Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i OKB-së dënon sulmet izraelite në Liban

Shefi i OKB-së dënon sulmet izraelite në Liban

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres dënoi sulmet e Izraelit në Liban, duke paralajmëruar për një numër në rritje të viktimave civile dhe rreziqe për përpjekjet rajonale të armëpushimit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të mërkurën, Guterres tha se sulmet e 8 prillit rezultuan në vrasjen dhe plagosjen e qindra civilëve, përfshirë fëmijë dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme në infrastrukturën civile. Ai shprehu alarm të thellë për numrin në rritje të viktimave civile dhe dënoi fuqimisht humbjen e jetës.

Shefi i OKB-së i shprehu ngushëllimet e tij qeverisë dhe popullit të Libanit dhe u uroi shërim të shpejtë të plagosurve. “Me shpalljen e armëpushimit midis Iranit dhe SHBA-së, aktiviteti ushtarak në Liban përbën rrezik të madh për armëpushimin dhe përpjekjet drejt një paqeje të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse në rajon”, thuhet në deklaratë.

“Sekretari i Përgjithshëm përsërit thirrjen e tij drejtuar të gjitha palëve që të ndërpresin menjëherë armiqësitë”, theksohet në deklaratë.

Guterres potencoi nevojën për të mbështetur të drejtën ndërkombëtare, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare. Ai tha se civilët dhe infrastruktura civile duhet të mbrohen në çdo kohë dhe se sulmet janë të papranueshme.

Më tej Guterres shtoi se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të ndjekin kanalet diplomatike dhe të riangazhohen për zbatimin e plotë të Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Irani dhe SHBA-ja njoftuan të martën një armëpushim dyjavor që synon të hapë rrugën për një marrëveshje përfundimtare për t’i dhënë fund luftës së nisur nga SHBA-ja dhe Izraeli kundër Iranit më 28 shkurt, e cila ka lënë shumë të vrarë dhe të plagosur.

Njoftimi erdhi në më pak se dy orë para skadimit të afatit që presidenti amerikan Donald Trump e zgjati vazhdimisht për Iranin për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për të pranuar një marrëveshje ose do të përballej me “shkatërrimin e një qytetërimi të tërë”.

Exit mobile version