Shefi i agjencisë kufitare të BE-së ka dhënë dorëheqjen pas një hetimi për përfshirjen e agjencisë në dëbimet e paligjshme, raportuan disa media sot, transmeton Anadolu Agency (AA).
Dorëheqja e Fabrice Leggeri-t, drejtori ekzekutiv i Frontex-it, erdhi pasi një tjetër hetim i përbashkët i mediave prestigjioze evropiane zbuloi se pavarësisht mohimit publik, agjencia kufitare e BE-së ishte e përfshirë në dëbimin e paligjshëm të azilkërkuesve në Detin Egje, sipas bazës së të dhënave të tyre.
Politico, Der Spiegel dhe Lighthouse Reports raportuan se Leggeri ka dhënë dorëheqjen dhe ia ka komunikuar vendimin bordit të menaxhimit të agjencisë.
Mbikëqyrësi i BE-së kundër mashtrimit Olaf pritet të publikojë raportin e tij mbi dyshimet rreth menaxhimit të Frontex.
Një raport tjetër i Olaf-it, i cili nuk është ndarë me publikun e gjerë për shkak të ndjeshmërisë së informacionit, sipas një zyrtari të BE-së që foli në kushte anonimiteti për AA, ka konfirmuar gjithashtu përfshirjen e Frontex-it në dëbimet e refugjatëve.
Sipas burimit, Leggeri dhe zyrtarë të tjerë të lartë ishin gjithashtu në dijeni të aktivitetit të paligjshëm, por u përpoqën të mbulonin këto veprime.
Një hetim i përbashkët i kryer nga gazeta franceze Le Monde, e përjavshmja gjermane Der Spiegel, gazetat zvicerane SRF Rundschau dhe Republik dhe Lighthouse Reports me qendër në Holandë zbuluan të enjten se Frontex ishte përfshirë në 22 dëbime midis marsit 2020 dhe shtatorit 2021.
Agjencia e BE-së i regjistroi incidentet, në të cilat të paktën 957 azilkërkues u hoqën nga gomonet e tyre dhe u futën në gomone shpëtimi greke dhe u lanë në det, si “parandalim i ardhjes”, nënvizoi hetimi.
Që nga viti 2015, organizatat e të drejtave të njeriut dhe organet kryesore të medias kanë raportuar shpesh për dëbime të paligjshme dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut të autoriteteve greke, si dhe bashkëpunimin e Frontex-it në këto akte që shkelin ligjin e BE-së dhe atë ndërkombëtar. /aa
