Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi mbështetjen e plotë të Evropës për rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Sirisë, ndërsa u takua me udhëheqjen siriane gjatë vizitës së saj në Damask, transmeton Anadolu.
“Pas dekadash frike dhe heshtjeje, sirianët filluan një udhëtim të gjatë drejt shpresës dhe ripërtëritjes. Evropa do të bëjë gjithçka që mundet për të mbështetur rimëkëmbjen dhe rindërtimin e Sirisë”, shkroi von der Leyen në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, i cili shoqëroi von der Leyen, u takua me zyrtarë sirianë, përfshirë presidentin Ahmed al-Sharaa, duke thënë se vizita e BE-së tregon “mbështetje të vazhdueshme për popullin sirian”.
“Pas shumë vitesh lufte dhe vuajtjesh, rënia e regjimit të Asadit më në fund i ofroi pak shpresë popullit sirian… Ka ende një rrugë të gjatë përpara, por ju tashmë keni ndërmarrë hapat e parë”, tha ai në rrjetet sociale.
Vizita vjen pas angazhimit në rritje të BE-së me udhëheqjen e re të Sirisë. Në qershor 2025, Komisionerja Evropiane për Mesdheun, Dubravka Suica, vizitoi Sirinë dhe tha se blloku dëshironte ta shihte vendin të bëhej i qëndrueshëm dhe i begatë.
Në maj, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, njoftoi gjithashtu heqjen e sanksioneve ekonomike të vendosura nga regjimi i mëparshëm.
Bashar Asad, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, u largua në Rusi, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila kishte qenë në pushtet që nga viti 1963.
