Komandanti Adem Jashari nuk është produkt i imagjinatës dhe i legjendave. Përkundrazi, është produkt historik i ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve të mbetur nën pushtimin sllav, i një vetëdijeje të re që nuk e duronte më robërinë, shtypjen sociale dhe kombëtare, është edhe produkt i traditës drenicase të përballjes me pushtuesit, por mbi të gjitha është modeli përfaqësues i një familjeje të brumosur për breza në frymën atdhetare.
Hysen MATOSHI, Prishtinë
Në njëzetvjetëshin e fundit Adem Jashari është emri më i pranishëm në opinion shqiptar, është edhe personaliteti më i pranueshëm i periudhës së zhvillimeve më të reja historike që sollën ndryshime rrënjësore në jetën tonë. Emri i tij është bërë sinonim i luftës çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë e në vise të tjera etnike, ku u shënuan përpjekje të këtilla. Me një fjalë, Adem Jashari është përfaqësuesi më i denjë i kryengritësve kundër robërisë, përfaqësuesi emblematik i mijëra dëshmorëve të lirisë, i sakrificës më madhore të një udhëheqësi të luftës çlirimtare, madje kundruar edhe në përmasa përtejkombëtare. Për këtë arsye gjithçka që ka të bëjë me Adem Jasharin, biografinë, veprimtarinë dhe jehonën e aktit të tij madhor, është bërë objekt i shqyrtimeve në shkrime të karakterit të ndryshëm publicistik, eseistik, letrar e shkencor, në vepra të shumta artistike, publicistike e historiografike; me një fjalë për të, për sakrificën, heroizmin e vizionaritetin e tij, është krijuar një bibliotekë shkrimesh. Nuk jam në dijeni nëse deri tani është hartuar ndonjë bibliografi që, në mënyrë të përafërt, do ta përmblidhte informacionin për shkrimet kushtuar këtij personaliteti të shquar, e cila do të ndihmonte shumë në njohjen sa më të plotë të kësaj trashëgimie të begatë shkrimore, veçse dihet se për të shkruajnë dijetarë, shkrimtarë, publicistë, politikanë, analistë, bashkëveprimtarë etj.
Përmasa e personalitetit të Adem Jasharit
Pjesa dërrmuese e shkrimeve për Adem Jasharin karakterizohen nga një kredo morale: vlerësimi dhe nderimi i madh që i bëhet veprimtarisë së tij në drejtim të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të funksionalizimit të saj si forcë vepruese çlirimtare në terren dhe të shembullit personal e familjar që e dha me përkushtimin e tij çlirimtar. Fundja, ky vlerësim ka ardhur edhe nga miliona vizitorë të Kompleksit Memorial, ndër të cilët edhe shumë të huaj e personalitete të shquara të politikës botërore. Kujtojmë me këtë rast vetëm deklarimin e Bernard Kushnerit, administratorit të dikurshëm të Kosovës, sipas të cilit familja Jashari, me sakrificën e saj, do ta meritonte çmimin Nobel për liri nëse do të ekzistonte një çmim i tillë.
Shqyrtimi im nuk e vë në pikëpyetje qëllimin e asnjërit prej autorëve të teksteve kushtuar heroit kombëtar Adem Jasharit. Në një sens krejtësisht tjetër do të jetë një përpjekje për ta trajtuar aspektin profesional e tipologjik të këtyre teksteve, i bindur se dashuria për materien që trajtojmë nuk është e mjaftueshme nëse nuk ka një mbështetje të duhur profesionale, veçmas kur bëhet fjalë për tekste me pretendime akademike e shkencore.
Perceptimi artistik përballë argumentimit shkencor
Në të vërtetë, është një përpjekje për të diferencuar llojet e shkrimeve në ato artistike dhe shkencore, përkatësisht në llojin e shkrimeve që janë produkt i perceptimit subjektiv dhe në llojin e shkrimeve që synojnë një qasje objektive, kritike dhe të argumentueshme në rrafshin dokumentar. Rëndom, personalitetet e shquara të një kombi, të një shoqërie, apo edhe ato që janë të përmasës së përbotshme, e kanë të pashmangshëm edhe dimensionin legjendar të trajtimit. Për to, përtej të dhënave objektive, formësohen dhe tregohen edhe legjenda, veçmas kur është fjala për personalitete të kthesave të mëdha historike për të cilët të dhënat faktografike nuk janë të plota, kryesisht për shkak të distancës së madhe ndërmjet kohës kur kanë ekzistuar dhe kohës së trajtimit. Legjenda të tëra janë krijuar për karakterin dhe bëmat e këtyre personaliteteve. Në letërsi dhe në arte ky procedim në raport me faktet historike është një çështje krejtësisht e pranueshme dhe madje edhe e vlerësuar, ngaqë këtu hyn në veprim edhe fiksioni, kreativiteti, dimensioni imagjinativ i autorit, gjë që edhe e karakterizon ligjërimin artistik. Në të vërtetë, sikundër është e ditur gjithandej, legjenda definohet si një rrëfim i cili elementet faktike i ndërlidh me aspekte fiksionale e emocionale si produkte të fantazisë e të imagjinatës së autorit. Mesjeta ka qenë koha e artë e legjendave, ndonëse as deri sot nuk është shuar etja për to.
Megjithatë, prania e elementeve mitike, legjendare, fiksionale, fantastike etj. në shkrime me pretendimet që të jenë kontribute historiografike është dëshmi e një faze qartësisht parashkencore në këtë disiplinë studimesh. Është fakt se një pjesë e studimeve tona historiografike përmban elemente të qarta subjektive, tipike për ligjërimin glorifikues dhe të pabazuar mjaftueshëm në burime faktografike. Si pa të keq, ndonjëherë autorët ndërthurin të vërtetat historike me ato legjendare, duke prodhuar një histori të letrarizuar, në një rast, ose një letërsi të historizuar, në rastin tjetër.
Edhe shkrimet me pretendime akademike e shkencore për Adem Jasharin dhe për Jasharët përgjithësisht nuk janë imune ndaj qasjeve të këtilla. Një personalitet aq i njohur historik, të dhënat faktike për të cilin janë katërçipërisht të qarta, qoftë për shkak të interesimit për të si personaliteti qendror i historisë sonë të re, qoftë edhe për shkak të distancës së shkurtër kohore, në kontributet me pretendime historiografike, trajtohet kryesisht me gjedhen shkrimore folklorizuese e legjendarizuese.
Adem Jashari – komandant historik i UÇK-së
Komandanti Adem Jashari nuk është produkt i imagjinatës dhe i legjendave. Përkundrazi, është produkt historik i ndërgjegjësimit kombëtar të shqiptarëve të mbetur nën pushtimin sllav, i një vetëdijeje të re që nuk e duronte më robërinë, shtypjen sociale dhe kombëtare, është edhe produkt i traditës drenicase të përballjes me pushtuesit, por mbi të gjitha është modeli përfaqësues i një familjeje të brumosur për breza në frymën atdhetare.
Duke ia lënë artit dimensionin legjendar të figurës së tij, historiografia jonë ka për detyrë imediate që ta qëmtojë me kujdes secilin përbërës faktografik, të jetës dhe të veprimtarisë atdhetare të Adem Jasharit, duke e nxjerrë në pah portretin e luftëtarit dhe bëmat e komandantit historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sado që të bëmat e tij në luftë për liri janë vërtet të jashtëzakonshme, ato mbesin faktike e dokumentare, të dëshmuara dhe të dëshmueshme në kronologjinë e veprimtarisë së tij atdhetare dhe në kronologjinë e madhe të veprimtarisë së Lëvizjes Kombëtare të Shqiptarëve, si pjesë e pandashme e historisë sonë.
Një qasje kritike shkencore e historiografisë sonë, që parakupton bazimin në burime të verifikueshme dokumentare, është hap i rëndësishëm drejt modernizimit të qasjeve studimore në raport me të kaluarën e shqiptarëve dhe veçmas lidhur me personalitetet më të shquara të saj, sikurse edhe është komandanti historik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Fundja, kjo është mënyra se si shkruhen sot historitë e besueshme, përkatësisht historitë që mund të bëhen referenca të njëmendta edhe përtej përmasës kombëtare.
