Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i OKB-së dënon “hyrjen e paligjshme” të forcave izraelite në qendrën...

Shefi i OKB-së dënon “hyrjen e paligjshme” të forcave izraelite në qendrën shëndetësore të UNRWA-s

Kreu i OKB-së dënoi “fuqishëm” veprimet e Izraelit në Kudsin Lindor të pushtuar, pas asaj që ai e përshkroi si një “hyrje të paligjshme” në një objekt të Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) dhe një vendimi për mbylljen e një qendre kyç shëndetësore, transmeton Anadolu.

“Sekretari i Përgjithshëm (Antonio Guterres) dënon fuqishëm hyrjen e paligjshme të autoriteteve izraelite më 12 janar në një pronë të Kombeve të Bashkuara në Kudsin Lindor të pushtuar, Qendrën Shëndetësore të UNRWA-së në Kuds, si dhe urdhrin për mbylljen e saj të përkohshme”, tha zëdhënësi i tij, Farhan Haq, në një deklaratë.

Në deklaratë thuhet se Guterres është “gjithashtu thellësisht i shqetësuar që UNRWA është njoftuar se ofruesit e shërbimeve komunale së shpejti do të ndërpresin furnizimin me energji elektrike dhe ujë për disa objekte të UNRWA-s në Kudsin Lindor të pushtuar”.

Duke rikujtuar detyrimet e Izraelit sipas së drejtës ndërkombëtare, Haq shtoi se Guterres “shpreh keqardhje të thellë që autoritetet izraelite kanë vazhduar të ndërmarrin veprime të mëtejshme në kundërshtim me detyrimet e tyre sipas së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Konventën për Privilegjet dhe Imunitetet e Kombeve të Bashkuara”.

Pas një ligji të miratuar nga Knesseti më 31 dhjetor 2025, autoritetet palestineze raportuan se qeveria izraelite të martën filloi të urdhërojë ndërprerjen e energjisë elektrike dhe ujit për ndërtesat e operuara nga UNRWA në Kudsin Lindor të pushtuar.

Në vitin 2024, Knesseti miratoi legjislacion që ndalon aktivitetet e kësaj agjencie të OKB-së në Izrael, duke përmendur pretendime se disa punonjës të UNRWA-s ishin të përfshirë në ngjarjet e 7 tetorit 2023, akuza që agjencia i ka mohuar.

OKB-ja ka deklaruar se UNRWA u përmbahet standardeve të rrepta të neutralitetit.

UNRWA u themelua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më shumë se 70 vjet më parë për të ndihmuar palestinezët që u dëbuan me forcë nga tokat e tyre.

Exit mobile version