin e plotë që sjell një potencial për një të ardhme të madhe ekonomike.


Exit mobile version