Drejtori ekzekutiv i Mercedesit dhe presidenti i Shoqatës Evropiane të Prodhuesve të Automjeteve (ACEA), Ola Källenius, paralajmëron për ndalimin e shitjes së makinave të reja me motorë me djegie të brendshme në Bashkimin Evropian nga viti 2035. Ai pohon se kjo vendim do të shkaktojë një kolaps të shitjeve të veturave në Evropë.
“Na duhet një verifikim realiteti. Përndryshe do të përplasemi me mur me gjithë shpejtësi”, thotë Källenius për gazetën gjermane Handelsblatt.
Ai paralajmëron se kjo vendim, që de facto do të thotë shitje ekskluzive të automjeteve elektrike, do të shkaktojë kolaps në tregun evropian të makinave, përveç nëse politikanët ndryshojnë kurs, vendim ky që pritet të hyjë në fuqi pas pak më shumë se nëntë vitesh.
“Natyrisht që duhet të ulim emetimet e dioksidit të karbonit, por kjo duhet të bëhet në një mënyrë teknologjikisht neutrale. Nuk duhet ta humbasim nga sytë ekonominë tonë”, shtoi ai.
Ola Källenius dhe ACEA kërkojnë një kalim më të butë drejt automjeteve elektrike. Ata gjithashtu kërkojnë çmime më të ulëta në stacionet e karikimit dhe subvencione për blerësit e veturave elektrike për të nxitur kalimin. Aktualisht, industria e automobilave është nën presionin e politikanëve të BE-së, tarifave nga Donald Trump dhe konkurrencës kineze.
“Industria jonë po përjeton njëkohësisht shi të fortë, breshër, stuhi dhe borë. Prodhimi i auomjeteve është më sfidues se kurrë më parë”, deklaroi Källenius.
Automjetet elektrike janë ende larg përqindjes 100 për qind të tregut që BE synon të imponojë. Në gjysmën e parë të vitit, veturat pa motorë me djegie të brendshme përbënin vetëm 17.5 për qind të shitjeve totale në vendet e BE-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe vendet e Shoqatës Evropiane të Tregtisë së Lirë (EFTA), përkatësisht Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën.
Të dhënat e ACEA-s tregojnë gjithashtu se hibridët plug-in përbënin vetëm 8.7 për qind të dërgesave totale. Hibridët tradicionalë përbënin 35 për qind, por kjo përfshin edhe hibridët e lehtë, të cilët shumëkush i konsideron se nuk janë hibridë të vërtetë.
