Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësim të thellë për miratimin e fundit të Izraelit të masave që synojnë forcimin e kontrollit në Bregun Perëndimor të pushtuar, transmeton Anadolu.
“Sekretari i përgjithshëm është thellësisht i shqetësuar për vendimin e raportuar të kabinetit të sigurisë izraelite për të autorizuar një seri masash administrative dhe zbatimi në Zonat A dhe B të Bregut Perëndimor të pushtuar”, tha zëdhënësi i Guterresit, Stephane Dujarric, në një konferencë për shtyp.
Dujarric tha se shefi i OKB-së “paralajmëron se trajektorja aktuale në terren, përfshirë këtë vendim, po minon perspektivën për zgjidhjen me dy shtete”.
“Ai rithekson se të gjitha vendbanimet kolone izraelite në Bregun Perëndimor të pushtuar, përfshirë Kudsin Lindor, dhe regjimi dhe infrastruktura e tyre përkatëse, nuk kanë vlefshmëri ligjore dhe janë në shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë rezolutat përkatëse të Kombeve të Bashkuara”, tha ai.
Prania e vazhdueshme e Izraelit në territoret palestineze është “jo vetëm destabilizuese”, por edhe “e paligjshme”, shtoi ai.
Guterres po ashtu bëri thirrje “që Izraeli të tërheqë këto masa dhe që të gjitha palët të ruajnë rrugën e vetme drejt paqes së qëndrueshme, një zgjidhje e negociuar me dy shtete, në përputhje me rezolutat përkatëse të Këshillit të Sigurimit dhe ligjin ndërkombëtar”, tha Dujarric.
Kabineti i Sigurisë së Izraelit të dielën miratoi masa që synojnë ndryshimin e kornizës ligjore dhe civile në Bregun Perëndimor të pushtuar për të forcuar kontrollin izraelit.
Transmetuesi publik izraelit KAN raportoi se vendimet përfshijnë shfuqizimin e një ligji që ndalon shitjen e tokës palestineze te hebrenjtë në Bregun Perëndimor, hapjen e regjistrave të pronësisë së tokës dhe transferimin e autoritetit për dhënien e lejeve të ndërtimit në një bllok vendbanimesh kolone në Hebron nga komuna palestineze te administrata civile izraelite.
