Pesëmbëdhjetë vjet ekzistencë është arritje e vërtetë. Por, pyetja e vërtetë jubilare nuk ka të bëjë me të kaluarën; ajo ka të bëjë me atë që “Shenja” vendos të bëjë tani që e ka fituar të drejtën e zërit. Në hapësirën intelektuale shqiptare ka punë themelore të papërfunduara: na mungojnë ende njohuri themelore mbi çështje që e përcaktojnë jetën tonë kolektive dhe na mungon ende tradita e argumentimit publik ku pozicionet mbrohen me arsye dhe jo me retorikë.
Sead ZIMERI, Kumanovë
Fakti që “Shenja” ka arritur numrin 180 dhe 15 vjet ekzistencë të pandërprerë është arritje që meriton njohje pa rezerva. Qëndrueshmëria në botim, në kushtet shqiptare, ku publiku i leximit është i kufizuar, burimet janë të pakta dhe tradita e publicistikës serioze është e brishtë, është virtyt i rrallë.
Por, jubileu është edhe rast i privilegjuar për vetëvlerësim dhe vetëvlerësimi i sinqertë, i lirë nga ceremoniali dhe nga vetëkënaqësia, është ndoshta mënyra më e mirë për të nderuar 15 vjet punë. Këtë frymë e kërkon edhe thirrja e vetë redaksisë dhe në këtë frymë është shkruar edhe ky kontribut.
Para se të vlerësojmë se ku qëndron “Shenja” sot, duhet bërë një pyetje e thjeshtë por kërkuese: çfarë do të thotë që një shkrim të kontribuojë? Kontributi nuk ka vetëm një formë. Një shkrim mund të kontribuojë duke sjellë njohuri të reja, duke dokumentuar diçka që nuk ishte e njohur ose që ishte e njohur vetëm sipërfaqësisht. Një shkrim tjetër mund të kontribuojë duke argumentuar, duke mbrojtur një tezë që mund të kundërshtohet dhe duke i dhënë lexuesit arsye për ta pranuar ose refuzuar. Të dyja format janë legjitime, të dyja e pasurojnë hapësirën intelektuale dhe një revistë serioze ka vend për të dyja.
Ajo që një revistë serioze nuk duhet të pranojë është shkrimi që nuk bën asnjërën: shkrimi që nuk sjell njohuri të reja dhe nuk argumenton, që përsërit atë që dihet tashmë, në mënyrën që dihet tashmë, me ndjeshmëri ndaj temës, por pa substancë. Ky lloj shkrimi ka një pamje të jashtme të rregullt: autori njeh kontekstin, shkruan me kujdes, shpreh qëndrime që duken të arsyeshme, por kur lexuesi e mbaron tekstin dhe pyet veten se çfarë mësoi ose çfarë arsyeje të re takoi, përgjigjja mungon. “Shenja” ka botuar shkrime të kategorisë së parë dhe të dytë, por ka botuar edhe shkrime të kësaj kategorie të tretë dhe kjo pabarazi është pikërisht ajo që e bën vetëvlerësimin të nevojshëm.
Ky është model i njohur: autori ka ndjeshmëri të vërtetë ndaj temës që trajton, e njeh kontekstin, shkruan me kujdes, por nuk arrin as ta dokumentojë temën me thellësi të mjaftueshme që lexuesi të dalë me njohuri të reja, as ta formulojë qartë se çfarë pretendon të tregojë që mund të kundërshtohet me arsye. Rezultati është shkrim i lexueshëm, por jo i paharrueshëm, shkrim që e lë lexuesin aty ku e gjeti. Një shkrim mund të merret me çfarëdo çështjeje, qoftë historike, politike, fetare, kulturore dhe të jetë intelektualisht i rëndësishëm, me kusht që autori të ketë diçka për të thënë përtej reagimit të parë: njohuri që lexuesi nuk i kishte ose arsye që lexuesi nuk i kishte marrë parasysh. Ky është standardi që një revistë serioze duhet ta kërkojë nga bashkëpunëtorët e saj.
E lidhur ngushtë me këtë është çështja e standardit redaktues dhe këtu duhet folur hapur. Një revistë me pretendim intelektual ka obligim të mos botojë tekste që nuk sjellin as njohuri as argument. Presioni për të mbushur faqe ekziston në çdo revistë dhe në kontekstin shqiptar ai presion është edhe më i fortë, sepse grupi i bashkëpunëtorëve të mundshëm është i vogël dhe pritshmëritë për shpërblim janë të ulëta. Por, pranimi i këtij presioni ka kosto që nuk duket menjëherë: botimi i materialeve nën standard nuk e bën revistën gjithëpërfshirëse, e dobëson profilin e saj dhe ia ul besueshmërinë atyre shkrimeve të mira që botohen pranë tyre. Lexuesi që takon dy herë radhazi tekste pa substancë fillon ta lexojë revistën si buletën kulturore dhe jo si hapësirë mendimi dhe kthimi i atij lexuesi është shumë më i vështirë sesa mbajtja e tij. Redaksia ka të drejtë, madje ka obligim, të refuzojë materiale që nuk i plotësojnë kushtet, edhe kur kjo do të thotë numra më të hollë. Më mirë një numër me pesë shkrime që kontribuojnë sesa një numër me dhjetë tekste ku vetëm dy meritojnë rilexim.
Megjithatë, kritikat nuk duhet të errësojnë meritat e vërteta. “Shenja” ka mbushur një boshllëk të ndjeshëm në hapësirën mediale shqiptare. Në një mjedis ku debati publik shpesh reduktohet në koment të menjëhershëm dhe në reagim ndaj ngjarjeve të ditës, revista ka ofruar diçka që gjendet rrallë gjetiu: hapësirë për reflektim me distancë, për trajtim tematik, për shkrim që pretendon të jetojë më gjatë se një javë. Merita e dytë, dhe ndoshta ajo që e dallon “Shenjën” nga botimet e ngjashme me karakter konservator, është se ka qenë e gatshme të japë hapësirë edhe zërave kritikë, edhe perspektivave që nuk përputhen me orientimin editorial të revistës. Ky pluralitet ka qenë shenjë shëndeti intelektual, dëshmi se redaksia e ka kuptuar se monotonia e zërave e vret interesin e lexuesit dhe e kthen revistën nga hapësirë mendimi në zëdhënëse të një pozicioni të vetëm.
Dimensioni ndërshqiptar meriton vëmendje të veçantë. Duke hapur faqet e saj ndaj autorëve nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe trojet tjera shqiptare, “Shenja” ka kontribuar në ndërtimin e një hapësire të përbashkët mendimi ku debati nuk ndalet në kufijtë shtetërorë. Ky kontribut nuk është thjesht gjeografik; ai është intelektual. Autorë që shkruajnë nga kontekste të ndryshme politike dhe shoqërore sjellin jo vetëm tema të ndryshme, por edhe mënyra të ndryshme të menduari, dhe kur këto mënyra takohen brenda të njëjtës revistë, krijohet mundësia e debatit që shqiptarët e kanë pasur rrallë: debati midis veti, jo vetëm debati ndaj të tjerëve. Kjo arritje meriton më shumë vëmendje sesa i është kushtuar deri tani, sepse ajo përbën bazën mbi të cilën mund të ndërtohet një hapësirë e vërtetë intelektuale shqiptare.
Potenciali i “Shenjës” për fazën e ardhshme qëndron pikërisht në atë që e ka bërë të veçantë deri tani: gatishmëria për të hapur hapësirë mendimi që nuk gjendet lehtë gjetiu në gjuhën shqipe. Por, ky potencial realizohet plotësisht vetëm kur revista vendos ta përkufizojë veten jo nga tematika që mbulon, por nga standardi që kërkon. Profili intelektual i një reviste nuk shpallet; ai ndërtohet numër pas numri, zgjedhje pas zgjedhjeje, refuzim pas refuzimi.
Pesëmbëdhjetë vjet ekzistencë është arritje e vërtetë. Por, pyetja e vërtetë jubilare nuk ka të bëjë me të kaluarën; ajo ka të bëjë me atë që “Shenja” vendos të bëjë tani që e ka fituar të drejtën e zërit. Në hapësirën intelektuale shqiptare ka punë themelore të papërfunduara: na mungojnë ende njohuri themelore mbi çështje që e përcaktojnë jetën tonë kolektive dhe na mungon ende tradita e argumentimit publik ku pozicionet mbrohen me arsye dhe jo me retorikë. “Shenja” e ka dëshmuar se mund ta mbajë gjallë një hapësirë; sfida tani është ta bëjë atë hapësirë vend ku mendimi shqiptar jo vetëm ruhet, por formohet. /revistashenja
