Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shefi i sigurisë së Iranit paralajmëron përgjigje të ashpër ndërsa trazirat vazhdojnë

Shefi i sigurisë së Iranit paralajmëron përgjigje të ashpër ndërsa trazirat vazhdojnë

Zyrtari më i lartë i sigurisë në Iran ka paralajmëruar për një përgjigje të fortë ndaj asaj që ai e përshkroi si dhunë të armatosur dhe të lidhur me faktorë të jashtëm, derisa protestat e nxitura nga vështirësitë ekonomike vazhduan në të gjithë vendin për javën e tretë, transmeton Anadolu.

Ali Larijani, sekretari i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit, tha se forcat e sigurisë dhe gjyqësori janë të përgatitur të përballen me personat e përfshirë në sulme të organizuara dhe trazira të armatosura “në mënyrën më të fuqishme”, duke bërë thirrje njëkohësisht për kujdes për të shmangur dëmtimin e civilëve.

Duke folur në një intervistë televizive të transmetuar nga televizioni shtetëror iranian Press TV, Larijani tha se veprime si plaçkitja, zjarrvënia dhe sulmet ndaj objekteve publike dhe të sigurisë nuk mund të shpjegohen vetëm me pakënaqësi ekonomike.

“Një person me probleme ekonomike nuk djeg dyqane dhe nuk sulmon institucione që i shërbejnë publikut”, tha ai, duke akuzuar SHBA-në dhe Izraelin se po përpiqen të shfrytëzojnë trazirat për të destabilizuar Iranin.

Larijani tha se agjencitë e sigurisë kanë identifikuar atë që ai i quajti organizatorë kryesor të trazirave, duke shtuar se disa prej tyre tashmë janë arrestuar dhe disa të tjerë përballen me arrestim të afërt.

Ai pohoi se autoritetet kanë sekuestruar armë zjarri, përfshirë pushkë automatike dhe pistoleta, që sipas tij tregojnë planifikim dhe koordinim të mëparshëm.

Në një deklaratë tjetër, Organizata e Inteligjencës e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) tha se kundërshtarët e Iranit kanë kaluar nga presioni i drejtpërdrejtë ushtarak në përpjekje për të nxitur kaos të brendshëm, duke u zotuar të përballen me çdo veprim që kërcënon rendin publik dhe sigurinë kombëtare.

Nga atje theksuan se trazirat e fundit kanë përfshirë sulme ndaj objekteve të sigurisë dhe vrasje të civilëve dhe personelit, duke paralajmëruar se ata që planifikojnë dhe drejtojnë dhunën do të mbahen përgjegjës. Organizata shtoi se kërkesat paqësore për llogaridhënie janë legjitime, por hodhi poshtë atë që e quajti sabotim të armatosur.

Mediat iraniane, përfshirë agjencinë gjysmë-zyrtare Tasnim News Agency, raportuan arrestimin e rreth 100 personave në zonën Baharestan të provincës së Teheranit, duke cituar zyrtarë lokal që thanë se disa të ndaluar akuzohen për përdorim të armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta kundër civilëve dhe forcave të sigurisë.

Megjithatë, grupet për të drejtat e njeriut raportojnë shifra më të larta viktimash.

Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut në Iran (HRANA) me bazë në SHBA tha se të paktën 65 persona janë vrarë që nga shpërthimi i protestave muajin e kaluar, përfshirë demonstrues dhe anëtarë të forcave të sigurisë. Grupi raportoi gjithashtu më shumë se 2.300 të arrestuar dhe dhjetëra të plagosur gjatë demonstratave të mbajtura në qindra lokacione në mbarë vendin.

Irani ka përjetuar valë protestash që nga fundi i dhjetorit, kryesisht për shkak të rënies së ndjeshme të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike.

Demonstratat nisën më 28 dhjetor pranë Pazarit të Madh të Teheranit dhe më pas u zgjeruan në disa qytete.

Exit mobile version