Të paktën katër persona kanë humbur jetën si pasojë e shembjes së një ndërtese në qytetin e Gazës. Ngjarja ka ndodhur të shtunën në mbrëmje në lagjen Sheikh Radwan.
Autoritetet palestineze në Gaza kanë paralajmëruar për rrezikun në rritje të shembjeve të ndërtesave, duke theksuar se shumë objekte janë dëmtuar rëndë. Sipas të dhënave zyrtare, që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor, 18 persona janë vrarë në 46 raste shembjesh në të gjithë Gazën.
Ministria e Brendshme dhe Sigurisë Kombëtare ka deklaruar se ndalimi i rindërtimit dhe mungesa e shtëpive të përkohshme po e përkeqësojnë situatën. Ajo ka shtuar se kushtet e motit dimëror rrisin edhe më shumë rrezikun e shembjeve.
Shumë familje të zhvendosura janë detyruar të strehohen në ndërtesa të dëmtuara, pasi tendat nuk ofrojnë më mbrojtje të mjaftueshme. /mesazhi
