Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA-të përzënë shqiptarin pas 17 vitesh dhe i arrestojnë gruan e djalin

SHBA-të përzënë shqiptarin pas 17 vitesh dhe i arrestojnë gruan e djalin

Vitor Pukri, baba i tre fëmijëve me banim në Clifton, New Jersey, u dëbua për në Shqipëri, ndonëse kishte 17 vite që jetonte në SHBA.

Dy muaj më parë ai kishte pranuar të takohej me oficerë të emigracionit duke menduar se po e intervistonin për të ndrequr statusin e tij në SHBA. Qysh atëherë ka qenë në burgun e emigrantëve të paligjshëm, shkruan “Illyria”.

Pukri bëhet kështu shqiptari i radhës që dëbohet nga SHBA për shkak të mungesës së një statusi të ligjshëm, përcjell albinfo.ch.

Ai jetonte që nga viti 2001, në SHBA, dhe në 2011 ishte vendosur në Clifton. Avokati i tij tha se Bordi i Apelit ia refuzoi kërkesën për të ndaluar dëbimin dhe brenda pak orësh e hipën në avion. “Është e pabesueshme që ndodhi në kohë rekord”, tha ai. “Nuk kam parë ndonjë rast që ta dëbojnë brenda 24 orëve”.

Procedurat mund të jenë përshpejtuar për shkak të linjës së fortë të presidentit Donald Trump lidhur me emigrantët pa status ligjor.

Një zëdhënës për emigracionin tha se bashkëshortja e tij, Neta Pukri dhe një nga djemtë, Mikel Pukri u arrestuan sepse u përpoqën të pengonin me forcë dëbimin duke sulmuar në aeroport oficerët e emigracionit.

Avokati tha se do të kërkonte lirimin e Neta Pukrit për arsye humanitare, sepse ka një vajzë 11-vjeçare që ka nevojë për praninë e një prindi dhe e cila është nënshtetase amerikane.

Përveç Mikelit, 21-vjeçar, familja Pukri ka edhe një djalë tjetër 26-vjeçarin, Bepin.

Exit mobile version