Shkrimi i Enver Robelli për ndërtimin e xhamisë në St. Gallen paraqitet si një analizë “racionale” mbi prioritetet e komunitetit shqiptar në Zvicër, por në thelb ai mbart një qasje selektive dhe problematike ndaj fesë islame dhe rolit të saj në diasporë. krahasimi që Robelli e bën mes ndërtimit të një xhamie dhe dhënies së bursave është një krahasim artificial.
Komunitetet nuk funksionojnë sipas një logjike “ose-ose”. Një komunitet i shëndetshëm investon paralelisht në arsim, ekonomi, kulturë dhe jetë shpirtërore. Reduktimi i fesë në një “shpenzim të panevojshëm” dhe i arsimit në “alternativë superiore” është një simplifikim që nuk reflekton realitetin kompleks të diasporës.
Pretendimi se xhamitë prodhojnë “izolim” është i pabazuar dhe shpesh i përdorur në diskurse islamofobe në Evropë. Në shumë raste, xhamitë në Zvicër dhe gjetkë shërbejnë si qendra komunitare ku organizohen aktivitete edukative, kurse gjuhësore, këshillime sociale dhe integruese. Pra, ato nuk janë thjesht vende adhurimi, por edhe hapësira sociale që ndihmojnë integrimin jo të kundërtën.
Një aspekt që shpesh anashkalohet në këtë debat është roli i xhamive në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar. Në diasporë, ku asimilimi është një sfidë reale, xhamitë kanë qenë ndër institucionet e para që kanë mbajtur gjallë gjuhën shqipe, traditat dhe lidhjen me atdheun. Për shumë familje shqiptare në Zvicër, fëmijët e tyre pikërisht në ambientet e xhamisë kanë mësuar shkrim-leximin në shqip, historinë bazë kombëtare dhe normat kulturore shqiptare.
Në mungesë të shkollave të mjaftueshme plotësuese në gjuhën shqipe, xhamitë shpesh kanë mbushur këtë boshllëk, duke organizuar kurse vullnetare dhe aktivitete për të rinjtë. Kjo nuk është vetëm çështje feje, por edhe çështje identiteti dhe trashëgimie kulturore. Shumë prej brezave të rinj që sot flasin shqip në diasporë, e kanë ruajtur këtë lidhje falë pikërisht këtyre institucioneve.
Për më tepër, Robelli nuk e problematizon aspak faktin që komunitetet e tjera fetare ndërtojnë objekte të mëdha pa u vënë në pikëpyetje nëse ato para do të duhej të shkonin për “bursa”. Kjo tregon një standard të dyfishtë kur bëhet fjalë për myslimanët, investimi në identitet shihet si problem kur bëhet fjalë për të tjerët, konsiderohet e drejtë legjitime.
Argumenti i tij mbi Universitetin e St. Gallen është gjithashtu më shumë retorik sesa real. Jo çdo i ri ka mundësi apo prirje për të studiuar në një nga universitetet më elitare në botë. Për më tepër, integrimi nuk arrihet vetëm përmes diplomave, por edhe përmes ndërtimit të një identiteti të qëndrueshëm dhe ndjenjës së përkatësisë.
Në thelb, kjo lloj qasjeje nuk është thjesht kritikë ndaj një projekti konkret, por pjesë e një narrative më të gjerë që e sheh islamin si pengesë për progres. Kjo është problematike, sepse injoron faktin se për shumicën shqiptare, feja është pjesë integrale e identitetit të tyre dhe nuk është në kundërshtim me arsimimin apo integrimin.
Një debat i shëndetshëm do të kërkonte transparencë për financimin, diskutim mbi prioritetet dhe përfshirje të komunitetit por jo demonizim të një dimensioni të tërë të jetës së tyre.
Selam Shkodra
