Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për një qeverisje globale gjithëpërfshirëse të inteligjencës artificiale, duke deklaruar se teknologjia duhet të formësohet nga të gjitha vendet dhe jo nga një numër i vogël qeverish ose kompanish, transmeton Anadolu.
Duke folur në ceremoninë e hapjes së Konferencës Botërore të Inteligjencës Artificiale në Shangai, Guterres e përshkroi inteligjencën artificiale si “mundësinë më të madhe të njerëzimit në shekullin 21”, ndërsa paralajmëroi se ajo mund të bëhet gjithashtu “një nga rreziqet më të mëdha”.
“Teknologjia që do të formësojë të ardhmen e njerëzimit duhet të formësohet nga i gjithë njerëzimi”, tha ai duke theksuar se inteligjenca artificiale “nuk mund të qeveriset nga një grusht vendesh ose kompanish” dhe se “çdo komb duhet të ketë një vend në tryezë”.
Guterres tha se OKB-ja ka zgjeruar punën e saj për qeverisjen e inteligjencës artificiale pas miratimit të Paktit Global Digjital dhe krijimit të Panelit të Pavarur Shkencor Ndërkombëtar për inteligjencën artificiale, të mbështetur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.
Ai shtoi se faza e ardhshme duhet të përqendrohet në shndërrimin e angazhimeve në mbështetje praktike, në mënyrë që të gjitha vendet të mund të përfitojnë nga zhvillimi i inteligjencës artificiale. Duke theksuar potencialin e inteligjencës artificiale për të avancuar kujdesin shëndetësor, arsimin, sistemet ushqimore dhe punësimin, Guterres paralajmëroi se shumë vende në zhvillim rrezikojnë të mbeten pas.
“Një e treta e njerëzimit është ende jashtë internetit”, tha ai duke shtuar se fuqia kompjuterike, ekspertiza teknike dhe investimet mbeten të përqendruara në një numër të kufizuar vendesh dhe kompanish. Pa adresuar këto pabarazi, tha ai, inteligjenca artificiale mund të çojë në “pabarazi më të mëdha, ndarje më të mëdha në të ardhura, mundësi dhe siguri”.
Guterres tha se së shpejti do të paraqesë rekomandime për një Fond Global për inteligjencën artificiale dhe u bëri thirrje qeverive ta mbështesin atë së bashku me Rrjetin Global për Shkëmbim dhe Bashkëpunim për Ndërtimin e Kapaciteteve të Inteligjencës Artificiale, të mbështetur nga OKB-ja.
Ai përcaktoi tre prioritete për qeverisjen globale të inteligjencës artificiale, respektivisht zgjerimin e kapaciteteve të inteligjencës artificiale në vendet në zhvillim, krijimin e standardeve ndërkombëtare të sigurisë dhe përmirësimin e qëndrueshmërisë mjedisore.
“Asnjë sistem i inteligjencës artificiale nuk duhet t’i vihet në duart e një fëmije para se të jetë provuar se është i sigurt”, tha ai.