Shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles tha se presidenti amerikan Donald Trump shfaqet në dosjet e Jeffrey Epstein, duke kundërshtuar pretendimet e përsëritura të presidentit amerikan se të dhënat janë një “mashtrim”, transmeton Anadolu.
“E dimë që ai është në dosje”, tha Wiles në një intervistë të botuar të martën nga revista “Vanity Fair”, duke shtuar se Trump “ishte në aeroplanin (e Epstein),… ai është në manifest”, dhe duke i përshkruar të dy si “një lloj ‘playboy-a’ të rinj, beqarë së bashku”.
Wiles kritikoi trajtimin e të dhënave nga prokurorja e përgjithshme Pam Bondi, duke thënë: “Nuk ka listë klientësh dhe me siguri nuk ka qenë në tavolinën e saj”.
Vërejtjet nxitën reagim të menjëhershëm nga Komiteti Kombëtar Demokrat (DNC).
Drejtoresha e reagimit të shpejtë të DNC-së, Kendall Witmer tha se “edhe shefja e stafit të Donald Trumpit nuk mund ta mbrojë atë nga makthi i tij me Epstein”, duke e akuzuar Trumpin për mashtrim të publikut dhe dështim në përmbushjen e kërkesave për llogaridhënie ndërsa rritet presioni për publikimin e dosjeve.
Në të njëjtën intervistë, Wiles tha se Trump e ka përdorur presidencën për “larje hesapesh”, duke e përshkruar atë si me “personalitet alkooliku”.
Për më tepër, ajo i etiketoi aleatët e tij të ngushtë, zëvendëspresidentin JD Vance, një “teoricient konspiracioni”, drejtorin e Zyrës së menaxhimit dhe buxhetit, Russell Vought, si një “fanatik absolut të krahut të djathtë” dhe milionerin e teknologjisë Elon Musk një “përdorues të deklaruar të ketaminës”.
Tarifat e Trumpit kishin qenë “më të dhimbshme nga sa prisja”, tha ajo gjithashtu.
Ndërkohë, javën e kaluar, Trump tha për Wiles: “Ajo është shefja e shkëlqyer e stafit”.
